Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha të martën se po shqyrton një hua të garantuar nga shteti deri në 81.5 milionë euro për të ndihmuar operatorin shtetëror shqiptar të shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE të rifinancojë dhe zgjasë overdraftet emergjente.
Të ardhurat e kredisë do të përdoren për të rifinancuar dhe zgjatur afatet e borxheve afatshkurtra, të garantuara nga shteti, që OSHEE mori nga bankat e nivelit të dytë në mënyrë emergjente për financimin e importeve të energjisë elektrike gjatë krizës energjetike, tha BERZH në një dokument përmbledhës të projektit.
Në vitin 2021 OSHEE e mbylli bilancin e vjetor me një humbje prej mbi 150 milionë eurosh. Një vit më vonë kompania raportoi fitim 19 milionë euro, ndërsa rezultatet e vitit të kaluar ende nuk janë bërë publike.
Pavarësisht se tashmë nuk ka më detyrimin për të siguruar energjinë elektrike nga importi, OSHEE vazhdon të mbetet në krizë financiare për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit të madh që shpërdoron të ardhurat e kompanisë në tendera abuzivë. Rënia financiare e OSHEE-së është prakitkisht vula e dështimit të reformës energjetike.
Investimi i BERZH-it do të kushtëzohet nga një plan të rënë dakord për një program reformash korporative, i cili do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin, menaxhimin dhe efikasitetin operacional të OSHEE-së, tha huadhënësi.
Nëpërmjet filialeve të saj, OSHEE menaxhon dhe operon rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri dhe infrastrukturën përkatëse, si dhe furnizon me energji elektrike klientët e rregulluar.