Ky në foto më lart është Erjon Goxharaj, punonjës policie, i cili dyshohet si autor i plagosjes me armë zjarri të 45-vjecarit, Lorenc Kosta në zonën e Komunës së Parisit.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se Goxharaj qëlloi mbi Kostën, për shkak se ky i fundit i kishte ngacmuar partneren e tij. Pasi qëlloi disa plumba mbi 45-vjecarin, me armën e shërbimit, Goxharaj u largua nga vendi i ngjarjes. “Po punojmë për të lokalizuar dhe kapur autorin. Mundësia më e madhe është të jetë qëlluar me armën e shërbimit. Por po zhvillojmë hetime”, tha Tonin Vocaj, drejtor i Policisë së Tiranës, pas ngjarjes. Sipas Vocaj, autori i dyshuar e ka qëlluar 45-vjecarin në pjesën e poshtme të trupit, që tregon se nuk ka dashje për ta vrarë.

“Akt-ekspertiza do tregojë gjithçka”, theksoi Vocaj. Kryepolici i Tiranës i bëri thirrje Goxharajt të dorëzohej, ndërsa theksoi se i plagosuri është jashtë rreziku për jetën. Në vija të përgjithshme, kjo është ngjarja e radhës që tronditi Tiranës, pasi për minuta të tëra të plagosurit iu dha ndihmë nga kalimtarë të rastit, në një kohë që ai ishte i mbuluar nga gjaku. Hetimet për rastin janë duke vijuar, e në orët në vijim padiskutim do të dalin në dritë detaje të reja. Por detaji me tronditës në këtë ngjarje, është se autori i dyshuar është punonjës policie e ka shkrepur armën e shërbimit mbi një qytetar.

Erjon Goxharaj, është efektivi i radhës që vihet nën akuzë për plagosje. Më herët punonjës policie janë përballur me drejtësinë për vrasje apo krime të tjera të rënda.

Rasti më tragjik është ai i vrasjes së Klodian Rashës në Laprakë, më mëngjesin e 8 dhjetorit 2020. I riu, kishte dalë nga shtëpia, në thyerje të orarit të karantinës së vendosur për shkak të koronavirusit, kur u pikas nga një patrullë policie. Efektivet e ndoqën nga pas dhe e qëlluan për vdekje me plumba pas shpine. Efektivi që qëlloi mbi 25-vjecarin u identifikua si Nelavdo Hajdaraj. Policia tentoi me cdo kusht ta manipulonte vrasjen e Klodian Rashës, duke theksuar se ai mbante në duar një send në dukje si armë e për këtë shkak u qëllua nga policia për vetëmbrojtje. Në atë kohë u pretendua se afër vendit të ngjarjet u gjet një armë zjarri, që është sot nuk u zbardh se kush e hodhi dhe kush ishte i interesuar që krimi që tronditi vendin të manipulohej. E vërteta është që Rasha u qëllua pas shpine, pa asnjë faj. Autori Nevaldo Hajdaraj është dënuar dhe ndodhet në qelitë e burgut, edhe pse ndëshkimi nuk ishte ai që pritej e ka ngjallur pakënaqësi. Por ata që tentuan fshehjen e së vërtetës ende nuk kanë marrë një ndëshkim.

Në atë kohë vrasja e Klodian Rashës u pasua me protesta të dhunshme, cka cuan në largimin e ministrit të Brendshëm të kohës, Sandër Lleshaj.

Arjan Tase, është një tjetër zyrtar policie, që u përfshi në një ngjarje të rënda. Teksa lundronte me një gomone me familjen e tij në Potam të Himarës, ai aksidentoi me vdekje Jonada Avdinë. Tase sipas prokurorisë lundronte jashtë koridorit të lundrimit dhe për këtë arsye është dënuar me 18 vite burgim (do vuajë 12 për shkak të gjykimit të shkurtuar) për akuzën e  vrasjes me dashje. 7-vjecarja kishte ardhur nga Britania e Madhe bashkë me prindërit për pushimet verore dhe për të takuar gjyshërit, por humbi jetën ditën e parë që doli në plazhin e Potamit.

Këto janë disa nga rastet, më të rënda që janë shënuar vitet e fundit, kuy efektivë të policisë janë përfshirë në krime të rënda. Sigurisht ndër vite lista është e gjatë, cka dëshmon se shpesh në radhët e policisë rekrutohen efektivë të cilët nuk janë të trajnuar sa duhet për të përballuar presionin. Apo në raste më të rënda, kur abuzojnë haptazi me detyrën dhe nxjerrin nga brezi koburen duke qëlluar në drejtim të kujtdo që i del përpara.