Policia e Shtetit ka dalë me një komunikatë zyrtare ku konfirmon arrestimin në Spanjë të 47-vjeçarit nga Vlora, Leonard Luzi, i cili mban dhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, teksa ndryshe njihet me nofkat si “Nard Çami” ose “Daku“.
Leonard Luzi akuzohet nga SPAK se kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan i njohur me nofkën “Sakati”dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”. Sipas hetimeve, për të kryer këtë vrasje, Luzi është ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.
Në dosjen hetimere thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe Qorrin”.
Leonard Luzi është kushëri nga ana e babait meErigert Zejno, i vrarë më datë 22 Mars të vitit 2013, në lagjen “11 Janari” në Vlorë dhe vrasja e Inez Hajrullas dhe Ervis Matodashajn do të kryej për hakmmarjen e tij, si dhe për të marrë kontrollin e lojërave të fatit në Vlorë. Pagesa do të kryhej nga një person në Dubai.
Por vrasjet nuk arritën të kryheshin pasi Amarildo Nikolli alias Xhanej u arrestua me pistole me fishekë në fole, gati për qitje, teksa më pas ai u kthye në të penduar të drejtësisë.
Arrestimi i Leonard Luzit u njoftua ditën e djeshme në një intervistë televizive nga Alda Nikolli, shënjestra e atentatit me tritol të dielën në Elbasan, e cila tha se “Leonard Luzit i ishte vënë gjobë nga Nuredin Dumani, por nuk e pagoi pasi u kap dy ditë më parë” (tre ditë).
“Nuredin Dumani kështu jeton, duke i vënë gjoba njerëzve, se nuk është se ka lekë. Jo më larg se para disa ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro. E ka detyruar të pranojë gjëra që ai nuk i ka bërë. Me presion. Do t’ia vinte edhe “Dakut”, ai është Leonard Luzi, por për fat të keq është kapur dje dhe nuk arriti dot t’ia vendosë.” – tha Alda Nikolli.
Ndërkohë, Policia e Shtetit bën me dije se Leonard Luzi është arrestuar në Spanjë në kuadër të operacionit “Rekrutuesi”, teksa akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
“Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi Leonard Luzi, 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi Amarildo Nikolli, i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit Leonard Luzi, do të kryente vrasjet. Shtetasit Amarildo Nikolli, në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.”– thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njofton se vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit Leonard Luzi në Shqipëri.