Personi që shihni në fotomn e mëposhtme është 47-vjeçari nga Vlora, Leonard Luzi, i cili mban dhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, teksa ndryshe njihet me nofkat si “Nard Çami” ose “Daku“.

Ai u arrestua në Spanjë në kuadër të operacionit “Rekrutuesi”, pas bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, teksa akuzohet si organizatori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullas i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”.

Mbi Leonard Luzin rëndojnë akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.

Leonard Luzi

Sipas hetimeve të SPAK, Leonard Luzi kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn ”. Për të kryer këtë vrasjet, ata janë ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.

Në dosjen hetimere thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe Qorrin”.

Leonard Luzi është kushëri nga ana e babait me Erigert Zejno, i vrarë më datë 22 Mars të vitit 2013, në lagjen “11 Janari” në Vlorë dhe vrasja e Inez Hajrullas dhe Ervis Matodashajn do të kryej për hakmmarjen e tij, si dhe për të marrë kontrollin e lojërave të fatit në Vlorë. Pagesa do të kryhej nga një person në Dubai.

Por vrasjet nuk arritën të kryheshin pasi Amarildo Nikolli alias Xhanej u arrestua me pistole me fishekë në fole, gati për qitje, teksa më pas ai u kthye në të penduar të drejtësisë.

Arrestimi i Leonard Luzit u njoftua ditën e djeshme në një intervistë televizive nga Alda Nikolli, shënjestra e atentatit me tritol të dielën në Elbasan, e cila tha se “Leonard Luzit i ishte vënë gjobë nga Nuredin Dumani, por nuk e pagoi pasi u kap dy ditë më parë” (tre ditë).

“Nuredin Dumani kështu jeton, duke i vënë gjoba njerëzve, se nuk është se ka lekë. Jo më larg se para disa ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro. E ka detyruar të pranojë gjëra që ai nuk i ka bërë. Me presion. Do t’ia vinte edhe “Dakut”, ai është Leonard Luzi, por për fat të keq është kapur dje dhe nuk arriti dot t’ia vendosë.” – tha Alda Nikolli.

DOSJA E PROKURORISË PËR ATENTATIN E DËSHTUAR NDAJ INEZ hAJRULLAS DHE ERVIS MATODASHAJ

“Nga aktet e përcjella nga Prokuroria Vlorë, ka rezultuar se më datë 7 Gusht 2023, në orën 12:47, në lagjen ‘Uji Ftohtë’, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik të kryer shtetasit Amarildo Nikolli nga shërbimet e policisë të Sektorit ‘Fast Albania’, i janë gjetur në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës ‘Pietro Beretta’, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Gjatë kontrollit të banesës me qira që ky shtetas kishte marrë në qytetin e Vlorës në afërsi të shkollës “1 Maji”, u gjendën po kështu një palë dorashka plastike me mbishkrimin “Kedman”.

Në lidhje me atentatin e dështuar ndaj shtetasit Inez Hajrulla, procedimi penal është regjistruar në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mbi dyshimet për një grup të strukturuar kriminal në përbërje të të cilit janë shtetas më banim në Vlorë dhe Tiranë. Të cilët kryenin vrasje me motiv hakmarrje, për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në përbërje të këtij grupi dyshohet se është edhe shtetasi Leonard Luzi banues në Vlorë, i njohur ndryshe me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’.

Gjatë marrjes në pyetje fillimisht shtetasi Amarildo Nikolli (Xhanej) refuzoi të jepte shpjegime. Por në vijim, ai pranoi të bashkëpunojë dhe të tregojë me detaje, se ishte kontraktuar nga Leonard Luzi, për të kryer vrasjen e dy personave në qytetin e Vlorës. Konkretisht të Inez Hajrulla me nofkën ‘Sakati’ dhe Ervis Matodashaj me nofkën ‘Qorri’, dhe se për të kryer këtë vrasje është ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.

Amarildo Nikolli ka deklaruar se me Leonard Luzin janë njohur në burg në Itali. Ky shtetas i ka dhënë porosinë Nikollit, për vrasjen e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, kundrejt pagesës 250 000 euro për secilin.  Për kryerjen e këtyre vrasjeve Amarildo Nikolli do të ndihmohej nga dy lidhjet e Leonard Luzit, shtetasit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.

Nga hetimet rezulton se financimi për vrasjen e Inez Hajrulla do të kryhej nga një shtetas nga Vlora me qëndrim në Dubai. Arsyeja për vrasjen e këtyre shtetasve, ka qenë marrja e kontrollit të lojërave të fatit si dhe për hakmarrje, pasi i kishin vrarë nipin.

Në lidhje me armën e sekuestruar tip ‘Beretta’, ajo del se është një nga shumë armët e vjedhura në një dyqan armësh në Maqedoninë e Veriut, më datë 22 Nëntor 2017, në këtë shtet.  Po kështu nga kthimi i përgjigjes së Interpol Roma konfirmohet se gjurmët e gishtërinjve i përkasin shtetasit të regjistruar në Itali, Amarildo Nikolli (Xhanej) i datëlindjes 23 Shkurt 1988″