Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja nuk ka pasur marrëdhënie të afërta vetëm me një personazh të njohur të botës së krimit në Durrës. Përkundrazi, në bisedat në aplikacionin “SkyECC” që çuan në pranga ish-deputetin del në skenë edhe emri i Edmond Koçit, i njohur si “Mond Çekiçi”.
Mësohet se personazhë të botës së krimit, mes tyre edhe Edmond Koçi kanë ndikuar që Jurgis Çyrbja të ishte në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë ne qarkun e Durrësit. Vetëm se ndryshe nga Altin Hajri, “Mond Çekiçi” nuk e ndihmoi dot për të mbledhur vota, pasi u ekzekutua me armë zjarri në 20 mars 2021.
Karriera kriminale e Edmond Keçit nisi kur ai ishte pjesë e bandës së Durrësit, e kryesuar nga Lulzim Berisha. Keçi njihet në Durrës si një nga miqtë më të afërt të grupit deri në shpërbërje. Ai ishte dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të Policisë. Në vitin 2009, në muajin maj ai u dënua me burg për armë mbajtje pa leje, me 2 vite heqje lirie. Ndërsa Ministria e Brendshme në vitin 2016 e klasifikonte “Mond Çekiçin” si një nga anëtarët e grupit miqësor të Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Bashkim Haxhisë, Julian Meçajt e Plarent Dervishit.
Si u arrestua dhe u lirua në mënyrë të habitshme në shtator 2020?
Më 24 shtator 2020, policia e Durrësit arrestoi “Mond Çekiçin” pasi atij iu gjet një armë zjarri pa leje. Ai u mbajt në Polici fillimisht dhe më pas doli para gjykatës. 40-vjeçari dyshohej se kishte në plan të kryente një vrasje të bujshme në Durrës, por pavarësisht kësaj, ai u lirua nga gjykata dhe u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Influenca në portin e Durrësit
Influenca e Mond Çekiçit ishte e madhe në Durrësit. Ai njihej për njohjet e tij politike dhe kriminale, e po ashtu, administronte disa shërbime në portin e Durrësit, nëpërmjet disa kompanive, ku ai qëndron si pronar në hije. Por u ekzekutua më 20 mars 2021, ndërsa autorët e atentatit ende nuk janë zbuluar. 40-vjeçari ishte duke udhëtuar me shoferin e tij kur një makinë Benz i preu rrugën dhe dy persona e qëlluan me breshëri duke e lënë të vdekur në vend.