Rreth 5 vjet pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, Bashkia e Tiranës ka vendosur të shkatërrojë shumë godina e banesa të tjera private në Kombinat, në kuadër të atij që e konsideron si “Plan i Detyrueshëm Vendor”.
Në zbatim të këtij Plani, Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj ka shpallur tenderin me objekt “Ndërtimi i Infrastrukturës Publike…”, me fond limit 480 milionë lekë të reja ose afërsisht 5 milionë euro, së bashku me TVSH.
Projekti synon të ndërtojë ose të përmirësojë infrastrukturën rrugore, e cila lidh hapësirën sub-urbane të Kombinatit, ku janë ndërtuar pallatet e reja në kuadër të Rindërtimit, me pjesën tjetër të zonës.
Tashmë këto rrugë janë të domosdoshme, pasi pallatet e reja po ndërtohen dhe banorët që do t’i popullojnë do të kenë nevojë imediate për qarkullim.
Por, nga ana tjetër, ky Plan i Detyrueshëm Vendor, më saktësisht tenderi për ndërtimin e rrugëve të reja, zbulon zyrtarisht një tjetër “plan” që Veliaj duket se e ka pasur në mendje që në ditët e para pas tërmetit tragjik; largimin e banorëve, të cilëve iu dëmtuan banesat, lirimin e truallit ku dikur ishin pallatet e dëmtuar dhe vendosjen e kësaj hapësire në funksion të bosëve të biznesit të ndërtimit.
Nuk është pak. Bëhet fjalë për mijëra metra katror truall të lirë, në qendër të Kombinatit, të cilën Bashkia e liroi me fadroma, në kuadër të “emergjencës pas-tërmetit”.
Në dokumentat e tenderit të shpallur së fundmi, thuhet se “sipas Planit të detyrëshëm Vendor Kombinat, e gjithë qendra e Kombinatit do të kthehet në një zone elitare banimi, në të cilën qarkullimi automobilitik do të bëhet nëpërmjet një unaze të re që do të ndërtohet, rrugëve të brendshme dhe do të krijohen gjithashtu disa zona të reja zhvillimore…”.
Dokumentat nuk e përmendin se kush do të ndërtojë këtë “zonë elitare” në qendër të Kombinatit
Për të kuptuar më së miri atë që banorët e Kombinatit e quajnë “lojë” të Veliajt për të favorizuar biznesin e ndërtimit, duhet të kthejmë pak prapa në kohë.
Si u lirua trualli
Gjatë katër viteve të fundit, qindra banorë të Kombinatit kanë akuzuar shpesh kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se i shndërroi pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntorit 2019 në një mundësi të artë për t’i shërbyer klientelës së tij të ndërtimit.
Mëngjesin tragjik të atij nëntori 2019, dhjetra pallate në periferinë perëndimore të kryeqytetit pësuan dëmtime të përmasave të ndryshme. Disa prej tyre u shkatërruan keqas, ndërsa pjesa më e madhe kishin nevojë për riparime përforcuese.
Në momentet e para, qytetarët me të drejtë u përfshinë nga paniku dhe çdo plasaritje muresh i bënte ata të ndiheshin të pasigurt për të qëndruar në banesa.
Këtë panik të qytetarëve duket se e shfrytëzuan drejtuesit në Bashkinë e Tiranës, të cilët hartuan me urgjencë një plan të gjerë shkatërrimesh masive.
Pjesa më e goditur nga fadromat bashkiake ishte qendra e Kombinatit, në të cilën u krijua një truall i lirë në një sipërfaqe prej qindra mijëra metra katrorë. Banorët e dëmtuar pritën që Bashkia dhe qeveria të realizonin procesin e Rindërtimit në atë hapësirë që u lirua nga godinat e prishura me vendim të Këshillit Bashkiak.
Por, plani i Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte tjetërkund. Fillimisht, u kërkoi banorëve, diku me presion e diku me joshje, që të nënshkruan deklaratë, nga e cila hiqnin dorë nga pronësia e apartamenteve, të cilat u prishën. Në këtë mënyrë, sipas Bashkisë, ata do të përfitonin apartament të ri pas Rindërtimit.
Për ata që rezistuan të nënshkruan një kontratë të tillë dhe tentuan të mbanin pronësinë në zonën, ku më parë gjendej godina dhe apartamenti i tyre, zyrtarët lokalë përdorën “presionin”, duke u thënë “nën zë” se nuk do të përfitonin apartament të ri.
U vendos që pallatet e reja, në të cilat do të strehoheshin familjet e mbetura pa një çati mbi kokë, do të ndërtoheshin në një sub-periferi të Kombinatit, larg zonën së banuar, pa infrastrukturë rrugorë dhe aspak funksionale.
Ky ishte momenti kur qytetarët e Kombinatit e kuptuan se ata nuk do të ktheheshin më në zonën, ku kishin banuar për disa breza, por do të zhvendoseshin në “shtëpitë popullore” të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës.
Ky ishte gjithashtu edhe momenti i parë, kur u kuptua se Bashkisë së Tiranës tashmë i kishte ardhur një vezë e artë në dorë-ishte krijuar një hapësirë gjigande, e cila mund të shfrytëzohej më së miri nga kompanitë private të ndërtimit.
Bashkia e Veliajt nuk e ka pranuar asnjëherë me zërin e qartë se çfarë do të bëhej me hapësirën e lirë të krijuar në Kombinat. Ata pak që besonin se e gjithë ajo zonë do të shndërrohej në lulishte dhe park për fëmijët, u zhgënjyen shumë shpejt.
Tashmë, kur kanë kaluar 5 vjet nga tërmeti tragjik, mijëra banorë u larguan nga zona, ku jetonin prej shumë vitesh, për t’i hapur rrugë bumit të shumëkatëshave privatë.
Më në fund, këtë e pranon edhe Bashkia e Tiranës.
“Do të prishen shumë objekte ekzistuese”
Plani për infrastrukturën e detyrueshme rrugore në Kombinat do të “shoqërohet me prishjen e shumë objekteve ekzistuese”, siç citohet në dokumentat e Bashkisë së Tiranës. Këto objekte janë godina private ose shtëpi banimi.
Plani parashikon 4 blloqe ndërhyrjeje.
Blloku i parë është aksi që pritet të lidh rrugët “Thimi Krej”-“Shaban Bardhoshi”-Rruga e Qelqit”
Infrastruktura e re rrugore e ka pikënisjen në rrugën “Thimi Krej”, pikërisht aty ku po ndërtohen godinat e reja për të pastrehët e tërmetit.
Siç duket nga pamjet, për momentin, rruga ka vetëm emër, por ajo nuk ekziston, pasi është rrethuar nga kantieri i ndërtimit. Megjithatë, Plani Vendor parashikon që këto godina të lidhen me “Rrugën e Qelqit”, nëpërmjet një aksi tjetër, i quajtur “Shaban Bardhoshi”.
Gjurma e rrugës pritet të kalojë pak a shumë në zonën e fotografuar më poshtë, nga ku dallohet qartë se aksi rrugor është i pamjaftueshëm për qarkullim normal.
Pak a shumë, në këtë pikë pritet të nisin “prishjet e detyruara” të Bashkisë së Tiranës.
Edhe në skajin tjetër të këtij aksi rrugor, pra në fund të “Rrugës së Qelqit”, duket qartë në fotot e shkrepura nga “Boldnews.al” se nuk ka hapësirë të lirshme për rrugën e re. Gjë që do të thotë se edhe në këtë pikë pritet të ketë prishje godinash.
Në vijim, plani i ri sugjeron zgjerimin e “Rrugës së Qelqit”, deri në daljen e rrugës kryesore në Kombinat, e njëjta që shërben për të udhëtuar drejt Durrësit nga krahu i Ndroqit.
Blloku i dytë shtrihet në një zonë, e cila ka qenë shumë herët, para tërmetit, në dëshirat e kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u prishur. Në Kombinat, ajo zonë njihet me emrin “Pallatet e Pupulitit”.
Në planin vendor “T030”, të prezantuar në maj 2019, pra 6 muaj para tërmetit, Veliaj u prezantoi banorëve të Kombinatit idenë e tij për prishje të plota të godinave të vjetra në atë zonë dhe shndërrimin në një pol të ri zhvillimi, siç e cilësoi ai.
Plani u shty në kohë dhe Bashkia e Tiranës tentoi t’i vendoste shiritin e prishjes këtyre godinave pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, megjithëse ato nuk ishin të dëmtuara deri në atë nivel.
Tashmë, atë që nisi me planin “T030”, Veliaj duket se do ta plotësojë me Planin e Detyrueshëm Vendor.
Zona, realisht ka nevojë për ndërhyrje infrastrukturore, por banorët janë tejet dyshues se planet e Veliajt mund të fshehin rrafshimin total të zonës dhe shndërrimin e hapësirë në një truall të lirë dhe gjigand për biznesin e ndërtimit.
Blloku i tretë zbulon planin “real” të Veliajt, atë për të cilin banorët e zonës kanë dyshuar që në krye të herës-përzënien e qytetarëve në periferi sub-urbane dhe shndërrimin e qendrës së Kombinatit në një shesh gjigand ndërtimi për kompanitë e ndërtimit.
Në Planin e detyrueshëm Vendor për Kombinatin thuhet: “… Rruga “Llambi Bonata”, që është vazhdim i rrugës së”Fabrikës së Qelqit” është rrugë ekzistuese, e asfaltuar. Prishjet janë të pakta, pasi dhe gjerësia e rrugës së re përputhet me atë ekzistuese. Natyrisht që infrastruktura inxhinierike do të bëhet e re, pasi kjo zonë do rindërtohet me blloqe pallatesh dhe kërkon një ridimensionim, si të kanalizimeve, ujësjellësit, elektrikut etj. …”.
Në paragrafin e mësipërm të Planit Vendor theksohet se “ndërhyrjet janë të pakta” dhe “kjo zonë do të rindërtohet me blloqe pallatesh”.
“Blloku 3”, siç përcaktohet në dokumentat e Bashkisë, përbën zonën, në të cilën u demoluan pjesa më e madhe e godinave në Kombinat. Pas një procesi tejet të diskutueshëm, tashmë aty është krijuar një truall i lirë, me sipërfaqe dhjetra mijëra metra katrorë.
Banorët e Kombinatit kanë kërkuar shpesh nga Bashkia që të rindërtojë në të njëjtën zonë godinat e reja. Por, institucioni vendor e bëri veshin shurdh dhe vendosi që pallatet e reja të ngriheshin në periferinë sub-urbane.
Ndërsa, sa për truallin e lirë, tashmë Bashkia e pranon vetë se do të shndërrohet në një “bllok pallatesh”. Por, nuk e citon askund se kush do t’i ndërtojë këto blloqe pallatesh.
Nëse do të ishin për banorët e pastrehë, në atë truall tashmë do të punohej për Rindërtimin. Por, duket qartë se zemra e Kombinatit është parashikuar të plotësohet me “blloqe pallatesh”, jo për qytetarët e pastrehë.
Plani për “bllokun 3” vijon edhe më tej, ku parashikohet zgjerim rrugësh në pjesën fundore të rrugës “Llambi Bonata”, një zonë me godina të vogla, të cilat i rezistuan më së miri tërmetit.
Por, një pjesë e tyre duket se do të ndjejë goditjen e fadromës bashkiake, në kuadër të Planit të Detyrueshëm Vendor për Kombinatin.
Blloku i katërt i ndërhyrjes së Bashkisë prek zonën perëndimore të Kombinatit dhe, sipas Planit Vendor, mbyll ciklin e Unazës së re të zonës. Edhe në këtë zonë ka pasur “shembje pallatesh të detyruara” në numër të lartë dhe tashmë ka troje të lira në sipërfaqe të konsiderueshme.
Ky “bllok”, sipas Bashkisë, kufizohet në rrugët “Tanush Frashëri”, “Musine Kokalari” dhe “Shpataj”.
Për këtë zonë, në dokumentat e tenderit jepet ky përshkrim: “Prishjet janë të pakta, pasi edhe gjersia e rrugës së re përputhet me atë ekzistuese. Natyrisht që infrastruktura inxhinierike do bëhet e re, pasi kjo zonë do të rindërtohet me blloqe pallatesh dhe kërkon një ridimensionim si të kanalizimeve, ujësjellësit, elektrikut etj”.”
Pra, edhe këtu, Bashkia flet për “blloqe të reja pallatesh”, të cilat nuk janë për banorët e pastrehë, por që nuk përmendet askund se si dhe kush do t’i ndërtojë.
Ofertat për tenderin e Bashkisë së Tiranës, me vlerë rreth 5 milionë euro me TVSH “Ndërtimi i infrastrukturës publike brenda Unazës së Re së zonës, sipas PDyV Kombinat, (Faza 2)”, pritet të dorëzohen brenda datës 26 Gusht 2024.
Në përfundim të tij, shumë shpejt fadromat e Bashkisë do të rikthehen fuqishëm në Kombinat për t’i hapur rrugë “zonës së re të zhvillimit”, e cila, më shumë se sa banorëve fatkeqë të tërmetit, pritet t’u shërbejë bosëve “fatlumë” të ndërtimit, të cilët do të arrijnë të marrin troje të lira nga administrata e Veliajt, me një kosto, natyrisht, shumë herë më të ulët se sa ujdia që mund të bënin me pronarët e truallit apo të godinave./Boldnews