Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e pikave të shkëmbimit valutor nga gjeorgjianët. Një nga nga autorët që mashtruan pronarin e një pikë këmbimi valutor në Shkodër, të cilit edhe i morën 140 mijë euro u arrestua sot në Turqi. Por si arrinin grabitësit të mashtronin punonjësit?

Mësohet se tre të dyshuarit kërkonin prerje prej 500 euro në exchange. Pas marrjes së parave, ata i numëronin, i mbyllnin në një zarf dhe i fshihnin në çantën e tyre. Kur pronari i dyqanit këmbëngulte për verifikimin e parave, ata i jepnin një zarf tjetër që përmbante një tufë ku në fillim dhe fund ndodhej nga një kartmonedhë e vërtetë.

Në fillim dhe në fund të zarfit, ndodhej një prerje prej 500 euro, ndërsa pjesa tjetër e zarfit ishte e mbushur me prerje gazete të një madhësie dhe forme të ngjashme me paratë e vërteta. Kjo krijonte një iluzion që zarfet ishin të njëjta, dhe punonjësi i exchange mund të mendonte se ishte e njëjta shumë parash.

E njëjta skemë u përdor disa ditë më parë në një “exchange” në Shkodër, ku u vodhën 140 000 euro. Pasi kanë kërkuar shumë e parave në euro, personi në këtë pikë shërbimesh i ka bërë gati eurot të ndara në dy zarfe duke qëndruar në pritje që dy të huajt t’i sillnin lekët.

Përpara se të largoheshin dy shtetasit e prezantuar si ukrainas mësohet se kanë ndërruar zarfet duke marrë ato me euro dhe duke lënë dy zarfe të mbushura, por pa euro brenda. Para kësaj, një incident i ngjashëm ka ndodhur në zonën e “Pazarit të Ri” në Tiranë dhe një tjetër në Elbasan.