Institucionet e larta të drejtësisë në vend po refuzojnë njëri pas tjetrit pjesëmarrjen në komisionin e njohur si “Xhafaj”.
Sot, Gjykata e Lartë zyrtarisht ka refuzuar të marrë pjesë në komisionin e posaçëm, në një lëvizje thuajse sinkron me Gjykatën Kushtetuese, e cila e bëri të njëjtën gjë një ditë më parë.
Gazeta raportoi që më 15 shtator se edhe Prokuroria e Posaçme ka refuzuar të marrë pjesë në komisionin “Xhafaj”, i cili, edhe pse i prezantuar si një komision reformues, nuk i fshehu synimet e vërteta: ato të vendosjes së institucioneve të drejtësisë, kryesisht SPAK, nën kontroll politik.
Prokuroria e Posaçme ishte e para që refuzoi pjesëmarrjen në këtë komision disa javë më parë, e më pas institucione të tjera si ILD, Prokuria e Përgjithshme, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhanë përgjigje negative, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e komisionit.
Kryetari i tij, Fatmir Xhafaj, së fundmi është përballur me kundërshtime të qarta dhe të forta nga përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së për çdo përpjekje për të ndërhyrë në mandatin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Mesa duket, reagimi i sotëm i sinkronizuar ka pasur një dirigjent të vetëm.
Institucionet e drejtësisë janë ndërtuar me bekimin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të partnerëve euroatlantikë.
Si të tilla, çdo përpjekje për t’i vënë nën kontroll politik nuk pritet mirë nga përfaqësuesit e këtyre selive diplomatike.
Aktiviteti dhe produkti i këtyre institucioneve mund të mos përmbushë pritshmëritë e publikut shqiptar, por padyshim që çdo ndikim i shtuar i politikës nuk do të sjellë asnjë përmirësim të dukshëm.