Një 42-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi ka qëlluar me shishe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen, një 65-vjeçar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin “Gjashtë” në hyrje të qytetit të Sarandës.
Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa policia thotë se autori mund të ketë qenë i dehur.
Njoftimi i Policisë:
Sot, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi A. B., rreth 42 vjeç, ka goditur me shishe qelqi shtetasin G. B., rreth 65 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi G. B. ka ndërruar jetë në vendngjarje, në oborrin e banesës së tij.
Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, falë reagimit të shpejtë, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin A. B., i cili u shoqërua në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore.
Paraprakisht dyshohet se autori ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.