Imagjinoni që Inter-Milan të luhet në Napoli, Roma-Lacio të luhet në Palermo, Manchester City-Manchester United të luhet në Liverpul, Olimpiakos-Panathinaikos të luhet në Selanik… Ose merreni me mend se çfarë do të ndodhte nëse Crvena Zvezda-Partizani të mos luhej në Beograd…
Me gjasë tifozeritë e atyre skuadrave do t’i kishin vënë flakën vendit, por më së pari vetë federatat apo klubet nuk do të guxonin të bënin një eksperiment të tillë. Pas kësaj do të reagonte edhe qeveria.
Po në Shqipëri çfarë ndodh? Ndodh që derbi i kryeqytetit Tirana-Dinamo do të luhet në… Vlorë. Nuk është hera e parë që nuk luhet në kryeqytet, por deri në Vlorë nuk kishte guxuar njeri. Sepse të çosh dy skuadrat më të titulluara të Shqipërisë të luajnë derbin e kryeqytetit në Vlorë, në rastin më të mirë je i paaftë, ndërsa në rastin më të keq po tallesh me tifozët.
Të kesh një kampionat me vetëm 10 ekipe, (5 ndeshje në fundjavë) dhe të kesh gjithashtu 3 stadiume në kryeqytet: “Air Albania”, “Selman Stërmasi apo “Arena e Demave”, dhe ta çosh derbin në Vlorë, është një tallje e madhe. Për të gjithë ata që mburren se kanë investuar qindra milionë euro për të rinovuar stadiumet e kryeqytetit, Elbasanit, Shkodrës, Durrësit dhe Rrogozhinës, mjafton të shohin këtë të shtunë në orën 14.00 se dy ekipet më të titulluara (26 dhe 18 tituj kampionë), janë spostuar qindra kilometra larg kryeqytetit me 3 stadiume. Dhe nuk është vetëm paaftësi. Është llogari e thjeshtë: në “Air Albania” nuk luajmë se e ruajmë për kombëtaren. Te shtëpia e Partizanit do na përqeshin tifozët, ndërsa “Selman Stërmasin” po e lëmë të degradojë se do ndërtojmë disa kulla me stadium në mes…
Ja, kjo është arsyeja se përse Tirana-Dinamo do luhet në Vlorë dhe hesht qeveria, hesht federata, heshtin drejtuesit e dy klubeve, heshtin edhe tifozët.