Kullat e kokainës, Klajdi Merko futi paratë e Franc Copjas te Mandarine Drive , Endri Merkaj “qep gojën”, si u ndërtua kompleksi te QSUT dhe kulla te Ekonomiku
Të dhënat e siguruara nga një vendim gjyqësor dhe komunikimet përmes aplikacionit SKY ECC tregojnë se bosi i narkotrafikut, Franc Çopja ishte investitor në hije i projekteve të ndërtimit në Tiranë, ndërsa i drejtonte operacionet e tij të pastrimit të parave nga Dubai.
Në shtator të vitit 2020, Klajdi Merkaj po planifikonte një udhëtim në Dubai për të siguruar financime të bollshme për zgjerimin e biznesit të tij të ndërtimit në Tiranë.
Asokohe vetëm 31 vjeç, Merkaj po ndërtonte përmes kompanisë së themeluar prej tij një kompleks vilash luksoze në Lundër – zonën e pasur të periferisë që rrethon kryeqytetin shqiptar, por ambiciet e tij ishin më të mëdha.
Ndërsa po negocionte për blerjen e dy trojeve të kushtueshme në Tiranë, Merkaj kuptoi se kishte nevojë për më shumë para. Ai iu drejtua për ndihmë Franc Çopjes, një bosi shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i njohur ndryshe edhe si Franc Gergely.
Merkaj akuzohet se komunikonte me Çopjen përmes aplikacionit Sky ECC dhe e kishte informuar më parë atë për planet e tij të biznesit.
“Për të dy vendet jemi konsumuar lart për t’u realizu. Kemi marrë ok”, e informoi ai Çopjen, ndërsa i kërkoi një kapital prej 1.5 milionë eurosh në cash.
Komunikimet përmes aplikacionit Sky ECC mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes janë pjesë e një vendimi voluminoz të Gjykatës së Posaçme për masë sigurie ndaj organizatës kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë, trafikimin ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës si dhe pastrimin e parave me burime kriminale.
Përveç konflikteve të përgjakshme, këto komunikime ekspozojnë gjithashtu disa shembuj të kufizuar të një fenomeni që besohet se është shumë herë më i përhapur mbi pastrimin e parave të narkotrafikut në kullat dhe komplekset e ndërtimit në Tiranë.
Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe njihet si “parajsë penale” për një sërë figurash të krimit të organizuar shqiptar, të cilët u fshehën atje për t’u shpëtuar arrestimeve apo atentateve nga grupet rivale.
Franc Çopja besohet se qëndroi në Dubai nga viti 2020 deri në dhjetor 2023, kur u ekstradua në Belgjikë si urdhërues i një vrasjeje për “prishjen e pazareve të drogës”.
Hetuesit besojnë se ai dirigjoi nga Dubai një ushtri me njerëz për të pastruar paratë e tij në Shqipëri si dhe negocioi marrëveshje biznesi që e bënin atë një investitor të fshehtë në projektet e ndërtimit në Tiranë.
Gjatë vitit 2020, kohë së cilës i përkasin bisedat e zhvilluara në SKY ECC, Çopja dokumentohet të ketë sjellë në Shqipëri të paktën 7.5 milionë euro të thata, të cilat u investuan në ndërtimin e një pallati pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në blerjen e apartamenteve të shtrenjta në disa prej kullave të Tiranës si dhe dy vilave në kompleksin “Mandarine Drive” pas qendrës tregtare TEG, e ndërtuar nga kompania e themeluar nga Merkaj.
Një sasi më e madhe prej 15.4 milionë eurosh dyshohet që të jetë investuar një vit më vonë në blerjen e lingotave të arit nga Çopja.
Sipas Europol, agjencisë ligjzbatuese të Bashkimit Europian që koordinoi operacionin e goditjes së grupit Çopja në fund të korrikut, kjo organizatë përdorte transaksione komplekse për të pastruar paratë e gjeneruara nga aktivitetet e paligjshme.
“Mes të arrestuarve është edhe një pastrues parash me qendër në Tiranë, i cili u ofronte shërbimet e tij disa grupeve të tjera kriminale të nivelit të lartë, të angazhuar në nivel ndërkombëtar në vrasje, korrupsion dhe trafik droge në shkallë të gjerë,” deklaroi Interpoli.
Masa e arrestit për akuzën e pastrimit të parave ndaj Klajdi Merkajt nuk është ekzekutuar ende dhe ai është shpallur në kërkim. I kontaktuar nga BIRN, vëllai i tij Endri Merkaj, i cili zotëron kompaninë e ndërtimit, nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
“Ka nevojë për oksigjen”
Organizata kriminale e drejtuar nga vëllezërit nga Elbasani, Franc Çopja, 32 vjeç dhe Hajdar Çopja, 40 vjeç, u godit në fund të korrikut nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet ligjzbatuese në Belgjikë, Holandë dhe Francë.
Operacioni ndërkombëtar u kodua me emrin “Gorgon”, figura monstruoze të mitologjisë greke me Meduzën si përfaqësuesen më të njohur të tyre.
Sipas vendimit gjyqësor që BIRN e disponon, organizata Çopja akuzohet se mes viteve 2018-2020 kreu vrasjen e shtatë personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, ndërsa përpiqej të eleminonte grupin kundërshtar Alibej përmes kontraktimit të vrasësve me pagesë.
Organizata besohet se e ka origjinën në vitet 2006-2007 në Itali, ku vëllezërit Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal si shpërndarës të dozave të vogla të kokainës,
“Me kalimin e viteve, vëllezërit Çopja u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Europës, kryesisht në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar,” thuhet në vendim.
Në vitin 2020, organizata shtrihej në disa vende të Bashkimit Europian dhe kultivonte lidhje me grosistët e kokainës në Amerikën Latine. Hetuesit besojnë se grupi Çopja ka trafikuar drogë edhe në vende aziatike si India dhe Singapori apo në Afrikën e Jugut.
Ndërsa luftonin për hakmarrje dhe trafikonin sasi të konsiderueshme kokaine në tregun ndërkombëtar, grupi Çopja ishte gjithashtu në kërkim të mundësive për të pastruar paratë e fituara përmes aktiviteteve të paligjshme në Shqipëri.
Nga 7.5 milionë euro të dokumentuara në vitin 2020, tre milionë prej tyre dyshohet se u injektuan në kompaninë “Elba Beton” në pronësinë e Arjan Ormenajt për të realizuar ndërtimin e një pallati pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Elba Beton” është një kompani e themeluar në vitin 2001 nga Arben Lamçja, 50 vjeç – i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni në fund të viteve ’90 dhe njeri i besuar i Franc Çopjes në administrimin dhe pastrimin e parave. Në vitin 2006, Lamçja ia shiti kompaninë Arjan Ormenajt, por hetuesit besojnë se ai vazhdoi të qëndronte si ortak në hije i saj.
Ormenaj është aksioner edhe në gjashtë kompani të tjera biznesi, mes të cilave edhe “Trans Cement” sh.p.k. “Elba Beton” së bashku me kompaninë simotër “Trans Cement” zhvilluan projekte ndërtimi në plazhin e Golemit dhe në Tiranë mes viteve 2021-2023.
Sipas vendimit të gjykatës, Arben Lamçja dhe Arjan Ormenaj kanë kryer veprime aktive për llogari të krerëve të organizatës Çopja nëpërmjet blerjes së pasurive të paluajtshme, financimit të ndërtimit të godinave të banimit dhe çeljes së operatorëve ekonomikë me qëllim mosekspozimin e tyre si posedues dhe pronarë de facto.
Në një rast, Lamçja i shkruan Çopjes në janar 2020 se Ormenaj po planifikonte të ndërtonte një pallat pranë spitalit nr.5 dhe i kishte kërkuar ta pyeste Francin nëse donte të futej si investitor me një vlerë prej 2 milionë eurosh.
Çopja i përgjigjet se nuk është problem për lekët. “Arjan Ormenaj e ka derën të hapur pa kohë dhe pa shifër,” citohet të shkruajë ai.
Dhjetë muaj më vonë, Lamçja e njofton sërish Çopjen se Ormenaj “ka nevojë për oksigjen”.
Në të njëjtën kohë, sipas vendimit të gjykatës, Lamçja dhe Ormenaj blinin apartamente për llogari të Çopjes dhe i regjistronin ato në emrat e të afërmve apo rrethit të tij shoqëror.
Arrestimi i Ormenajt nuk u bë i mundur gjatë operacionit, duke u shpallur në kërkim për veprën penale të pastrimit të parave, ndërsa Arben Lamçja u arrestua në Kosovë në fillim të gushtit dhe u ekstradua në Shqipëri.
Ormenaj ishte i paarritshëm për koment, ndërsa avokati i Arben Lamçjes, Altin Gjata nuk i komentoi akuzat, pasi tha se duhet të njihet me të gjitha provat e Prokurorisë.
Por ai i tha BIRN se Lamçja i ishte nënshtruar më parë hetimit pasuror nga Krimet e Rënda dhe çështja kundër tij ishte pushuar.
Nga biznesi i gomave në ndërtim
“Mandarine Drive” është një kompleks vilash luksoze në periferi të Tiranës, i ndërtuar në një kodër të butë, dikur të gjelbëruar pas qendrës tregtare TEG. Vilat i përkasin arkitekturës moderne, kanë secila pishina personale dhe listohen nga agjencitë imobilare me çmime shitjeje që variojnë nga 1 milion deri në 1.5 milionë euro secila.
Kompleksi “Mandarine Drive” është një investim i kompanisë Merkaj 3 sh.p.k, e themeluar në vitin 2013 nga Klajdi Merkaj kur ishte vetëm 24-vjeç, me aktivitet tregtinë e gomave për mjetet e rënda të transportit. Në vitin 2017, Merkaj ia shiti aksionet vëllait të tij dhe kompania shënoi një ngjitje të beftë, duke u përfshirë në projektin e ndërtimit të kompleksit të vilave “Mandarine Drive”.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga vendimi i Gjykatës së Posaçme sugjerojnë se Klajdi Merkaj vazhdoi të kryente veprime për llogari të kompanisë.
Komunikimet në aplikacionin Sky ECC me Franc Çopjen e identifikojnë Merkajn si një person të angazhuar në transferta parash nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë. Në disa raste gjatë vitit 2020, ai i dërgon Çopjes kode postare, që sipas burimeve të hapura rezultojnë të jenë shtëpi në Londër, Luton dhe në periferi të Birmingamit.
Ai kujdeset gjithashtu që të shesë makinat e Çopjes si dhe të fshehë pronësinë e dy vilave të tyre në kompleksin “Mandarine Drive”.
“Shtetasi Klajdi Merkaj evidentohet si një nga personat e besuar që mban dhe menaxhon vlera monetare të konsiderueshme cash për llogari të shtetasit Franc Gergely,” thuhet në vendimin e gjykatës.
“… sipas porosisë dhe orientimit të shtetasit Franc Gergely (Çopja), ka marrë dhe ka transportuar vlera monetare cash, të cilat më pas janë investuar në ndërtim dhe blerjen e pasurive të patundshme për llogari të shtetasit Franc Gergely,” shtohet aty.
Parkimi i parave
Përveç sipërmarrësve të ndërtimit, Franc Çopja përdori edhe persona të tjerë për operacionet e tij të pastrimit të parave në Shqipëri.
Dy prej tyre dyshohet se ishin pronarët e një pike të këmbimit valutor “B.Lika, Çimi & Keni” përballë Bankës së Shqipërisë, Bashkim Lika dhe Maklen Mici, të cilët akuzohen se e përdornin biznesin e tyre si bazë financiare për organizatën kriminale Çopja.
Prokuroria e akuzon Micin se si përdorues i pikës së këmbimit valutor ka mbajtur në një rast në këto ambiente 2.3 milionë euro, të cilat i përkisnin Franc Çopjes dhe një pjesë e të cilave janë tërhequr nga Arben Lamçja.
Në një rast të dytë, Dorjan Dyli me profesion farmacist ka marrë pranë pikës së këmbimit valutor shumën prej 121 mijë eurosh, që i ka përdorur si këst të parë për blerjen e një apartamenti në një godinë përballë Fakultetit Ekonomik, i cili identifikohet si “pallati me fasadë të kuqe” në dosje. Ai i ka tërhequr paratë duke u identifikuar me emrin e koduar “shoku i Valkanit”.
Apartamenti kushtonte në total 236 mijë euro, por pjesën tjetër Dyli e ka mbuluar me një kredi fiktive të marrë në bankë, të cilën e ka shlyer me paratë e dërguara nga Çopja dhe që qëndronin në pikën e këmbimit valutor të Micit.
Në njërën nga bisedat që ndodhet në vendimin e gjykatës, Dyli i shpjegoi Çopjes se “drejtori i bankës e kishte këshilluar që kalimi i pagesave të bëhej çdo 5-6 ditë me shuma monetare 7 mijë deri në 10 mijë euro, pasi kur bëhen derdhjet cash nuk gjurmohen dot, vetëm se kanë komisione të larta”.
Franc Çopja shfaqet veçanërisht i interesuar për të blerë flori të pastër 24 karatësh në janar të vitit 2021 dhe personi që kujdesej për sigurimin e arit ishte kambisti Mici.
Në një rast, Mici akuzohet se i ka siguruar Çopjes 10 kilogramë flori të pastër, por bosi i organizatës i ka kërkuar që t’i sigurojë edhe 30 kilogramë të tjerë, të cilët rezultojnë të jenë sjellë në Shqipëri.
Në komunikimet mes tyre, hetuesit thonë se kanë gjetur edhe foto të lingotave të arit me vlerë 15.4 milionë euro. Sipas vendimit, Mici i kishte siguruar lingotat e arit me vlerë 15.4 milionë euro për llogari të Franc Çopjes.
Lika dhe Mici u arrestuan gjatë operacionit në fund të korrikut me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale, por avokati i tyre, Adriatik Kuka i tha BIRN se ata nuk i lidh asgjë me veprimtarinë kriminale që iu atribuohet dhe se “janë të tronditur nga akuzat”.
Kuka tha gjithashtu se klientët e tij janë taksapagues të rregullt, tregtarë të njohur në qytetin e Tiranës dhe praktikantë të fesë myslimane.
“Duke qenë se janë praktikantë të fesë myslimane, për shkak të fesë nuk i lidh asnjë gjë me veprimtaritë kriminale. Si rrjedhim, nuk mund të shkelin normat ligjore/njerëzore që vijnë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe ligjeve në fuqi,” përfundoi Kuka./BIRN