Nga Klodian Tomorri
Kur Nikolai Gogol shkroi novelën “Shpirtra të Vdekur”, ai i zbuloi botës një paradoks. Të vdekurit janë mall tregu dhe me ta mund të fitosh para. Por që kjo të ndodhë ka një kusht thelbësor. Duhet që autoritetet të jenë thellësisht të korruptuara dhe që vendi të qeveriset nga zyrtarë që nuk kanë shpirt.
Në koën e Chichikovit, ky ishte një sfond i zakonshëm. Por siç e pamë një ditë më parë, biznes me vdekjen bëhet edhe në Shqipërinë e Edi Ramës, dy shekuj më vonë.
Ndërsa e gjithë neveria e publikut është derdhur mbi mjekët faqezinj të vënë në masë sigurie nga Gjykata, arkitetektët e bursës së vdekjes nuk janë ata. Njerëzit që e kanë ngritur këtë skemë janë në qeveri dhe në ministrinë e Shëndetësisë, janë zyrtarët të cilëve shqiptarët u kanë besuar jetën e tyre. Këta janë poshlostët e vërtetë, të cilët duan të nxjerrin para nga vdekja.
Si mundet që ministria e Shëndetësisë të liçencojë një klinikë për shërbime onkologjike, kur pronari i saj me 90 për qind të aksioneve është mjeku që shërben si onkolog në spitalin publik? Megis është biznesi privat i onkologut të spitalit publik Edmond Gashi. Dhe teksa ministrja e Shëndetësisë reagoi nga zori duke thënë se ishte e neveritur nga veprimet e mjekëve, do të duhej që dje minimalisht të shprehej po njësoj e neveritur edhe me ministrinë që ajo drejton, e cila ka licencuar Gashin të bëjë biznes me vdekjen.
Si mundet që ilaçet e shtetit të vidhen për t’u shitur në tregun privat? A mund të ndodhë kjo pa përfshirjen e drejtuesve të QSUT-së, auditit të brendshëm në Spitalin Universitar dhe njësive të kontrollit në ministrinë e Shëndetësisë? Jo nuk mund të ndodh asesi. Dhe kjo është një arsye tjetër se pse zonja Koçiu duhet të ishte neveritur me minmistrinë e saj më së pari.
A mundet të ekzistojë pazari i kimiopreparateve nëse shteti do të prokuronte me përgjegjësi të gjithë sasinë e nevojshme të ilaçeve që duhen për pacientët? Jo nuk mund të ekzistonte dot kurrë. Ky pazar ekziston ngaqë shteti nuk prokuron sasinë e nevojshme. Sepse paratë i marrin koncesionet kriminale të analizave të shurrës. Kjo ishte arsyeja e tretë se pse ministrja e Shëndetësisë do të duhej të neveritej me ministrinë e saj dhe qeverinë në të cilën bën pjesë.
Pra, korrupsioni nuk fillon nga mjeku, por mbaron tek ai. Mjeku është thjesht hallka e fundit që nxjerr në pah problemin. Korrupsion ideohet dhe fillon në qeveri. Pamjaftueshmëria e medikamenteve, menyra e aksesimit të tyre nga pacienti dhe mbi të gjitha keqadministrimi i rrjedhës së financimit të shërbimit shëndetësor.
Së pari, të gjitha medikamentet onkologjike duhet të jenë 100% të financuara nga shteti. Në publik apo në privat kjo nuk ka asnjë rëndësi. Këto medikamente si në gjithë botën duhet të aplikohen vetëm në spitale të mirëfillta, të cilat plotësojnë kushtet dhe janë nën monitorimin e rreptë të shtetit. Jo në çdo klinikë, që ngrihet në çdo zgëqe pallati nëpër lagjet e Tiranës.
Barnat onkologjike janë të gjitha medikamente të importuara dhe kontrolli i tyrë është shumë i thjeshtë. Këto ilaçe kanë numër serial të caktuar në barkod dhe administrohen me recetë të posaçme spitalore. Ky barkod së bashku me recetën ruhen në dosjen e pacientit dhe një kopje i niset Fondit të Kujdesit Shëndetësor si financuesi i terapisë. Pra i gjithë zinxhiri i tyre i qarkullimit mund të gjurmohet shumë lehtë; sa janë importuar dhe sa janë përdorur, ku janë përdorur dhe ku janë paguar.
Shteti i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit për të mos lejuar atë që ndodhi. Por në çdo hallkë që dështon ka një zyrtar që korruptohet, ashtu si në Rusinë e shekullit të 19. Prandaj arkitektët e tregtisë së vdekjes nuk janë Gashët e trashur nga paratë e mortit apo Alketërat e shëmtuara nga gjynahet e Ferrit. Përgjegjësit kryesorë janë poshlostët e pashpirt në qeveri. Ata që bëjnë listat klienteliste të ilaçeve dhe që devijojnë fondet e shëndetësisë në bizneset e tyre./ Kapitali.al