Gjatë fushatës elektorale për mandatin e dytë në krye të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u premtoi të moshuarve dhe njerëzve në nevojë rimbursim të gjysmës së biletës për transportin urban – duke nisur nga viti 2024. Verifikimet e Faktoje tregojnë se buxheti i këtij viti nuk ka parashikuar fonde për këtë nismë, dhe Bashkia e Lezhës nuk ofron shërbimin e transportit urban.

Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kandidati socialist për Bashkinë e Lezhës Pjerin Ndreu premtoi rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë.

“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë.”– deklaronte Ndreu, fill pas takimit me dhjetra të moshuar në fshatin Shënkoll më 26 prill 2023.

Postimi në facebook nga Pjerin Ndreu

Në zgjedhjet lokale të majit 2023, Pjerin Ndreu siguroi mandatin e dytë në krye të Bashkisë Lezhë me 18,299 vota.

Fakt 

Verifikimet e Faktoje tregojnë se buxheti i Bashkisë Lezhë për këtë vit nuk ka asnjë para të planifikuar për rimbursimin e biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë. Madje, as programi buxhetor afatmesëm 2025-2027.

Kjo pasi Lezha nuk ofron shërbimin e transportit urban. Këtë fakt na e bëri me dije Bashkia e Lezhës, pas një kërkesë për informacion nga Faktoje.al.

“Aktualisht po punohet për hartimin e nje plani për të mundësuar transport urban për Bashkinë Lezhë. Plani për transportin urban do të ketë si qëllim rregullimin e transportit urban në Lezhë dhe Njësitë Administrative”, argumenton Bashkia pa dhënë ndonjë afat konkret.

Çfarë mendojnë qytetarët? 

Gjovalin Pjetri është një mësues gjuhë letërsie i dalë në pension nga Ishull Shëngjini. E takuam në shëtitjen e tij të përditshme në qendër të Lezhës. Sipas tij, transporti urban brenda Lezhës është i panevojshëm.

‘Unë herë vij në këmbë, herë me biçikletë, herë me makinë. Transporti publik është i nevojshëm vetëm për fshatrat.’- thotë ai.

Rruga nga ishull Shëngjini në Lezhë është rreth 4km e gjatë. Zgjat 54 minuta në këmbë dhe 13 minuta me makinë, por gjithesi banorët e këtij fshati e shohin mundësi shumë të mirë shtimin e një autobusi. Edhe më i domosdoshëm shihet transporti me autobus nga banorë të fshatrave më larg Lezhës.

‘Nuk ka autobusa. Sikur edhe njëherë në ditë me qenë, mirë do të ishte.’- shprehet Lekë Prenga, një pensionit nga fshati Ungrej- 26 km larg Lezhës.

Banorët e këtij fshati e kanë të pamundur të lëvizin në këmbë apo me biçikletë, pasi do t’ju duhet më shumë se shtatë orë. Ata lëvizin vetëm me mjete private.

Edhe Besmira Lekaj, drejtuese ekzekutive e qendrës HANA në Lezhë i bashkohet shqetësimit të banorëve.

“Transporti publik është çështje delikate për ne pasi nga njëra anë të thuhet që ofrohet por nga ana tjetër e di që fugonët me pronarë dhe administrim privat nuk kanë infrastrukturë të sigurt, stacione, orare fikse, sistem biletash apo mbulim tërësor gjeografik. Fugonët privatë në fjalë vlejnë vetëm për zona rurale, lëvizjet në fshatra të caktuar pasi ka të tillë si Kodhel apo Ishull-Lezhë p.sh ku nuk ofrohet fare shërbim prej tyre, përjashto këtu shërbimin e detyrueshëm për fëmijët e shkollave të arsimit 9-vjeçar.”- shprehet ajo.

Përfundim

Bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për moshat e treta dhe kategoritë e tjera në nevojë, e kategorizojmë të pambajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët. /faktoje.al