Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, ka gjetur vdekjen 18-vjeçari Arlis Troplini. I riu ka marrë plagë të shumta si pasojë e përplasjes, dhe nuk ka mundur që të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
“Më datë 22.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi A. T., 18 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Drejtuesi i mjetit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë më pas. Materialet i kaluan Prokurorisë”,njofton policia e Tiranës.
Arlis është djali i biznesmenit Fatos Troplini, pronar i restorantit ‘Troplini’ që ndodhet në zonën e Vollgës në Durrës. I riu ka qenë pjesë e një universiteti privat në Tiranë, i cili ka ndarë dhe një mesazh ngushëllimi për këtë ndarje të parakohshme nga jeta.
“Mesazh Ngushëllimi! Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të jetës të studentit tonë Arlis Troplini.
Ndarja nga jeta e Arlisit është një humbje e madhe për familjen e tij, shokët, miqtë dhe për të gjithë familjen e madhe të Universitetit Western Balkans.
Arlisi la një dhimbje të madhe tek njerëzit e tij më të dashur. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Arlisit. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju!”, thuhet në mesazhin e Western Balkans University.
I riu është përcjellë paraditen e sotme për në banesën e fundit