Vetëm një muaj më parë u miratua zerimi i taksës së importit kryesisht për mishin që vjen nga Brazili, me qëllim rritjen e konkurueshmërisë në industrinë së përpunimit të mishit në Shqipëri.

Ky ishte edhe argumenti kryesor që i dëgjua nga lobuesit pranë qeverisë, i paraqitur edhe në letrën e dërguar nga 5 përpunuesit kryesorë në Ministrinë e Bujqësisë, nga ku më pas u miratua në Kuvend.
Reagimi
Sot, Ministria e Bujqësisë njoftoi se  Shqipëria nuk importon mish derri me Ractpaminë nga Brazili dhe nga asnjë vend tjetër! Ligji nr. 10465 datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 82 pika 2 nuk lejon përdorimin e PMV-ve hormonale, beta-agonistëve dhe tireostatikëve për shtim të masës muskulare dhe reduktim të dhjamit në kafshët që prodhojnë ushqim, por lejon përdorimin e tyre vetëm nëse janë të miratuara nga Komisioni Europian dhe vetëm për qëllime terapeutike, zooteknike dhe për kërkime. Kështu ka bërë me dije Ministria e Bujqësisë në një deklaratë ku nënvizon se Shqipëria ka ndaluar prej kohësh importet e ngarkesave me mish derri me Ractpaminë nga shteti i Amerikës Latine.
Substanca
Ractopamina është një produkt veterinar që i përket familjes së ‘β-agonisteve’ të cilat janë të ndaluara të përdoren në kafshët që prodhojnë ushqim në BE sipas Direktivës 96/22/EC, me disa përjashtime për qëllime terapeutike.
Sipas ministrisë, kjo substancë nuk është regjistruar asnjëherë në Shqipëri për përdorim në kafshët që prodhojnë ushqim dhe kafshët e shoqërimit dhe nuk është në Regjistrin Kombëtar të Produkteve Mjekësore Veterinare.
“Nga monitorimi 3-vjeçar (2022-2023-2024) nga strukturat e MBZHR, në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve nuk ka rezultuar mbetje të Ractopaminës në kafshët që prodhojnë ushqim si edhe në produktet me origjinë shtazore që rrjedhin prej tyre, kjo edhe për produktet e importit pasi Shqipëria prej 2 vitesh zbaton Planin e Monitorimit të Mbetjeve edhe për produktet e importit nga vendet e treta”, thuhet më tej në njoftim.
Monitorimi
Theksojmë së Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve përgatitet bazuar në rregulloret evropiane dhe miratohet nga shërbimet e Komisionit Evropian. Për më tepër, Shqipëria auditohet në mënyrë të rregullt nga shërbimet e Komisionit Evropian për të monitoruar zbatimin e këtij Plani. Auditimi i fundit ka qënë në vitin 2022 ku është përmbyllur me një raport shumë pozitiv.
Importi
Po ashtu nënvizohet se çdo ngarkesë me mish e importuar në Shqipëri i nënshtrohet kontrollit të dokumentacionit, identitetit dhe fizik nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sipas Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve që është përgatitur bazuar në rregulloret evropiane dhe miratohet nga shërbimet e Komisionit Evropian
Ministria e Bujqësisë thekson se qeveria ka në fokusin kryesor të saj mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit dhe forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore për hapjen e eksporteve të produkteve me origjinë shtazore me tregjet evropiane, ndaj paralajmëron se legjislacioni evropian do të zbatohet në të njejtën mënyrë si vendet anëtare.
Vendimi
“Ne nuk do të mbyllim importin e mishit, dhe jo vetëm, por do ta bëjmë atë konform rregullave të reja që rrjedhin nga transpozimi i legjislacionit evropian në atë kombëtar”, thuhet në deklaratë.