Rreth 320 HEC-e të ndërtuar mbi rrjedhat lumore po thajnë për ujë mijëra hektarë tokë dhe po rrudhin ekonomitë lokale të zonës, pasi nuk respektojnë “rrjedhën minimale ekologjike” të ujit, një kusht i detyrueshëm në kontratën koncensionare. Pasojat po i vuajnë edhe buxhetet e bashkive, që po shpenzojnë miliona lekë për të çuar ujin për vaditje atje ku ishte më parë.

Esmeralda Keta –Faktoje.al

Një vit më parë, përpjekja e sipërmarrësit Altin Prenga për të rigjallëruar traditën e orizit në fshatin Zadrimë, dështoi për shkak të mungesës së ujit. Ai humbi prodhimin, dhe për këtë, fajësoi HEC-in e Ashtës.

“Miliona metër kub ujë që derdhen në Zadrimë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe që përdoreshin verës për vaditje, tani nuk mund të përdoret më asnjë pikë ujë në shtator”, denoncoi në atë kohë Altin Prenga. “Kuptoj uji i tepërt, por që t’i hiqet bujqësisë është një krim”, tha më tej ai.

Duke qenë se Prenga është një biznesmen me ndikim për shkak të modelit të suksesit që ka aplikuar në zonën e tij, iu desh vetëm ky denoncim publik që institucionet të reagonin për të zgjidhur situatën. Sivjet ai mundi të prodhojë 90 kv oriz.

“Këtë vit kemi pasur ujë boll. E gjetëm menjëherë zgjidhjen me koncensionarin”, tregon Prenga, duke shtuar se gjithsesi kontrata e 12 viteve më parë duhet rishikuar për t’i lënë ujë komunitetit jo vetëm në muajt qershor – gusht.

Por, ndryshe nga ky rast, mijëra fermerë në të gjithë vendin, që nuk e kanë ndikimin e Prengës, po vuajnë mungesën e ujit për vaditje, si pasojë e HEC-eve të ndërtuar mbi lumenj.

Verifikimet në terren dhe dëshmitë e banorëve tregojnë se rreth 320 HEC-e të ndërtuar mbi rrjedhat lumore po thajnë për ujë mijëra hektarë tokë dhe po rrudhin ekonomitë lokale të zonës, pasi nuk respektojnë “rrjedhën minimale ekologjike” të ujit, një kusht i detyrueshëm në kontratën koncensionare.

Nga ana tjetër, pavarësisht shkeljeve që kryhen nga mbajtësit e kontratave, institucionet nuk kryejnë monitorime sipas parashikimeve ligjore, duke lënë shkelësit të pandëshkuar. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, që është institucioni përgjegjës për kontrollin e zbatimit të këtij detyrimi pranon se ka mundur të monitorojë vetëm 29.7% të HEC-eve aktive.

Përveç banorëve pasojat po i vuajnë edhe buxhetet e bashkive, që po shpenzojnë miliona lekë për të çuar ujin për vaditje atje ku ishte më parë, ndonëse këto institucione mohojnë që HEC-et të kenë ndikuar në zonë. Kjo edhe në ato raste kur bëhet fjalë për komunitete të zëshme si ai në Zall Gjoçaj apo Librazhd.

“Mund të jenë 2-5% të HEC-eve ku komuniteti nuk është ndikuar. Në pjesën tjetër, ka patur “luftë” mes komuniteteve dhe ndërtuesve: banorët për të siguruar minimumin e jetës në ato zona, ndërsa ndërtuesit për të maksimalizuar fitimet”, – thotë eksperti i mjedisit Abdulla Diku.

“Ajo që humb është e mira publike, pasi një burim nuk garanton dot minimumin e vet për mbijetesën e specie. Në shumicë absolute rrjedha ekologjike nuk zbatohet askund”, – argumenton më tej ai.

HEC-et thanë fshatrat për ujë 

Fshati Togëz në Bashkinë e Librazhdit ndodhet mes HEC-eve Rapuni 3&4, të ndërtuara nga “C&S Construction”, nën pronësi të Kishës Ortodokse. Pak më lart, mbi lumin Qarishtë janë ndërtuara edhe dy HEC-e të tjerë, Rapuni 1 & 2. Banorët e Togëzit ishin të parët në Shqipëri që nisën protestat ndaj lejeve për HEC-e, duke paralajmëruar rrezikun. 10 vite më pas, mjaftojnë pamjet e siguruara, për të  dëshmuar shkatërrimin që kanë lënë pas hidrocentralet. Në momentin që e vizituam luginën, lumi nuk kishte asnjë pikë ujë. Por, me të marrë vesh se kishte mbërritur një grup gazetarësh portat e “HEC-it” u hapën dhe uji vërshoi në shtratin shekullor.

“Lumi ka qenë më i fryrë, por ka nja 6-7 vjet që nuk ka më ujë si më parë”, – thotë Ymer Sota, banor i fshatit.

Që nga nisja e operimit, koncesionari ka gjenerur miliona lekë nga shitja e energjisë së prodhuar nga shfrytëzimi i lumit, ndërsa të dhënat e mbledhura nga raporte të ndryshme dëshmojnë se Zalli i Rapunit, në një gjatësi prej 4.5 km është tharë plotësisht. Një raport i përgatitur nga Bankëatch, që vizitoi zonën gjatë sezonit të thatë në qershor 2017, doli në konkluzionin se rrjedha minimale ekologjike në lumin Qarrishtë ishte mesatarisht 0.05-0.1 m3/s (50-100l/s), që është 2% e mesatares vjetore të prurjeve të lumit, prej 5,95 m³/s.

Pas këtyre rezultateve, në terren mbërritën edhe grupet e verifikimit të BERZH, si financuese e projekteve “Rapuni 1&2”. Në raportin final ata kritikuan hidrocentralet Rapuni 3 & 4 të cilët kanë lidhje me njëri-tjerin, duke thënë se ndërtimi “pa rrjedhjen ekologjike dhe pa një rrugë kalimi për peshqit është i papranueshëm dhe tregon një defiçit në kontroll nga autoritetet shqiptare”.

Ngjashëm me Togëzin, edhe banorët e Zall Gjoçaj dëshmojnë se nga një fshat që dikur lahej me ujërat që buronin nga liqenet e Lurës, tashmë është kthyer në shkretëtirë. Nëpërmjet një raporti të ndikimit në mjedis, që e kanë dorëzuar në Gjykatën Administrative ata kanë dëshmuar se janë tharë pyjet e gështenjës dhe shelgjet, ndërsa kafshët e egra dhe bletët po rrezikojnë të zhduken plotësisht pasi nuk kanë më se ku të pinë ujë.

“Fermerët mund të përballen me kosto të shtuara për shkak të nevojës për të siguruar furnizime alternative me ujë, për të blerë ushqim shtesë ose për të trajtuar kafshët për sëmundjet që lidhen me mungesën e ujit”, – thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Raporti për ndikimet e Hec-eve në Zall Gjocaj citon se ekonomitë lokale humbasin miliona lekë cdo vit, pasi si pasojë e mungesës së ujit marrin më pak prodhime bujqësore dhe blegtorale. Më konkretisht për 100 krerë gjedhë ata humbasin 5 mln lekë vetëm nga rënia e prodhimit të qumështit dhe 2.7 mln lekë nga rënia e prodhimit të mishit.

“Ndërtimi i një HEC-i dhe mos zbatimi i kritereve është genocid. Të ndërtosh një HEC në Park Kombëtar, në zonë të mbrojtur dhe të thash 100 % ujë të pijshëm dhe ta largosh 80 km nga rrjedha e vet ky është genocid, është krim”, – thotë Dhimitër Koleci, i cili udhëheq prej vitesh protestat e banorëve të Zall Gjoçaj.

Probleme me ujin për vaditje kanë edhe fermerët e Dvoranit, një fshat që ndodhet 6.5 km larg Korçës e që është i njohur për prodhimin e mollëve. Banorët ankohen se që pas vënies në punë të HEC-it të mbjellat e tyre janë cenuar.

“Më përpara vinte uji gjer në Plasë, tani deri në Drenovë shkon. Nuk kalon më tutje. Të shkojnë ta verifikojnë”, – thotë Mehdiu, që jeton në këtë fshat.

“E zbraz rezervuarin dhe s’ka fare ujë. Pema do ujë, molla do të vaditet 5-6 herë, ndryshe nuk prodhon’, – thotë një tjetër banor që ka mbjellë 1 ha me mollë.

“Nëse do të prodhoja me cilësi mund ta shisja deri në 40 lekë/kg, por kështu e japim falas më mirë”, – shton më tej ai, duke treguar se kanë bërë ankesë edhe në bashki e iu është premtuar zgjidhje.

Në mungesë të ujit për vaditje, të tjerë banorë të Dvoranit kanë zgjedhur të mos i kultivojnë fare tokat.

“Ujë për të vaditur nuk ka, e pengon ai centrali atje poshtë. Po të punojë hidrocentrali, ne s’kemi ujë”- thotë Iliri, një tjetër banor i zones, duke treguar se “unë kam shumë tokë, por i kam lënë ashtu azatçe, se s’kemi ujë për t’i vaditur”.

Dy studime të ndryshme, njëri në 2017 nga Ecoalbania dhe tjetri në vitin 2020 nga REC Albania dëshmojnë se HEC-et kanë shkaktuar konflikte të ashpra në komunitetet lokale dhe arsyeja kryesore lidhet me të drejtën e barabartë për përdorimin e ujit dhe nevojat e banorëve lokale për përdorimin e ujit për vaditje në bujqësi.

Sipas Eco Albania rrjedha e lirë e ujit ka gjeneruar 18 raste konfliktesh të dokumentuara, ndërsa ndikimet socio-ekonomike janë afatgjata dhe në dëm të bujqësisë, turizmit dhe faunës.

Sipas studimit te REC Albania, ndikimi negativ i HEC-eve në furnizimin me ujë, më konkretisht HEC Rapuni në zonën e Librazhdit nëpërmjet reduktimit të sasisë së ujit, u identifikua si shqetësimi kryesor për 68.8% të të anketuarve, ndërsa ndikimin negativ të HEC-eve mbi përdorimin e ujit në bujqësi e kanë ndierë 93.8% e të anketuarve.

Sa i përket ndikimit negativ të HEC-eve në bujqësi, të gjithë të anketuarit mendonin se kishte probleme në lidhje me ujitjen; 82.4% mendonin se shkaktonte rënie në të ardhurat e krijuara nga të korrat dhe për 37.5% kjo çoi në ndryshime në kulturat që mbollën.

Mungesë kontrollesh

Sipas një liste të vënë në dispozicion nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore aktualisht janë rreth 320 HEC-e të ndërtuara mbi rrjedhat lumore, në të gjithë vendin. Në një pjesë të madhe një kompani ka marrë leje për ndërtimin e disa impianteve hidroenergjitike.

Ligji parashikon që në kontratë të jetë e përcaktuar sasia e ujit që do të lihet për komunitetet, e njohur ndryshe si rrjedha ekologjike minimale. Edhe në lejet e përdorimit të burimeve ujore që lidh koncensionari me autoritetin e menaxhimit të burimeve ujore ka detyrimin që të identifikojë rrjedhën, por ekspertët sugjerojnë se ky kriter shkelet që në leje.

“Edhe pse e kanë detyrim ka raste që sasia e rrjedhës ekologjike nuk identifikohet në leje. Në këto kushte, të paktën të vendosin detyrimin e respektimin e rrjedhës së lirë”, – thotë Elvana Tivari, avokate që ka përfaqësuar shumë çështje mjedisore në gjykatë.

Po ashtu, Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore (AMBU) ka probleme të shumta në monitorimin e hidrocentraleve në vend. Në një përgjigje me shkrim për “Faktoje.al” ky dikaster pranon se nga 320 HEC-e ka mundur të monitorojë vetëm 95 prej tyre. Nga këto kontrolle janë konstatuar vetëm 6 shkelje.

“Në rastet e konstatuara me problematikë, subjektit i është lënë një afat jo më shumë se një muaj, për kryerjen e punimeve për rregullim e gjendjes me qëllim garantimin e lejimit të rrjedhës ekologjike. Nëse ai nuk përmbush detyrimet atëherë lajmërohet IKMT”, bëri me dije AMBU.

“IKMT, në proceset e ndjekura për kontrollin dhe monitorimin, ka konstatuar 3 raste të tjera për moslejimin e rrjedhës ekologjike nga HEC-et dhe kanë marrë masat administrative përkatëse”, saktësohej në përgjigje.

Por, përveç faktit se më shumë se 70% e hidrocentraleve aktive mbeten jashtë monitorimeve mbi zbatimin e detyrimit të rrjedhës ekologjike dhe mospengimin e ujit që nevojitet nga komunitetet për ujë të pijshëm apo ujitjen në bujqësi, në pikëpyetje vihet edhe cilësia e monitorimeve që kryen AMBU.

Një raport i KLSH ka zbuluar se ky institucion ka vështirësi në procesin e monitorimit dhe nuk disponon të dhëna, për shkak të logjistikës së cunguar.

Sipas raportit të KLSH, nga 500 subjekte që përdorin me leje burimet sipërfaqësore të rrjedhshme, 76% e tyre janë HEC-e çka vështirëson matjen në kohë reale të sasisë së ujit që lihet për banorët.

“Numri i madh i veprave, zonat e thella ku ato janë të pozicionuara dhe nevoja për të matur këtë prurje në vazhdimësi 365 ditë të vitit 24 orë, e bën teknikisht dhe praktikisht të pamundur, që matja e kësaj prurjeje të bëhet nga AMBU, ZABU-të apo inspektoratet kompetente për kontrollin e këtyre e veprimtarive”, – konstaton KLSH.

Raporti vëren se AMBU dhe inspektoratet përkatëse e bazojnë monitorimin dhe kontrollin e tyre, në lidhje me prurjen ekologjike, në kqyrjen në terren të respektimit të prurjes ekologjike, në përputhje me ato të miratura në projektin e pajisjes me leje.

“Por edhe ky kontroll është i pamundur që të bëhet për çdo ditë të vitit për 24 orë nga këto struktura”, – thuhet në raportin e KLSH-së.

AMBU thotë se e ka zgjidhur këtë situatë duke detyruar subjektet të vendosin stacione hidrologjike për bilancin ujor. Por mbetet e paqartë se përse atëherë ka monitoruar vetëm 30% të HEC-eve, siç e deklaron po vetë.

HEC-et thajnë dhe buxhetet e bashkive 

Përveç banorëve, mungesën e respektimit të rrjedhës ekologjike të lumit, po e vuajnë edhe institucionet vendore. Bashkitë e Librazhdit, Matit, Mirditës, Prrenjasit, Devollit, Lezhës dhe Kukësit. në përgjigjet me shkrim për Faktoje.al mohojnë t’iu jenë krijuar probleme, por ndërtimi i HEC-eve po komplikon buxhetet e tyre.

Bashkitë vjelin një taksë modeste nga këto vepra energjetike që operojnë në territorin e tyre, por nga ana tjetër, sipas përgjigjeve të vetë bashkive, ato japin çdo vit miliona lekë për ndërtimin e kanaleve vaditëse.

Bashkia e Matit pohon se që nga vitit 2015 ka investuar rreth 135 mln lekë të reja në kanale vaditëse. 19 mln prej tyre janë shpenzuar për kanalin vaditës të Sekës, ku është ndërtuar edhe hidrocenrali me të njëjtin emër, që operon brenda Parkut Kombëtar të Zall Gjoçajt. Megjithatë, kjo bashki thotë se vlera e taksave që ajo vjel nga aktiviteti i prodhimit të energjisë elektrike së 10 HEC-eve, në vit është vetëm 3.8 mln lekë.

Bashkia Mirditë thotë po ashtu se ka investuar mbi 20 mln lekë në sistemin vaditës, ndërsa shton se nga 9 HEC-e që janë ndërtuar dhe operojnë në territorin e saj, jo të gjithë janë me kontrata. Bashkia e Devollit po ashtu thotë se për 10 vite ka shpezuar 185 mln lekë për të mbajtur në këmbë sistemin e vaditjes, ndërsa ajo e Librazhdit thotë se ka investuar në vite për rikonstruksion dhe riparime të pjeseshme të kanaleve vaditëse, një vlerë rreth 195 milion lekë.

Edhe për ekspertin Abdulla Diku, këto politika të pamenduara kanë vënë në pozitë të vështirë si komunitetet që kanë mbetur pa ujë, ashtu edhe bashkitë për t’iu siguruar komuniteteve ujin e nevojshëm.

“Kemi dy palë të humbura, komuniteti dhe bashkitë që investojmë më pas miliona lekë për ta çuar ujin atje ku ka qenë, dhe kemi një palë që ka fituar që është kompania private”, – thotë Diku.

Gjithsesi, investimet e bashkive duken të pamjaftueshme për të zgjidhur problemet e krijuara me mungesën e ujit. Si pasojë e tharjes së jetës nga HEC-et në Zall Gjoçaj kanë mbetur vetëm tre familje, ndërsa në fshatin Flin vetëm një familje.

“Unë i bëj thirrje ta mbyllin HEC-in, ta ketë kush të dojë. Ne kemi qenë këtu para se të vinin HEC-et”, thotë kryeneç Iliri nga fshati Dvoran.

“Pa ujë nuk ka jetë, por ne jemi të vendosur për të kërkuar këtë të drejtë me çdo kusht”, përfundon Dhimitër Koleci.

Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.