SPAK ka reaguar pas incidentit të ndodhur ditën e sotme para godinës së Prokurorisë së Posaçme, ku 63-vjeçari Pal Trashaj konsumoi fotoksinë në tentativë për t’i dhënë fund jetës.
SPAK thotë se Trashaj u prit nga oficeri i informacionit, i cili më pas ka tentuar ta takojë për ta informuar, por Trashaj ishte larguar jashtë rrethimit të godinës.
SPAK thotë se çështja për të cilën Trashaj është ankuar, i ka kaluar për kompetencë prokuroisë së juridiksionit të përgjithshëm.
Bëhet fjalë për skemën mashtruese me kreditë e këqija të MCA, viktimë e të cilës ka rënë edhe Trashaj. Ai kishte marrë një kredi prej 76 mijë lekësh te NOA, që më pas kishte shkuar në 4.8 mln lekë. Si edhe në raste të tjera, një përmbarues i ka sekuestruar atij të gjitha pasuritë.
Njoftimi i SPAK:
Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022. Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje.
Pas disa orësh, jashtë ambjenteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.
Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij.
Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.