Pesë zyrtarë të bashkisë së Rrogozhinës u arrestuan pasi akuzohen se abuzuan me procesin e rindërtimit duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 353 mln lekë.
Nga hetimi i Policisë së Durrësit, rezultoi se këta shtetas kanë kryer të paktën 78 raste ku banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim, por në dosjet e tyre janë shënuar objekte si kasolle të derrave e lopëve.
Në prangat e policisë kanë rënë Besim Ballabani, Xhemile Uku, Mario Meka, Elton Levonja e Edlira Ramaj.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësitrezulton se hetimet në ngarkim të tyre nisën pas denoncimeve nga banorë të Rogozhinës të cilët u ankuan se me proçesin e verifikimit të dëmeve të tërmetit ishin bërë abuzime dhe se kishin përfituar persona të cilët nuk kishin pësuar dëmtime nëpër banesat e tyre.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masat “arrest me burg” për pesë zyrtarë të Bashkisë Rrogozhinë të cilët akuzohet se kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit” dhe “Mashtrimit” me fondet e rindërtimit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 353.471.090 lekë.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për shtetasit: M.M. (ish-punonjës i Bashkisë Rrogozhinë), Xh.U. (aktualisht përgjegjëse e zyrës së Rinisë dhe Sportit Bashkia Rrogozhinë), B.B. (punonjës në Bashkinë Rrogozhinë), E.L. (ish-punonjës Bashkia Rrogozhinë), E.R. (aktualisht specialiste në zyrën e burimeve njerëzore, Bashkia Rrogozhinë).
Nga hetimi rezulton se shtetasit e sipërcituar kanë kryer veprat e mësipërme penale në te paktën 78 raste. Nga hetimi rezulton se banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim por në dosjet e tyre janë shënuar objekte të tjera, përfshi dhe kasolle të derrave e lopëve.
Gjithashtu, krahas personave të ndaluar, në hetim janë dhe 78 shtetasit të cilët kanë bashkëpunuar për përfitimin e fondeve të rindërtimit. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.