Pas dënimit nga apeli me një vit burg, Ervin Salianji në 72 orët e para të qëndrimit në qeli është vizituar nga deputeti i Fierit Luan Baçi. Weblajm mëson se Baçi ka takuar Salianjin dhe i ka dërguar atij rroba dhe veshëmbathje. Deputeti Luan Baçi ishte i vetmi që ndodhej pranë ambienteve të burgut të Fierit në mbështetje të Salianjit. Në një deklaratë për mediat Baçi u shpreh se kishte kërkuar informacion të plotë në mënyrën e akomodimit të deputeti Salianji.
Ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije se një tjetër takim mbetet në pritje për tu miratuar. Në pritje të një takimi është deputeti Ferdinand Xhaferri që ka dorëzuar kërkesën pranë burgjeve.
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike.