Pavarësisht debateve dhe show-t të përjavshëm, deputetët e opozitës dhe ata të qeverisë duket se e kanë gati projektin për të bashkëpunuar në komisionin që do drejtohet nga Fatmir Xhafa. Projektrezoluta e propozuar nga kryeministri sigurisht që s’mund të marrë votat e opozitës, por grupimi i drejtuar nga Gazment Bardhi do të marrë pjesë në këtë komision.
Burime të besuara për VNA bëjnë me dije se deputetja Jorida Tabaku ose Dhurata Çupi do të jenë pjesë e komisionit duke përdorur dhe faktin që ajo drejton komisionin e integrimit.
Edhe pse në “luftë” të dukshme, fijet e padukshme për të vënë Spak nën kontroll lidhen më së miri mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ky i fundit ka si kontigjent për këto raste disa nga ish deputetët mbështetës të Bashës që në dukje të “paanshëm” çojnë ujin në mullirin e Foltores.
E panjohura e madhe e të gjithë këtij procesi është angazhimi i plotë i Fatmir Xhafajt. Deputeti socialist iu rikthye dashurisë dhe bashkëpunimit me Ramën në momentet kur ky i fundit po haste në moskontroll të plotë të Spak. Ndaj rikthimi i Xhafës si njeriu që ishte promotori i reformës në drejtësi kur u krijua, tashmë si rireformator shton dyshimet se ky plan nuk do të sjellë asgjë të re më procesin e luftës ndaj zyrtarëve të korruptuar. Ndoshta e reja do të jetë kufizimi i punës dhe mandatit të Spak, gjëra që Xhafa mesa duket nuk i kishte llogaritur mirë kur mburrej për reformën vite më parë!