Leonard Duka, i vetëquajtur “Princi Damian” është esktraduar sot nga Belgjika, pas shpalljes në kërkim si kreu i grupit kriminal që ka urdhëruar vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko dhe jo vetëm.

Leonard Duka mbërriti në Rinas i shoqëruar nga Forcat Speciale dhe Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ai ra në pranga një vit më parë, në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Por si nisi ‘karriera’ e “Princit Damian”, ortakëria dhe armiqësia me Ervis Martinajn?

Kreu i klanit “Duka” dhe Ervis Martinaj u bënë miq kur ish-bossi i lojërave të fatit ishte në majën e ‘suksesit’ të tij dhe pasuria e donimanca në treg sa vinte e rritej.

Ata u bënë ortakë në biznesin e lojërave të fatit dhe futën bashkë vlera të konsiderueshme parash në ngritjen e një kompanie bastes.

Por, kur në lojë u fut një shumë e majmë parash prej 800 mijë eurosh, ortakët u përçanë dhe nisën përplasjet.

Paratë ishin të Dukës, ndërsa Martinaj nuk pranonte t’ia kthente.

Përplasjet për këtë aktivitet përshkallëzuan dhe në eliminim të personave më të afërt të njëri-tjetrit.

Fillimisht Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. E filmoi dhe ia dërgoi ish-mikut të tij për t’i treguar se familjen nuk e kishte më të sigurtë.

Më pas, Duka nisi hakmarrjen.

Mbrëmjen e 27 gusht të vitit 2019 një skuadër e përbërë nga 7 persona monitoroi lëvizjet e Santiago Malkos, njeriut të besuar të Martinajn dhe e ekzekutuan atë.

Për të kryer krimin, siç është zbardhur edhe nga SPAK, ata kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës, i cili hapi zjarr në drejtim të Malkos.

Në dosjen e zbardhur edhe nga Gazeta Jonë renditen me radhë episode se si dyshja tentojnë të eliminojnë njëri-tjetrin përmes kurtheve nga më të ndryshmet.

Ervis Martinaj, ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur që nga data 9 gusht e vitit 2022 ka tentuar që të fusë në kurth Leonard Dukën, armikun e tij të përbetuar, përmes një vajze. Në dosjen thuhet se Ervis Martinaj ka gjetur një vajzë përmes djalit të tezes, Kristos Teta. Vajza në fjalë do të krijonte lidhje me Leonard Dukën dhe më pas do të informonte Martinajn për të gjitha lëvizjet e tij. Dhe ia ka dalë. Ajo ka lënë takim me Dukën, fillimisht ka konsumuar një kafe me të në bar “Oslo” dhe më pas, të dy kanë shkuar për darkë tek “Markata e Peshkut”, në Linzë.

Por, Duka, nga përgjimet, kupton gjithçka dhe nuk bie pre.

Megjithatë, të njëjtin ‘karrem’ mendon që të përdorë edhe ai dhe i dërgon dy vajza në Dhërmi, më 10 korrik të vitit 2020.

Duka njofton Fatmir Hysenin, ndërsa ky i fundit flet me një person që e quan “nipçe” dhe e dërgon për të verifikuar informacionin. Drianto Bardhi shkon gjithashtu me armë në Dhërmi dhe takohet me “nipçen” e Fatmir Hysenit. Por në atë moment nuk ndodh asgjë, pasi Martinaj u humbet.

Shënjestra e radhës ishte Erigers Mihasi

Ai u vra më 13 nëntor të vitit 2021 në Astir, teksa ishte duke lëvizur me makinë së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një makinë tjetër. Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani, ndërsa vrasja e dyfishtë ka mbetur ende e pazbardhur.

Më 23 dhjetor të vitit 2021, Martinajt iu vra një tjetër person. Can Kariçi u qëllua me një armë zjarri me silenciator brenda një makine me targa të huaja në Kodër Kamëz. 35-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe ka qenë i dënuar për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018. Kariçi ishte mik i ngushtë i Erigers Mihasit.

Zhdukja e Ulvi Skanës është një tjetër ngjarje e pazbardhur. Prej datës 17 maj 2022, i riu Ulvi Skana, 29 vjeç humbi gjurmët. Familjarët kanë bërë denoncimin në polici dhe ka nisur hetimi për rrëmbim, ndërsa në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt.

Në dosjen e siguruar nga Gazeta Jonë, rezulton se Duka ka folur me Martinajn për ditë me radhe, ndërkohë që plumbat vijonin të merrnin jetë njerëzish. Dyshja kanë zhvilluar biseda për çdo hesap të pambyllur që kishin dhe mosmarrëveshja e vërtetë rezulton që kanë qenë paratë.

Martinaj e thotë hapur se nuk e ka problem faktin që e ka vrarë Santiago Malkon, njeriun që kishte të besuar dhe madje i lë shteg që të veprojë po njësoj edhe me personat e tjerë, duke u shprehur se: Secili vepron sipas hesapit të tij, ndaj nuk ke pse stepesh për të vrarë askënd që ta ka bërë borxh.

Në vijim të bisedës, Leonard Duka shumë herë kërkon që të sqarohet me Ervis Martinajn dhe kërkon paratë që ka futur në punë me të. Çështja zvarritet, llogaritë dërgohen me foto, por nuk mbyllen kurrë! Kështu, armiqësia mes tyre ashpërsohet.

Vrasja që do ta pasonte këtë luftë ishte edhe atentati mafioz në mbikalimin e Fushë Krujës, më 17 korrik të 2022-shit, ku mbeti i vrarë kushëriri iErvis Martinaj, Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Nga breshëria e plumbave makina mori flakë. Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda mjetit.

Më 22 korrik 2022, një breshëri armësh u zbraz drejt makinës së biznesmenit Ylli Brahimi, në oborrin e banesës së këtij të fundit. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi, por ky i fundit i mbijetoi atentatit. Brahimi njihej gjithashtu si njeri i afërt i Martinajt.

Për dy vrasjet e fundit, autoritetet nuk janë të bindur për autorët, pasi Martinaj u kishte haour tashmë luftë shumë personave. Nuk ishin te vetmit që e donin të vrarë.

Por zinxhiri që nisi me ekzekutimin e Bujar Likës, mikut të tij të fëmijërisë u mbyll me vetë zhdukjen e tij. Më 9 gusht të vitit 2022, familjarët e Martinajt, duke mos marrë asnjë lajm prej tij, u drejtuan tek autoritetet të dëshpëruar për të kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

Deri më tani, kur po afrohen dy vite nga zhdukja më e mistërshme, nuk ka asnjë shenjë prej tij. Aludime të fort aka pasur, të dhëna, dëshmi e kontrolle.

Por, askush nuk diti të thotë se cila ishte kthesa e fundit që mori Martinaj.

Leonard Duka kishte lidhur tashmë aleancë dhe me Durim Bamin, një person me precedent penalë dhe objekti i dy grupeve kriminale të drejtuara nga Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Ata i kishte bashkuar armiku i përbashkët dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bën me dije se Bami e Duka kishin planifikuar eliminimin e Martinajt dhe të ish-deputetit Arben Ndoka. Por, nuk dihet nëse këtë gjë e kanë realizuar.

Jeta mes showbizzit dhe krimit

Leonard Duka u bë për pak kohë dhe pjesë e botës së showbizit, me lidhjen që krijoi me Trejsi Sejdinin, e cila u shpall “Miss Universe” në vitin 2018.

Emri i modeles ka dalë dhe në dosjen e SPAK, në mometin që Duka i lë porosi një prej ushtarëve të tij, Drianto Bardhit që t’i nisë 500$ Trejsi Sejdinit, e cila ndodhej në NeëYork. Paratë, sipas dosjes janë dërguar në emër të Drianto Bardhit dhe i ka pritur miku i modeles, fotografi Klevin Halili.

Në dosje zbardhet gjithashtu dhe një udhëtim që Trejsi Sejdini ka bërë me Leonard Dukën me të cilin ka kaluar në pikën e kalimit kufitar Morinë, më 10 shkurt të vitit 2019.

Tashmë Duka pritet t’i bashkohet në qeli Ilir Selmanit dhe Blendi Tetës, të dy të dënuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Selmani ka zbërthyer edhe përpara autoriteteve përplasjen mes vëllezërve Duka, Leonard dhe Erlis Duka dhe Ervis Martinajt, duke konfirmuar bisedat e zbardhura në dosje.

Sipas Selmanit, vëllezërit Duka që i ka konsideruar miq të ngushtë, kanë patur kompani të përbashkët llotosh me Martinajn, por që ky i fundit ka tentuar tu marrë biznesin.

Ai ka hedhur edhe akuza mbi oficerët e Policisë së Shtetit, për të cilët pretendon se janë paguar rreth 500 mijë euro për të penguar hetimin dhe për të manipuluar provat.

Këtu ka pasur dhe një përplasje dëshmish!

Selmani ka pretenduar se ai po gjykohet bazuar vetëm në deklarimet e Blendi Tetës, që ndodhet gjithashtu pas hekurave për të njëjtin krim, por ka shtuar se vetë Teta i ka rrëfyer se është marrë peng e është dhunuar nga grupi i Martinajt të cilët gjithashtu e kanë kërcënuar se do ta murosin nëse nuk do të fliste.

Tashmë pritet përballja e tyre në gjykatë dhe rrëfimi i vetë Leonard Dukës!