Në Teheran, ashtu si në Bejrutin e Jugut, një agjent i Mossad-it është gjithmonë “gjashtë shkallë larg” nga burimi i tij. Ata që kanë informacionin nuk duhet të jenë të vetëdijshëm se po i bëjnë një nder Izraelit: shpesh nuk e marrin vesh kurrë. Është e vetmja mënyrë për të qenë në gjendje të punosh në ato realitete të padepërtueshme”.
Veterani i inteligjencës evropiane flet për aftësinë e demonstruar nga kolegët e tij izraelitë për të depërtuar në vendet më të paarritshme dhe për të marrë të dhëna, për të kryer sulme si ai që vrau Ismail Haniyeh: “Ata ndjekin të njëjtën procedurë edhe në infiltrim, duke dërguar njerëz aspak dyshimtë në misione: ne besojmë se shumica e 007-ave të tyre në terren në Iran ose Liban kanë lindur në vende të ndryshme, ndonjëherë në kontinente të tjera, pa marrëdhënie me komunitetet hebraike”.
Padyshim, epoka e satelitëve dhe e komunikimeve në internet ka lehtësuar detyrën e atyre që menaxhojnë aktivitetet e fshehta në Republikën Islamike ose në territoret e dominuara nga Hezbollahu: nga telefonat inteligjentë te televizorët dixhitalë, edhe në jetën e përditshme të liderëve më të kërkuar ka instrumenta që lënë gjurmë, dhe mbetet i famshëm kurthi ndaj Yahya Ayyash, eksperti i Hamasit për asgjësimin e bombave, i vrarë nga një pajisje e futur në celularin e tij.
Por elektronika ka një rol dytësor: mbetet jetike e ashtuquajtura Humint, shkurtimi për Human Intelligence (inteligjenca njerëzore), ose aftësia e agjentëve prej mishi dhe gjaku. Metodat e tyre nuk kanë ndryshuar dhe i referohen arketipave të profesionit të spiunit: shantazh, korrupsion, përfshirje në beteja për pushtet. Ata janë mjeshtra në shfrytëzimin e dobësive njerëzore, duke kapur çdo të metë të vogël në jetën e blinduar të udhëheqësve xhihadistë. Sipas thashethemeve që qarkullojnë në Liban, të martën Fuad Shukr u tradhtua nga një vizitë në mbrëmje tek e dashura e tij, e identifikuar nga Mossad në godinën popullore të Dahieh: apartamenti monitorohej natë e ditë, ndoshta nga një mercenar, ndoshta nga një sistem robotik. Eshtë e pamundur të gjesh konfirmim: kjo është një botë ku e vërteta është gjithmonë me dy apo tre fytyra.
E sigurt është metamorfoza e Mossad-it, i cili pas dy dështimeve të bujshme në realizimin e atentateve në Aman dhe Emirate, ka revolucionarizuar procedurat për të rindërtuar legjendën e pathyeshmërisë së lindur pas Mynihut 1972, me gjuetinë e përgjegjësve të sulmit në Lojrat Olimpike. Tabela e shahut mbi të cilën mund të demonstrohej kjo aftësi e rigjetur vdekjeprurëse ishte Irani, e vetmja fuqi që kërcënonte mbijetesën e shtetit hebre.
Gjatë dekadës së fundit, goditjet në vendin e ajatollahëve kanë qenë të shumta dhe befasuese. Aty ndodhi operacioni – i ngjashëm me filmin “Ocean’s 11” me George Clooney – që në vitin 2018 mundësoi zbardhjen e të gjitha kasafortave me të gjitha sekretet e programit bërthamor: përgatitja zgjati dy vjet ndërsa hyrja në kasafortën në periferi të Teheranit mori 6 orë e 29 minuta. Natyrisht, ishte dikush në bazë: një informator i aftë të tregonte se cila nga tridhjetë e dy arkat përmbante dokumentet më me peshë dhe të vepronte pa dështuar.
Më pas në vitin 2020 ekzekutimi i fizikanit Mohsen Fakhrizadeh, babai i projekteve për ndërtimin e bombës atomike iraniane: makina e tij e blinduar u godit nga një mitraloz i telekomanduar.
Autorët e këtyre inkursioneve nuk kanë emër. Megjithatë, një vëllim i shkruar nga Michael Bar-Zohar dhe Nissim Mishal pretendon se ato janë shpesh gra, të nënvlerësuara nga mizogjinia e regjimit. Dora që vendosi një bombë në makinën e një shkencëtari tjetër atomik, Majid Shahriarit, i cili u hodh në erë në vitin 2010, ka qenë femër dhe një inxhiniere ka patur rol vendimtar në bastisjen e kasafortës.
Nga ana tjetër, ish-kreu i Mossad, Tamir Pardo, ka pohuar gjithmonë se 007-të kanë një “përparësi gjinore” që rrjedh nga aftësia e tyre shumë më e zhvilluar për të kryer shumë detyra. Një mit që frymëzoi serialin e suksesshëm “Tehran”, kushtuar bëmave të një të infiltruari. Ka zëra për agjentë të tjerë të rekrutuar mes të rinjve të diasporës iraniane ose mes shiitëve nga Afganistani, Siria, Pakistani dhe ish-republikat sovjetike të Azisë. Eshtë zbuluar vetëm një emër: izraeliti Erez Shimony, i konsideruar si drejtor i operacioneve më të guximshme dhe që vdiq në maj të vitit 2022, kur u mbyt një varkë në liqenin Maggiore, pas një aktiviteti misterioz të kryer me kolegët italianë.
Që nga pranvera e vitit 2021, ky legjion në hije ka guxuar të pabesueshmen: jo vetëm të vrasë oficerë të lartë të Gardës Revolucionare në Iran, si koloneli Hassan Seyed Khodaee, por edhe t’i rrëmbejë dhe torturojë deri në marrjen e informacioneve top secret. Mansour Rasouly, për shembull, u regjistrua duke përshkruar përgatitjet për sulme në Turqi, Gjermani dhe Francë. Pastaj Yadollah Khedmati, foli për transferimin e raketave në Siri, Liban dhe Jemen, ishte rrëmbyer. Pas këtyre aksioneve, asgjë nuk dukej e pamundur për Mossad-in.
Një fushatë që detyroi Hossein Taeb, kreun e fuqishëm të inteligjencës Pasdaran, të jepte dorëheqjen, tronditja e fundit e një tërmeti në aparatin e sigurisë së Republikës Islamike, duke shkaktuar një klimë dyshimi. “Të gjithë liderët janë të arritshëm nga Mossad-i, edhe në shtëpi”, deklaroi ish-ministri i inteligjencës Ali Younesi: “Niveli i tyre i infiltrimit është i tmerrshëm”. Ali Nasr, përgjegjës për mbrojtjen e autoriteteve më të larta, u zëvendësua dhe që nga viti 2015 janë arrestuar disa figura kyçe të Gardës Revolucionare. Lista përfshin dhjetëra emra, të dërguar shpesh në trekëmbësh për “bashkëpunim me sionistët”, por në realitet viktima të përplasjeve mes fraksioneve brenda teokracisë. Një efekt anësor shumë i mirëpritur për Mossad-in, sepse ka kontribuar për përforcimin e legjendës së tij të zezë.
La Repubblica – Bota.al