Dan Hutra, një nga personazhet e krimit që një vit më parë tronditi vendin, duke vrarë tre gra të pafajshme dhe plagosur 3 të tjera, është transportuar nga ambientet e burgut të Peqinit, ku mbahet i izoluar në drejtim të prokurorisë së posaçme SPAK.

Shkak i vizitës së Hutrës në SPAK, janë bërë dy letra që i arrestuari për vrasjen e grave, i kishte dërguar prokurorëve specialë, duke treguar vullnetin se ishte i gatshëm të fliste për një seri ngjarjesh kriminale për të cilat siç pretendonte ai kishte informacion të hollësishëm.

Nisur nga kjo situatë e pasqyruar përmes letrave të dërguara nga burgu, SPAK ka vlerësuar marrjen në pyetje të arrestuarit, me shpresën e tregimit të autorëve që kishin marrë pjesë në ngjarjet e rënda kriminale që janë ende të pazbardhura.

Me kërkesë të prokurorëve të SPAK, pak ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka mundësuar transportimin e Dan Hutrës nga ambientet e burgut në prokurorinë e posaçme.

Burime pranë SPAK kanë konfirmuar lajmin se Dan Hutra është marrë në pyetje në këto ambiente, për shkak të vlerësimit të asaj situate që kishte paraqitur në letrat e dërguara.

Duke ju referuar të njëjtave burimeve nga SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve, mësohet se pyetja e Hutrës ka zgjatur disa minuta dhe më pas është lënë i lirë të kthehet sërish në burg.

Në vlerësimin e grupit të hetimit, Hutra, nuk tha asgjë me vlerë që mund të konsiderohet e vlefshme për çeljen e hetimeve për dosje konkrete, por gjithsesi çështja në këtë rast është në trajtim e sipër.

Por prokuroria e posaçme mësohet të ketë lënë dhe një seancë të dytë të marrjes në pyetje të Dan Hutrës.

Ky nuk është rasti i parë që prokurorë të SPAK, vizitohen në zyrat e tyre nga të burgosur, të cilët shprehin vullnetin për të dhënë sqarime rreth ngjarjeve të rënda kriminale që kanë ndodhur në Shqipëri.

Një gjë e tillë ka ndodhur me Admir Tafilaj, Erjon Alibej, Luftar Reçi dhe persona të tjerë që tregojnë para prokurorëve të SPAK ato krimi që pretendojnë se dinë autorët e vrasjeve dhe bisedat informative që kanë zhvilluar me të dënuar të tjerë në burgje.

Së fundmi ishte Dan Hutra që vizitoi SPAK dhe dha shpjegimet e tij.

Aktualisht në burg, Dan Hutra ndodhet për akuzën e vrasjes së tre grave dhe plagosjen e tre të tjerave në Tiranë.

Më 1 Mars 2023, Dan Hutra ekzekutoi me automatik motrën e ish-bashkëjetueses së tij, Mevlute Hysa 30 vjeç dhe të fejuarën e vëllait të bashkëjetueses, Elena Hysës, Hasime Dafku, gjithashtu 30-vjeçe.

Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.

Masakra ka vijuar edhe më tej. Ky vrasës i rrezikshëm i arratisur me makinën “Benz të zi” dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti.

Po të njëjtën ditë e plagosur mbeti dhe Marjana Gurakuqi, e cila ishte e dëmtuara e parë e asaj dite të tmershme në Tiranë.