Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar sërish pas kallëzimit ndaj ministres Belinda Balluku, të cilën e akuzon se për një periudhë një vjeçare vodhi plot 180 milionë euro përmes shit-blerjes së energjisë.

Këtë herë, Bardhi kërkon që SPAK të administrojë intervistën e ditës së sotme në Top Channel të drejtorit të OSHEE-së Enea Karakaçi, i cili deklaroi se në bursë bëhen vetëm blerje afatshkurtra.

Sipas Bardhit, vetëm në një rast për një blerje 8 orë me 2000 MWh energji jashtë bursës, janë vjedhur 88 mijë euro.

Deklarata e plotë e Bardhit:

SPAK të administrojë intervistën e vartësit të Ballukut!

Ministrja Balluku ka nxjerrë sot drejtorin e OSHEE-së për të ç’orientuar opinionin në lidhje me grabitjet që janë bërë prej saj me energjinë elektrike. Ky zotëria që ka folur nuk ka lidhje direkte me transaksionet e shit-blerjes së energjisë. Ata që kanë heshtin!

Megjithatë, vartësi i Belinda Ballukut sot ka dhënë një dëshmi të cilën i kërkoj SPAK-ut ta administrojë, sepse ai deklaron se në bursë bëhen vetëm blerje afatshkurtra!

Ja ku po i jap një provë se si në blerjen e natës së vitit të ri, është blerë jashtë bursës për 8 orë 2000 Mwh energji dhe grabitja vetëm për këto 8 orë rezulton të jetë 88 mijë e 960 euro.

SPAK i ka të gjitha dokumentet dhe operacionet korruptive lidhur me këtë aferë. Janë kapur me presh në dorë si hajdutë ordinerë dhe nuk manipulojnë dot askënd me gënjeshtra!