Mediat italiane kanë zbardhur detaje në lidhje me ekzekutimin e shqiptarit të identifikuar si Beni Arshiaj, 37 vjeç, që u vra në mënyrë mafioze mbrëmjen e së dielës, në provincën e Pizës në Itali.
Shqiptari rezulton se ndodhej në furgonin e tij pasi sapo ishte kthyer nga puna, kur dy persona janë afruar dhe kanë qëlluar pesë herë në drejtim të tij. Një prej tyre e kapi në kokë, duke mos i dhënë asnjë shans për t’i mbijetuar atentatit.
Trupi i pajetë u gjet nga bashkëshortja dhe djali i viktimës. Autorët, sipas dëshmive të banorëve të zonës, janë larguar me motoçikletë nga vendngjarja. Ata dyshohet ta kenë ndjekur viktimën pas daljes së tij nga puna, në mënyrë që të prisnin momentin e duhur për ta ekzekutuar.
Por, kjo gjë do të jetë e vështirë për tu provuar, pasi zona ku ndodhi ngjarja nuk ka kamera sigurie. çelësi për zbardhjen e atentatit do të jetë celulari i viktimës. Beni Arshiaj ishte një person pa precedentë penalë. Ai ishte i martuar, kishte dy fëmijë dhe punonte si murator.