Përmes një operacioni sekret të kryer nga një skuadër e bashkëpunimit ndërkombëtar “ENFAST” dhe agjentëve të policisë së Shtetit, është mundësuar arrestimi pa shumë bujë i një shtetase nga Sllovakia e quajtur, Simona Balatova.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se operacioni i arrestimit të Balatovës është kryer në muajin Shtator 2023, dhe po me aq sekret është bërë dhe ekstradimi i saj në drejtim të Sllovakisë.
Ekstradimi i 44-vjeçares është kryer me procedurë të përshpejtuar duke përdorur teorinë e “pakos postare”, ndërkohë në 29 Mars 2024, gjyqtari i shkallës së parë në Durrës, Paulin Çera, vendosi të miratojë ekstradimin e saj me letra në drejtim të Sllovakisë.
Dëshirën për tu transferuar në Sllovaki, e ka pasur dhe vetë 44-vjeçaria, e cila ka kërkuar miratimin e ekstradimit përmes procedurës së përshpejtuar.
Simona Balatova, kishte 7 muaj që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e Zilinas në Sllovaki e ka dënuar me 9 vjet e 4 muaj burgim për akuzën e “Shmangie e detyrimeve financiare” dhe “Pjesëmarrjen në organizatë kriminale”.
Ajo kishte mundur të hynte në territorin shqiptar dhe jetonte në një qytet bregdetar siç është Durrësi. Por teksa ka rënë në qetësi dhe duke menduar, se i ishte shmangur me sukses kërkimit nga policia Sllovake, një skuadër e kërkimit ndërkombëtar “ENFAST” ka mundur ta lokalizojë dhe të vijë në Shqipëri.
Në bashkëpunim me autoritet e policisë Shqiptare është bërë e mundur arrestimi i 44-vjeçares teksa ajo qëndronte në Durrës.
Simona Balatova, është pjesë e një grupi kriminal në Slovaki, grup i cili bashkëpunon dhe me eksponentë të krimit të organizuar në Shqipëri, që janë subjekt i hetimit të prokurorisë së posaçme SPAK.
Tashmë Balatova është ekstraduar në Slovaki me qëllim vuajtjen e dënimit prej 9 vite e 4 muaj burgim për akuzën e “Shmangie e detyrimeve financiare” dhe “Pjesëmarrjen në organizatë kriminale”