Farmacitë në Shqipëri po përballen me një kërcënim të afërt nga konkurrenca e pandershme nga rrjetet e mëdha farmaceutike, duke rrezikuar bizneset e pavarura dhe shërbimet ndaj pacientëve. Gjatë bulevardit Bajram Curri në Tiranë, farmacistja me përvojë Erblina Bozdo dhe fillestari Erjon F. luftojnë për të mbajtur operacionet e tyre, ndërsa përballen me rënie të të ardhurave dhe çmime më të ulëta nga zinxhiret e farmacive. Pavarësisht kuadrit ligjor të krijuar për të siguruar konkurrencë të ndershme, shkeljet dhe praktikat monopolistike janë të përhapura, duke rrezikuar cilësinë e kujdesit farmaceutik. Ekspertët dhe profesionistët bëjnë thirrje për zbatimin më të rreptë të ligjeve dhe reforma legjislative për të mbrojtur integritetin e sektorit.

Përgjatë bulevardit Bajram Curri në Tiranë, pranë pallatit me shigjeta, në pragun e një farmacie një grup i vogël të moshuarish presin radhën për të matur tensionin dhe nivelin e diabetit.

Prej dhjetë vjetësh farmacistja, Erblina Bozdo, shërbimet e kësaj natyre për banorët e kësaj zone i ofron paralelisht me shitjen e medikamenteve. Ndërsa i jep udhëzimet e nevojshme një zonje të moshuar, ajo shpjegon se, së fundmi biznesi i saj është përballur me një vështirësi të re dhe të rëndësishme.

Shqetësimi, që ajo dhe shumë kolegë të saj ndajnë, lidhet me “luftën e fshehtë”, që ka nisur muajt e fundit mes farmacive të pavarura dhe rrjeteve të mëdha, farmaceutike.

Sipas Erblinës, të ardhurat mujore kanë rënë ndjeshëm, duke vënë në rrezik vazhdimësinë e biznesit të saj.

“Çdo ditë ndeshem me ankesa të pacientëve për çmimet e barnave. Ata më thonë me bindje se të njëjtin ilaç e kanë blerë diku tjetër me 200-300 lekë më lirë. Çmimet e përcaktuara në pullën fiskale nuk mund të jenë më të ulëta se çmimi i përcaktuar, dysheme”, – shprehet e shqetësuar farmacistja, Bozdo.

Farmacistja, Bozdo, shton se kjo dukuri është përhapur me shpejtësi dhe po aplikohet nga shumë njësi të shërbimit farmaceutik.

Njësi farmaceutike në Tiranë

Pak metra më tutje, mes pallateve të ndërtuara para viteve ’90, ndodhet një tjetër farmaci.

Erjon F., me përvojë disavjeçare në këtë fushë, vendosi që të hapë farmacinë e tij një vit më parë, për të punuar në pavarësi. Ai thotë se po rrezikon falimentimin për shkak të kësaj konkurrence të padrejtë.

“Jam informuar nga pacientët dhe kam shkuar vetë te këto farmaci 24-orëshe. E kam blerë barin më lirë se çmimi i përshkruar në ambalazh dhe pa recetë. Kjo situatë na detyron që t`i mbyllim dyqanet dhe të qëndrojmë në shtëpi, pasi nuk arrijmë që t`i paguajmë detyrimet mujore me fitimin që nxjerrim”, – shprehet i shqetësuar Erjoni, një farmacist i ri nga kryeqyteti.

Ai shton se, për ta hapur këtë aktivitet, përveç kursimeve të familjes, ka marrë një kredi prej rreth 50 mijë eurosh. Ka pasur muaj, kur fitimi nga farmacia nuk ka qenë i mjaftueshëm për të shlyer as këstin e kredisë. “E gjithë kjo sakrificë duket se po shkon dëm, – thotë ai. – Nuk e di sa gjatë do të mund ta mbaj hapur farmacinë në këto kushte.”

“Nuk po flasim për tregtimin e produkteve kozmetike, vitaminave, suplementeve apo produkteve për bebe. Ata po shesin çdo produkt nën kosto. Nuk është vetëm për shërbimin para-farmaceutik, por edhe barnat me pullën fiskale po shiten nën kosto. Kjo është si t’i vësh kyçin farmacisë”, – shprehet i nervozuar i riu nga Tirana, që ushtron detyrën e farmacistit.

Në lidhje me këtë shqetësim që ngre, jo vetëm një farmaci e vetme, ligji parashikon që tregtimi i barnave në Shqipëri duhet të kryhet në përputhje me rregullat në fuqi. Konkretisht, Ligji Nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” parashikon qartë mënyrën dhe rregullat e tregtimit të barnave. Ky ligj synon që të sigurojë cilësinë, sigurinë dhe efektivitetin e barnave, duke përcaktuar standardet e duhura për prodhimin, për importin, për shpërndarjen dhe për shitjen e tyre.

Ligji ndalon shitjen e barnave nën kosto dhe përcakton çmimet dysheme, të cilat duhet të respektohen nga të gjitha njësitë farmaceutike. Kjo është bërë për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe për të mbrojtur interesat e pacientëve dhe të farmacive të pavarura.

“Tregtimi me pakicë i barit kryhet nga farmacitë dhe nga agjencitë farmaceutike vetëm në referim të paketimit të tij, të jashtëm.”, – thuhet në nenin 39, pika (një) të këtij ligji.

Shkelja e këtyre rregullave mund të çojë në masa ndëshkimore dhe gjoba për ata që nuk i respektojnë.

Farmaci në Kryeqytet,

Juristi, Sevin Serjani, duke komentuar Ligjin Nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, thotë se lipset nevoja për një ligj më të mirorganizuar në termat e tregut të lirë dhe të ndershëm.

“Problemi nuk është vetëm te ligji, por te zbatimi i tij në çdo pikë të tij, çka e bën atë në vetvete më të plotë në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Europian”, – shprehet eksperti ligjor.

Në lidhje me përputhshmërinë e këtij ligji me direktivat e Bashkimit Europian mbi shërbimin farmaceutik dhe barnat në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale thotë se përputhshmëria është e pjesshme.

Ndërsa L. Gj., përfaqësues i një kompanie farmaceutike, thotë se hapësirat për abuzime janë të shumta dhe thekson se përgjegjësia është individuale. Sipas tij, rastet e shkeljes së ligjit janë të panumërta dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Ai shton se, farmacitë, duke qenë shumë pranë njëra-tjetrës dhe së fundmi farmacitë e hapura nga depot, kanë mundësi dhe lehtësira më të mëdha për tregtimin e barit, çka e përkeqëson më tej situatën.

“Ky ligj përjashton farmacistët e ndershëm nga tregu. Rregullorja e fitimit parashikon që 40% të shkojë te distributori dhe 20% te farmacia, duke i dhënë mundësi farmacive për të pasur një marzh fitimi, që siguron mbijetesën, pa nevojë për praktika të dyshimta”, – shprehet përfaqësuesi i kompanisë farmaceutike lidhur me problematikën aktuale të tregut.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, duke komentuar ligjin në fuqi, ngul këmbë në rikthimin e kriterit distancë për hapjen e një farmacie.

“Ky kriter duhet të rikthehet, edhe pse mund t`i penalizojë disa biznese të tilla! Më parë në ligj kërkohej që në varësi të zonës, nisur edhe nga numri i popullatës, duke bërë llogaritjen e një farmacie, për banorët ku ndodhej subjekti, distanca të ishte nga 100 në 150 metra.”

Por, nëse i kthehemi përsëri Ligjit Nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, neni 63 për kundërvajtjet administrative, pika (një) parashikon edhe penalitetet për shkelësit e kësaj pike.

“Tregtimi me pakicë i barnave në kundërshtim me parashikimet e nenit 39, pika 1, të këtij ligji, dënohet me gjobë prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekësh dhe në rast përsëritjeje, me gjobë prej 100.000 (njëqind mijë) lekësh”.

Sipas mjekes dhe ish-deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, Albina Dedës, ndryshimet në ligjin shqiptar të barnave dhe të shërbimit farmaceutik i kanë dhënë mundësi dhe të drejtë legjitime depove farmaceutike në vendin tonë që t`i hapin vetë farmacitë e tyre dhe madje që të krijojnë edhe rrjete farmacish. Ajo shpreh shqetësimin se, nëse do t`i krahasonim praktikat e vendeve të rajonit, në Itali, në Slloveni, në Kroaci apo edhe në Maqedoninë e Veriut, ligji i ndalon depot farmaceutike që të hapin farmaci.

“Ligji i barnave në Shqipëri është ndryshuar vetëm për interesa klienteliste”, – shprehet zonja Deda.

Për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodh në tregun e barnave në Shqipëri, numrin e shkeljeve dhe masave administrative, INA Media kërkoi informacion pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe të Pajisjeve Mjekësore dhe mori këtë përgjigje:

“Janë marrë masa administrative, bazuar në Nenin 63 të Ligjit 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Është evidentuar tregtimi i barnave në farmaci nga persona pa arsimin përkatës, tregtimi i barnave në farmaci pa recetën e mjekut dhe tregtimi i barnave pa pullën e kontrollit, të lëshuar nga Agjencia”.

Një tjetër shqetësim, që ngrenë ekspertët dhe farmacistët, lidhet me numrin e lartë të subjekteve farmaceutike, që shpesh sjellin probleme dhe nxisin një konkurrencë të pandershme.

“Zinxhiri i farmacive ka krijuar vendet e tij dhe ka klientelën e vet, së cilës i shërben. Në këtë situatë ai favorizon farmacitë e veta në krahasim me të tjerat. Ka raste, kur disa farmaci ofrojnë produkte me zbritje 30-20%, ndërsa të tjerat, vetëm 10%”, – shprehet farmacisti, Erjon F.

Sipas të dhënave, që disponon Qendra Kombëtare e Biznesit, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të subjekteve farmaceutike. Në vitin 2014 në Shqipëri rezultonin të regjistruara 1.575 farmaci, ndërsa deri në maj të vitit 2024 numri gati dyfishohet në 2.917. Së fundmi, ndesh një mori farmacish nën të njëjtën logo, të cilat shtrihen edhe fare pranë farmacive të tjera të rrjetit të hapur. Sipas ekspertit L. GJ., këto subjekte nuk e shtojnë shërbimin ndaj pacientëve, pasi nuk hapen në zona ku mungon ky shërbim.

“Këto farmaci në të shumtën e rasteve janë të pronarëve, të cilët janë njëkohësisht, edhe importues, edhe shpërndarës. Jemi drejt monopolizimit, pasi zinxhiri: prodhim, import, tregti me shumicë, shpërndarje me pakicë në farmaci është duke u përqendruar në një dorë”.

Legjislacioni farmaceutik përbën kornizën ligjore, që përfshin të gjitha rregullat, që e udhëheqin këtë sektor. Pasi konsiderohet si pjesa më e rëndësishme e sistemit shëndetësor në një vend, ligji “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, sipas juristit, Sevin Serjani, ka pësuar ndërhyrje dhe rregullime të shpeshta, për të siguruar një shërbim sa më cilësor.

“Ka diçka interesante në këtë ligj, që është burim i korrupsionit. Ndryshe nga ligji i mëparshëm, ku anëtarët e Komisionit të Çmimit të Barnave ishin përfaqësues të disa ministrive, tashmë janë vetëm të ministrisë së linjës”, – komenton mangësitë ligjore juristi, Serjani.

Pavarësisht hapësirave dhe mangësive ligjore, liberalizimi i farmacive e ka kthyer situatën në problem, duke hequr kufijtë për numrin e tyre, si për dendësinë e banorëve, ashtu edhe për distancën fizike. Kjo ka sjellë një konkurrencë të ashpër për mbijetesë midis farmacive dhe ekspertët pohojnë se kjo konkurrencë e shtuar ka çuar në një rënie të cilësisë së shërbimit. Për të mbijetuar farmacitë janë detyruar që të ulin çmimet për të tërhequr klientë, duke u fokusuar më shumë në aspektin e tregtimit sesa në sigurimin e kujdesit cilësor, shëndetësor për pacientët.

Albina Deda shpreh shqetësimin e saj: “Në Shqipëri ka raste të shumta abuzimi me çmimet për shkak të mungesës së mekanizmave efektivë të kontrollit! Tregu i produkteve farmaceutike është sot ndoshta më problematik në krahasim me rregullimin dhe konkurrencën në vendet e zhvilluara, ku çmimet dhe cilësia shpesh janë në konflikt të hapur”.

Nga ana tjetër, mbi këtë shqetësim të krijuar nga tregun farmaceutik, shqiptar edhe Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë kryen mbikëqyrje në subjektet farmaceutike, por vetëm për sa i përket aspektit të zbatimit të detyrave profesionale të farmacistëve në përputhje me shkencat farmaceutike, ligjin dhe Kodin Etik, Deontologjik.

“Urdhri i Farmacistëve nuk disponon informacion në mënyrë zyrtare në lidhje me tregtimin e barnave nën çmimin e përcaktuar”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të institucionit, që jep dhe heq të drejtën e ushtrimit të profesionit të farmacistit.

Diana Toma, ish-Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, pohon se ka një rënie të ndjeshme të cilësisë së shërbimit në këto farmaci dhe ky është një problem shqetësues.

“Detyra e farmacistit është që të udhëzojë dhe që të kontrollojë recetën e mjekut, nëse është e saktë apo jo. Të shpjegojë më qartë përdorimin e barit dhe efektet anësore, që mund të shkaktojë”, – shprehet zonja Toma.

Dy institucionet, që monitorojnë dhe që ruajnë të dhënat mbi këtë sektor të rëndësishëm, janë Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë. Të dhënat, që vendosin në dispozicion për INA Median, kanë mospërputhje të lartë me njëra-tjetrën.

“Numri i përgjithshëm i farmacive me status aktiv është 2.917. Në qarkun e Tiranës janë 1.256 farmaci”, – referon Qendra Kombëtare e Biznesit, institucioni përgjegjës për licencimin e subjekteve farmaceutike.

Institucioni, që i licencon këto subjekte, që posedon të dhëna të përgjithshme, shifra më të detajuara, është Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë.

“Pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë figurojnë 3.190 farmacistë aktivë (që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë). Nga këta, 1.758 farmacistë ushtrojnë funksionin e drejtuesit teknik”.

Nëse i referohemi përsëri ligjit Nr. 105/2014, neni 40, pika (ç) parashikon: Drejtuesi teknik i farmacisë e ushtron këtë detyrë vetëm për një farmaci. Nga këto të dhëna kuptojmë që vetëm në rajonin e Tiranës rezultojnë të jenë 744 drejtues teknikë, aktivë në farmaci autonome. Praktikisht, 744 njësi shërbimi – farmaci.

Sipas analizës së ekspertëve të fushës, nëse numrit të përgjithshëm 1.758, i zbresim 744 drejtues teknikë në farmaci autonome, 101 drejtues teknikë në kompani prodhuese dhe eksportuese dhe 905 të punësuar në farmaci spitalore, në përfaqësi farmaceutike, në prodhues dhe në shpërndarës, mbeten 8 drejtues teknikë, që nuk janë çregjistruar për shkaqe të ndryshme. Deri këtu matematika është e thjeshtë, edhe pse të dhënat duken komplekse.

Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë të të dhënave të siguruara nga institucionet shtetërore, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, rezultojnë të jenë të paligjshme ose të palicencuara 494 farmaci vetëm në rajonin e Tiranës.

Barna në ekspozitorin e një farmacie në Tiranë

Nga të dhënat e mësipërme dalin në pah edhe fakte të tjera, shqetësuese për sa i takon shërbimit të ofruar nga këto subjekte farmaceutike. Nëse numri i të punësuarve në këto farmaci rezulton të jetë 905 dhe numri i farmacive është 744, raporti midis farmacistëve dhe farmacive në Tiranë është afërsisht 1.22 farmacistë për çdo farmaci. ​

“Pyetja më e rëndësishme është: Kush ofron shërbim në këto farmaci dhe çfarë niveli arrin shërbimi?”, – përfundon Diana Toma.

Shtimi i numrit të tyre shpeshherë shoqërohet edhe me konkurrencë të egër dhe shërbim më pak cilësor. Sipas ekspertëve, dëshira për të fituar sa më shumë klientë dhe për të siguruar të ardhura ka shkelur çdo kod etik dhe moral. Në rastet kur çmimi dysheme i barnave është përcaktuar me ligj dhe ky bar shitet nën koston e përcaktuar, duke e tregtuar barin pa recetë, pa pullë, me qëllim përfitimin te produktet e kozmetikës, atëherë farmacia e humbet misionin e saj dhe kthehet në një biznes të rëndomtë.

“Një klienti i bën ulje të bari, ndërsa një pacienti i ofron shërbimin. Kjo është diferenca. Klienti merr skonto te pampersi, ndërsa pacienti merr shërbimin dhe i thuhet që ky antibiotik duhet marrë në këtë formë”, – përfundon eksperti L. GJ., duke sugjeruar ndarjen e sektorëve farmaci dhe para-farmaci.

Eksperti shkon më tej dhe thotë se, farmacistit i duhet më shumë kohë që t`i mbushë mendjen për të marrë këtë bar apo suplement, se sa për t`i shpjeguar mënyrën e përdorimit.

“Shumica e rrjeteve farmaceutike janë krijuar nga vetë distributorët dhe nga depot farmaceutike dhe kanë si qëllim që të tërheqin klientelën pranë banakëve të tyre. Po synohet monopolizimi. Kjo arrihet duke manovruar te çmimi i barit dhe duke përfituar edhe shitjen e produkteve të tjera të para-farmaceutikës, ku fitimet janë dy apo trefish më të mëdha”, – përfundon eksperti L. Gj.

Nga ana tjetër, mjekja Albina Deda, duke i mëshuar numrit në rritje të rasteve të abuzimit me çmimin apo të tregtimit pa recetë dhe pa kriter të barnave dhe të antibiotikëve, thotë se duhet shtuar kontrolli edhe ndaj punës së farmacistit, pasi roli i tij është pika më e fortë e një subjekti, që tregton barna me pakicë.

“Farmacia është kthyer në biznes shumë fitimprurës, duke u larguar shumë nga misioni i saj. Pacientin farmacisti ka filluar ta shohë si klient e jo si pacient! Duhet kuptuar që farmacisti nuk është një shitës i thjeshtë në një market”, – thekson Albina Deda.

/INA MEDIA