Dy turistë të huaj, njëri belg dhe tjetri anglez, ishin të parët që shkruan pranë Armand Nelajt, i cili kishte hedhur në erë veten me tritol.

Mbrëmjen e 24 qershorit 2024, Nelaj kishte hyrë në ujë me qëllim për të vendosur tritol tek njëra nga anijet e dy vëllezërve Ilirjan Qirjako dheVasillaq Qirjako, pronarë të kompanisë “Finikas Sh.p.k”, që bënte linjën e tragetit Sarandë-Kretë.

Por para se ta binte në traget, lënda plasëse i shpërtheu në dorë.

E gjithë ngjarja është parë nga dy turistë të huaj, belgu Frederic Rousseaux dhe anglezi Nicholas Mccann, të cilët kanë treguar gjithë çfarë panë pranë Prokurorisë së Sarandës.

Dëshmia e tyre është zbardhur nga gazetari i “Ora News” Elton Qyno.

“…Ishim afër zyrës së emigracionit, kemi vënë re një person i cili po vishte kostumin e zhytjes. Ne e kemi parë me dylbi që po vishej, por varka nuk lëvizte. Varka kishte ngjyrë të zezë si në gri dhe dukej se kishte një mbishkrim “forcë”. Pastaj jemi afruar tek varka e tij dhe kemi vënë re që ai ishte zhytur në ujë dhe po vinte rrotull varkës, tek pjesa e pasme e varkës, aty ku ndodhet motorri dhe po tërhiqte dy çata të zeza, të cilat pluskonin mbi ujë…”, kanë treguar dy turistët.

Në këtë moment e kanë pyetur nëse kishte nevojë për ndihmë dhe kanë zhvilluar bisedën e fundit me të, duke treguar se Nelaj u kishte kërkuar që të largoheshin.

E ata ashtu bënë, por u kthyen pasi dëgjuan shpërthimin. Madje treguan edhe detaje lidhur me gjendjen në të cilën e gjetën trupin e tij.

…pasi po tërhiqte dy çanta me ngjyrë të zezë, ai u përgjigj se ishte në rregull dhe ne jemi larguar. Personi nuk kishte shumë dëshirë të fliste me ne, madje me maskë nëpër dhëmbë na ka folur.  Disa metra më tutje, pasi jemi larguar pas disa sekondash kemi dëgjuar një shpërthim shumë të fortë. Jemi afruar për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe kemi parë sende që po pluskonin mbi ujë. Personi që pamë i kishte ikur një pjesë e kafkës dhe i kishte dalë supi,” treguan ata në dëshminë e tyre.