Detaje të reja janë zbuluar lidhur me të ashtuquajturin operacioni “Shqiponja e Zezë”! I gjithë aksioni nisi pasi u kapën 120 kilogramë kokainë të ndara në pesë bukë, por një telefon celular “BlackBerry” ka zbuluar më shumë detaje lidhur me grupin kriminal.

Kështu u identifikua edhe Indrit Kulaj. Ndaj këtij shqiptari të lindur në vitin 1990, me banim në Antwerp dhe tashmë i njohur për drejtësinë belge është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai u dënua në vitin 2010, kur ishte 19 vjeç me 4 vjet burg për importimin e 23 kilogramëve kokainë brenda një kontejneri me banane. 14 vjet më vonë, kilogramët janë bërë ton dhe sasitë vjetore të kapjes së kokainës në Antwerp janë shumëzuar.

Që nga ajo kohë, Indrit Kulaj është në radarët e forcave policore europiane, si drejtues i një organizate të madhe kriminale, e cila importonte tonelata kokainë në Europë nëpërmjet Belgjikës, për përfitime kolosale. Në fund të qershorit, ai u dënua me nëntë vjet burg nga gjykata penale e Brukselit për dosjen “Shqiponja e Zezë”. Kjo organizatë u orkestrua nga Indrit Kulaj dhe me ndihmën e të afërmve dhe “çirakëve” të tij. E gjitha u zbulua pas çkodimit të aplikacionit të tij “Sky ECC”, nga ky hetuesit belgë morën në duar gjithë porositë e drogës që ishin kryer nga shqiptari. Fati i Kulaj ndryshoi pas zbulimit të 441 kilogramëve kokainë në një anije peshkimi marokene.

Shqiptari mbështetej te gruaja e tij Khesi, e cila megjithatë shqetësohej në një bisedë telefonike se shtypi e cilëson bashkëshortin e saj një “zot droge”.

“Po pse e kanë shkruar kështu zemër?,”- shqetësohet ajo, ndërsa i shoqi i përgjigjet: Po ç’di unë, i ekzagjerojnë gjërat për të bërë lajme!

Në telefonin e tij Sky-ECC, Kulak i dërgoi gruas së tij një foto të pesë pistoletave që i përkisnin, që besohet se kishin mbetur të fshehura në banesën e familjes.

“A janë në shtëpi?,”- e pyet ajo burrin e saj.

“Duhen zemër. U duhen djemve. Tani që jam larguar kanë filluar vjedhjet. Sa isha aty nuk kishte shanse të më vidhnin gjë, por… tani që nuk jam… Është për të mbrojtur veten dhe për punë zemër.”

Por hetimet morën një kthesë tjetër në shkurt 2021. Një përgjim i kryer ndaj Kulaj zbulon se lideri i organizatës kriminale i ka dhënë kodin e tij të kriptofonit Sky ECC një bashkëpunëtori. Ai ishte Alfredo Hamzai. Ky i fundit kishte marrë përsipër kontrollin e grupit për sa kohë Kulaj ishte në burg. Hamzai nuk ishte një njeri që shqetësohej për detaje. Madje në një moment, gjatë përgjimeve, ai i kërkoi një bashkëpunëtori që të vriste partnerët e tij brazilianë: Vriti, jam i turpëruar me ta!

Ishte po Hamzai ai që organizonte më pas pritjen e kokainës, herë me sukses, e herë jo. Por më e keqja nuk ka ardhur ende. Më 3 qershor 2021, ndodhi konfiskimi më i madh i bërë ndonjëherë në portin e Antwerp. Gati shtatë ton kokainë u zbuluan në një kontejner me banane të transportuar nga “MSC Anisha R”. Kjo drogë, nëse do të shitej do të kapte shumën e më shumë se 200 milionë eurove.

Hamzai flet për sekuestrimin e bërë nga Policia në Signal: Sapo u kapën një orë më parë. Më shumë se pesë tonë…

Megjithatë Kulaj kishte arsye për t’u gëzuar. Më 7 tetor 2021, ai u ekstradua përfundimisht nga Spanja në Belgjikë. Mikrofonat e vendosur në qelinë e tij të burgut lejojnë hetuesit ta ndjekin edhe më nga afër. Shokut të tij të qelisë, Kulaj i hapej dhe i tregonte për shqetësimet që i shkaktoheshin nga operacionet e Policisë që po godisnin herë pas here komunitetin e trafikantëve të drogës. Por ai nuk dorëzohej!

“Edhe pse jam në burg mbaj “50% deri në 60%” të punës,”-tregonte ai, ndërsa përshkruante edhe planin e zgjerimit të “biznesit” në Kolumbi dhe Ekuador.

Jashtë “puna” vazhdonte me Hamzain në krye!

Më 8 tetor 2021, një ditë pas ekstradimit të Kulaj, bashkëpunëtori i tij priti një kontenier me “300 copë”. Megjithatë, rrjeta e thurur nga policia belge do mbyllej së shpejti. Një nga laboratorët e nxjerrjes së kokainës të organizatës kriminale, me qendër në Zutendaal, në zonën e vogël artizanale të këtij qyteti të Limburgut, u çmontua në nëntor 2021. Por dita vendimtare ishte 14 shkurti 2022. Dita e daljes nga burgu të Indrit Kulajt. Ai pritej jashtë burgut nga bashkëpunëtori i tij, Alfredo Hamzai. Së bashku shkruan në Antwerp pa e kuptuar se po ndiqeshin nga Policia.

Të nesërmen, Policia u fut në aksion! Në shtëpinë e Hamzait, Policia gjeti dhe sekuestroi 198.450 euro para të gatshme. Te Xhesi, partneri i Kulajt, 74.900 euro cash, Rolex, 17 kilogramë kokainë, armë zjarri dhe një fletore kontabiliteti e fshehur në një dhomë sekrete. Po atë ditë, policia spanjolle veproi në bashkëpunim, me mbështetjen e Europolit. Në total, 600 oficerë policie u vendosën për të arrestuar 45 persona. Ishte operacion i madh!

Dy vjet më vonë, Indrit Kulaj dhe Alfredo Hamzai, të shoqëruar nga rreth pesëmbëdhjetë bashkëpunëtorë, u dënuan me nga nëntë vjet burg, edhe pse Prokuroria kërkoi 20 vite. Gjatë gjyqit të tyre dolën në pah lidhjet e midis organizatës kriminale dhe personaliteteve të larta politike shqiptare, por media e huaj nuk përmend emra.