Basel Action Network (BAN) vijon t’a ndjekë me shqetësim çështjen e transportit të mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, që priten të mbërrijnë në Shqipëri këtë të diel. Pas letrës së dërguar dje autoriteteve më të larta shqiptare, drejtori ekzekutiv i BAN ka nisur sot një letër të dytë ministres Mirela Kumbaro, ku ndër të tjera përsërit kërkesën për analizimin e mbetjeve që përmban anija e kompanisë Maersk, e cila mbërrin më 27 tetor në portin e Durrësit.
Letra
“E nderuara Ministre, znj. Mirela Kumbaro Furxhi dhe znj. Elvana Ramaj,
Në lidhje me mbërritjen e pritshme më 27 tetor të 102 konteinerëve të dyshuar me mbetje të rrezikshme, ju bashkëngjisim një letër të dytë, duke përsëritur një protokoll për marrjen e mostrave, analizimin dhe trajtimin e duhur të materialit. Gjithashtu, angazhohemi që të jemi të pranishëm në Shqipëri për të marrë një mostër të ndarë të materialit, me qëllim kryerjen e analizës së saktë të mbetjeve në fjalë. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë në çdo mënyrë të mundshme. Ju lutemi mos hezitoni të na kontaktoni.
Me respekt,
Jim Puckett
Drejtori Ekzekutiv
Basel Action Network”.
Skandali
BAN ishte organizata që dha alarmin për skandalin e transportit të lëndëve të dyshuara toksike nga porti i Durrësit drejt Tajlandës. Kjo çështje po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka pyetur drejtues të kompanisë KURUM, të kompanisë SOKOLJA dhe zyrtarë të tjerë. Skandali i mbetjeve të dyshuara toksike u debatua dhe në një seancë plenare të Kuvendit, por që prej asaj kohe, kjo çështje ka mbetur në harresë, qoftë nga politika apo media.