Shuma prej 70 mijë lekësh të vjetra, ose siç quhet karta e posaçme e ushqimit, që iu jepet punonjësve të Policisë, do të shpenzohet pranë tyre në supermarketet SPAR.
Pas urdhrit të firmosur nga Sokol Bizhga, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, që parashikon që punonjësve të policisë t’u shpërndahet shuma e parave për muajin dhjetor 2023, ndërsa nga janari deri në gusht 2024 t’u kalojë në llogarinë e kartës së posaçme të ushqimit, efektivët kanë marrë edhe udhëzimet përkatëse për blerjen e ushqimeve.
Policët duhet ta shpenzojnë shumën e parave vetëm për ushqime dhe jo për alkool, duhan, detergjent dhe produkte materiale.
Fondet e kompensimit financohen dhe përdoren vetëm nëpërmjet POS ose online në rrjetin e supermarketeve SPAR.
Pra çdo punonjës policie mund t’i drejtohet 88 marketeve SPAR për të shpenzuar fondin për ushqimin.
Ligji i ri për Policinë e Shtetit parashikoi dhënien e një fondi të kompensimit ushqimor për punonjësit e policisë, që tashmë po zbatohet.
Nuk dihet si e ka vendosur Sokol Bizhga pse këto para të buxhetit të shtetit duhet të shpenzohen vetëm në SPAR.
Rrjeti i supermarketeve është në pronësi të biznesmenit Samir Mane.
Sikurse dhe Tirana Bank, ku uniformat blu drejtohen çdo muaj për të tërhequr pagën, janë në pronësi të Manes.