Policia e Fierit ka arrestuar dy të rinj, të cilët akuzohen se kanë mashtruar, dhunuar dhe grabitur një refugjat ilegal nga Pakistani. Në pranga janë vënë shtetasi N. S., 21 vjeç, banues në Mallakastër dhe E. Ç., 26 vjeç, banues në Fier.

Sipas autoriteteve policore, dy të rinjtë dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, një refugjat nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi.

Më pas ata e kanë dhunuar pakistanezin, duke i marrë eurot që kishte me vete dhe e zbritën në rrugë në Fier.

Refugjati ilegal është paraqitur në spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore dhe pas njoftimit të Policisë është bërë kapja e dy të rinjëve.

Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale eurot që dy të rinjtë i morën me dhunë pakistanezit, dy celularë dhe automjeti me të cilin lëviznin dy të arrestuarit.