Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 vjeçarin Esmerald Balla dhe bashkëpunëtorin e tij në vrasjen e babait, Edison Brahja. Ndaj Ballës rëndojnë akuzat e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ndërsa për Brahjan, ajo e “fshehjes së kufomës”.
Esmeraldi është shfaqur i qetë në seancën gjyqësore, ndërsa me kokën ulur është shprehur i penduar.
“Jam i penduar për atë që kam bërë”, zbulohet të ketë thënë Esmerald Balla.
“E bëra për vetëmbrojtje, këtij versioni i qëndroj”, ka deklaruar në sallën e gjyqit Esmerald Balla, për vrasjen e babait të tij.
Avokatja e tij mbrojtëse ka shtuar se ditën e ngjarjes, 30 vjeçari ka kryer aktin e rëndë në kushtet e tronditjes së thellë psikike.
“Autori është vënë në dijeni nga babai se shuma e lekëve ishte marrë nga ai dhe se duhet të paguanin këstin e parë të punimeve të kryera në shtëpi. Ishte ai personi që punonte çdo ditë me të atin dhe kur u njoftua se lekët mungoni, i ati nisi ta ofendonte. I riu ka shkuar dy herë në spital se u trondit thellë…”, është shprehur avokatja sa i takon motivit të krimit.
Ndërsa avokati i Edison Brahja, i cili akuzohet për “fshehje të kufomës”, ka pretenduar se arrestimi i tij është i paligjshëm.
“Policia për të përligjur arrestimin e tij e ka marrë në pyetje, i ka thënë thuaj të vërtetën dhe ik në shtëpi. Pasi ai thotë s’di gjë. Prokuroria nuk i ka pretendimet e sakta.”
Megjithatë, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e arrestit me burg për të dy të rinjtë.
I riu i mori jetën babait të tij 62 vjeçar më 13 Gusht 2024 dhe më pas ia hodhi trupin në pus. Dy ditë më vonë ai denoncoi në polici zhdukjen e të atit, Enver Balla, me pretendimin se ai kishte shkuar me pushime me një grua të panjohur.
Versionet e tij kontradiktore për rastin i bënë hetuesit të dyshojnë që në fillim. Ai i u rimor në pyetje më datë 3 Shtator 2024, ditë kur rrëfeu krimin e kryer.
Shkak deri më tani dyshohet të jenë konfliktet për 75 milionë lekë të vjetra, të cilat ende nuk dihet me saktësi se kujt i përkisnin.