Trupat gjyqësore ndërkombëtare, përfshirë ato në Gjykatën Europiane të Drejtësisë dhe në Strasburgut, po u ngrenë pengesa gjithnjë e më të mëdha kërkesave të përdoruesve të SKY/ECC për rrëzimin e procedimeve penale ndaj tyre, megjithëse të dy këto institucione ndërkombëtare ende nuk janë shprehur pro legjitimimit tërësor të të dhënave kriminale, të siguruara nga çkodimi i dy platformave telefonike.

Disa muaj më parë, Gjykata Europiane e Drejtësisë shpërndau një “opinion miqësor” për të gjithë gjykatat e Bashkimit Europian, në të cilin u sugjeronte që çdo shtet anëtar duhet të përdorte të dhënat e siguruara nga SKY/ECC në përputhje me legjislacionin procedurial penal vendas.

Ndërkaq, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në një vendim të marrë të Enjten (17 Tetor 2024), rrëzoi kërkesën e dy shtetasve me pasaportë britanikë, të cilët kërkuan nga trupa gjyqësore e Strasburgut për mos-pranimin e mesazheve të shkëmbyera në platformën “Encrochat” si provë në procese penale ndaj tyre në Britaninë e Madhe.

Zyrtarisht, Strasburgu e rrëzoi këtë aplikim, me argumentin se kërkuesit nuk kishin ezauruar të gjithë mjetet juridike, para se t’i drejtoheshin Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

: Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Strasburg)

Megjithatë, vendimi më i fundit i Strasburgut, ka shënuar një hap shumë të rëndësishëm në legjitimimin si provë në proceset penale të mesazheve të shkëmbyera në “SKY/ECC”.

Çkodimi i SKY/ECC

Në qershor të vitit 2020, autoritetet franceze, në vijim të një hetimi penal, arritën të siguronin të dhënat e serverave të platformave elektronike SKY/ECC”. Informacioni i siguruar përfshinte një numër shumë të lartë personash francezë e nga vende të tjera europiane, përfshirë shqiptarë, të cilët dyshoheshin se ishin të përfshirë në aktivitete kriminale.

Pas zbërthimit të serverave, autoritetet franceze, e më tej ato belge, bashkëpunuar me Agjencinë Europiane të Zbatimit të Ligjit, “Europol”, për shpërndarjen dhe koordinimin e informacionit me vende të tjera anëtare, por edhe jashtë Bashkimit Europian.

Të dhënat zyrtare të Europol tregojnë se, pas zbërthimit të “SKY/ECC”, janë dekriptuar rreth 40 mijë aparate celularë, janë arrestuar 6558 persona të dyshuar për aktivitete kriminale, si edhe janë sekuestruar 103 ton kokainë, 163 ton kanabis dhe 3.3 ton heroinë në të gjithë botën, krahas sekuestrimit të shumë armëve.

Autoritetet franceze “zbërthyen” serverat e SKY/ECC në vitin 2020

Në Shqipëri, bazuar në të dhënat e përcjella deri më tani nga autoritetet franceze e belge, janë kryer disa operacione, me një numër ende të kufizuar të personave të arrestuar.

Çështja e përdorimit të informacionit të siguruar nga “Sky/Enchrochat” pritet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila është investuar nga një prej personave të arrestuar, biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Çfarë thotë Strasburgu

Në periudhën 2020-2021, dy persona me shtetësi britanike, A.L dhe E.J., kundërshtuar hetimin penal ndaj tyre, të nisur në Britaninë e Madhe pas zbërthimit të platformës “Enchrochat” nga autoritetet francezë.

Ata pretenduan se ishin bërë subjekte të hetimit penal në Francë, ndërkohë që nuk kishin qenë në atë vend, nuk kishin kryer aktivitet kriminal dhe nuk kishin qenë subjekte të hetimeve penale në Francë, dhe, si pasojë, u gjendën në pamundësi të mjeteve juridike vendase për të kërkuar të drejtën e tyre, pasi nuk kishte asnjë proces për ta në Francë.

: Njoftimi i Gjykatës së Strasburgut për çështjen e “SKY/ECC”

Gjykata e Strasburgut e ka ndarë vendimin e publikuar këtë të Enjte në dy pjesë.

Së pari, për Gjykatën e Strasburgut, të dhënat e siguruara nga autoritetet franceze nëpërmjet platformave “SKY/ECC” janë të ligjshme, pasi janë në vijim të një hetimi penal të nisur fillimisht nga autoritetet gjyqësore në Lilë, të cilat kulmuan me zbërthimin e platformave të inkriptuara.

Kjo pjesë përbën një vendim shumë të rëndësishëm për ecurinë e proceseve penale me bazë “SKY/ECC”, më së pari në Francë, por edhe në vendet e tjera.

Së dyti, Gjykata e Strasburgut është treguar shumë e ngurtë me kërkesën e dy paditësve britanikë. Ajo vlerëson se ata janë arrestuar pas një procedure që i ngjan lëshimit të Urdhër Kërkimi Ndërkombëtar (EIO), të lëshuar nga autoritetet franceze, pas zbulimit të komunikimeve të dyshuara si të kryera prej tyre në platformat “SKY/ECC”.

Dhe, duke e konsideruar procedurën si lëshim i Urdhër-Kërkimit Ndërkombëtar nga autoritetet franceze, Gjykata e Strasburgut konstaton se dy kërkuesit britanikë duhet të kishin kundërshtuar këto urdhëra në vendin që i ka nxjerrë, pra në Francë, para se t’i drejtoheshin Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Strasburgut vendosi si kufizim për këdo individ që kundërshton përfshirjen në hetime penale pas të dhënave të “SKY/ECC” që “të ndjekë mjetet e nevojshme juridike”.

Kjo do të thotë se individët, para se t’i drejtohen Strasburgut, më së pari duhet të kundërshtojnë në Francë procedurat e ndjekura nga autoritetet e atij vendi.

Dhe, ashtu siç mund të kuptohet vendimi i Strasburgut, individët, vetëm pasi të kenë ezauruar ankimimin para drejtësisë franceze, legjitimohen t’i drejtohen Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila do të vlerësojë më pas nëse përdorimi i të dhënave të “SKY/ECC” është i përputhshëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. /boldnews