Zbardhet rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë, e cila synon të shtrëngojë kërkesat rregullatore për kreditë që jepen nga institucionet financiare jo banka, përfshirë kompanitë e mikrokredive.

Sipas rregullores, kompanitë e kanë të ndaluar të japin kredi për personat nën 18 vjeç. Gjithashtu ndalohet kredidhënia pas orës 22 të darkës si dhe ndalohet të jepet kredi për kreditorët që kanë emrin në listën e zezë, pas ankesave të familjarëve të tyre.

Institucioneve financiare jo banka u ndalohet të japin njëkohësisht më shumë se dy kredi tek i njëjti kredimarrës dhe paralelisht duhet të vlerësojnë me detaje aftësinë paguesë në rastin e çdo kredie konsumatore.

Në versionin paraparak të projektrregullores, Banka e Shqipërisë merrte nën kontroll edhe reklamat e kompanive të mikrokredive duke patur të drejtën e aprovimit të tyre para transmetimit, por në versionin final ky nen është rrëzuar.

Paralelisht, një tjetër kërkesë që është zbutur, është dhe ajo e raportit të shërbimit të borxhit mbi të ardhurat. Në variantin fillestar kompanitë nuk mund të jepnin kredi tek një kredimarrëse, këstet mujore të së cilës ishin më të mëdha se 40 për qind e të ardhurave të tij mujore. Por në variantin e miratuar ky kufi është rritur në 60 për qind.

Ndryshimet e plota

Neni 13/1
Kërkesa të përgjithshme mbi kredidhënien ndaj kredimarrësve konsumatorë në kontratat e kredisë konsumatore

1-Subjekti, përpara se të lidhë një kontratë kredie dhe gjatë procesit të monitorimit të kredisë përgjatë kohëzgjatjes së kredisë, vlerëson aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit, bazuar në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara.

2. Subjekti siguron të dhëna dhe informacione të nevojshme të ofruara nga vetë kredimarrësi dhe nga burime të tjera të arsyeshme të brendshme ose të jashtme të subjektit, që mund të ndikojnë aftësinë paguese të kredimarrësit, në veçanti qëndrueshmërinë e të ardhurave, historikun e pagesave, probabilitetin e ndryshimit të të ardhurave (rritjen ose rënien), si dhe të gjitha detyrimet e tjera financiare.

3. Subjekti, në mbledhjen e informacionit dhe të dhënave për kredimarrësin nga palë të treta, siguron që kredimarrësi është informuar dhe ka dhënë pëlqimin e tij, përpara mbledhjes së këtij informacioni dhe të vlefshëm deri në përfundim të marrëdhënies së kredisë.

4. Subjekti kryen verifikime të arsyeshme për informacionin, në lidhje me aftësinë paguese, veçanërisht në rastet e kredimarrësve që janë të vetëpunësuar, kanë të ardhura sezonale ose të ardhura të tjera të parregullta.

5. Subjekti siguron që aftësia paguese e kredimarrësit për të përmbushur detyrimet sipas kontratës së kredisë nuk bazohet në një rritje të konsiderueshme të pritshme të të ardhurave të kredimarrësit, përveç rasteve kur dokumentacioni ofron prova të mjaftueshme. Subjekti shmang nxitjen e vështirësive të panevojshme financiare dhe të krijimit të situatës së mbiborxhit të kredimarrësit.

6. Subjekti vlerëson aftësinë aktuale dhe të ardhshme të kredimarrësit për të përmbushur detyrimet sipas kontratës së kredisë, duke konsideruar edhe efektin potencial në skenarët e rritjes së normave të interesit, në rastin e kontratave me norma të ndryshueshme dhe luhatjet e pafavorshme të kursit të këmbimit.

7. Subjekti përcakton në procedurat e brendshme informacionin që do të përdoret për vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësit, në varësi të shumës, llojit të kredisë dhe burimit të të ardhurave. Informacioni përfshin të dhëna/dokumente të nevojshme dhe të përshtatshme lidhur me të paktën sa vijon:
a) punësimin, kushtet financiare dhe qëndrueshmërinë e të ardhurave;
b) burimet e ripagimit të kredisë;
c) angazhimet financiare dhe shpenzimet për përmbushjen e tyre
d) kolateralin (për kredidhënien e siguruar/kolateralizuar);

8. Subjekti, në vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësit, konsideron faktorë/elemente të përshtatshëm që ndikojnë në kapacitetin ripagues aktual dhe të ardhshëm
të kredimarrësit, duke përfshirë edhe shpenzimet e jetesës së tij.

9. Subjekti kryen vlerësimin e aftësisë paguese, në bazë të aftësisë së përbashkët paguese të bashkëkredimarrësve, në rastet kur kërkesa për kredi paraqitet bashkërisht nga më shumë se një kredimarrës.

10. Subjekti, në rastin e një kontrate kredie që përfshin garanci nga një palë e tretë, vlerëson nivelin e mbrojtjes së ofruar nga garancia dhe, nëse është e nevojshme, kryen një vlerësim të aftësisë paguese të garantuesit, të veçuar nga analiza e aftësisë paguese të kredimarrësit.

Neni 13/2

Kërkesa specifike mbi analizën e aftësisë paguese të kredimarrësve konsumatorë

1. Subjekti, në vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësit konsumator, duhet të bazohet të paktën në kufizimet e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI).

2. Subjekti, në llogaritjen e të ardhurave mesatare për qëllime të vlerësimit të aftësisë paguese të konsumatorit, merr në konsideratë të ardhurat e tij (konsumatorit), bazuar në të dhënat e të paktën 6 muajve të fundit përpara momentit të kryerjes së analizës financiare.

3. Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme, të parashikuara në rregulloret e brendshme të subjektit, se niveli më i lartë i raportit DSTI nuk cenon shpenzimet e zakonshme të jetesës dhe rrjedhimisht pagesën e detyrimeve të kredisë. Në çdo rast, të ardhurat neto pas shërbimit të borxhit nuk duhet të jenë më të vogla se shpenzimet e arsyeshme të jetesës së kredimarrësve.

4. Subjekti harton procedura të brendshme mbi llogaritjen e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), si dhe përcakton kërkesa më të kufizuara për sa
lidhet me nivelin e treguesit për kredimarrësit me të ardhura të parregullta ose të luhatshme, apo për kredimarrësit monedha e të ardhurave të të cilëve është e ndryshme nga monedha e kredisë.

Neni 13/3
Kufizimet në kontratat e kredisë konsumatore

1. Subjekti nuk lidh kontrata të kredisë konsumatore me persona nën moshën 18 vjeç.

2. Subjekti nuk lidh kontrata të kredisë konsumatore me persona të cilësuar me aftësi të kufizuara, ose me persona të cilët marrin vendime nën asistencën e një personi tjetër, kufizime të cilat ndikojnë në mosshlyerjen e detyrimit të kredisë.

3. Subjekti nuk lidh kontrata të kredisë konsumatore gjatë fashës orare 22:00 deri në 07:00.

4. Subjekti nuk lidh kontrata të kredisë konsumatore me persona të cilët rezultojnë në regjistrat e krijuar nga subjektet për personat që nuk lejohen të lidhin një kontratë kredie.

5. Subjekti nuk ekspozohet në më shumë se 2 kredi konsumatore ndaj të njëjtit kredimarrës, në të njëjtën kohë