Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Prganizuar (SPAK) ka dalë në përfundimin se Pirro Xhixho, babai i Erisa Xhixhos ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues të AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të llir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Në dosjen e SPAK renditen disa mesazhe që Xhixho shkëmben me dyshen Kryemadhi-Meta. Në momentin që flet me Kryemadhin, sipas SPAK, i drejtohet me Mona, ndërsa Metës si “shef” dhe “i madhi”.

Pjesë nga dosja e SPAK:

Nga bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Piro Xhixhos rezulton se Xhixho ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues të AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të llir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e shkelur detyrimin ligjor që përcakton se “AKEP është person juridik, publik i cili drejtohet nga Këshilli Drejtues që është i pavarur në marrjen e vendimeve dhe funksionon në bazë të rregullores së brendshme, të miratuar nga ai vetë. Këshilli Drejtues përbëhet nga 5 anëtare, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave”. Në mesazhet e tij drejtuar Monika Kryemadhit, Piro Xhixho i drejtohet kësaj të fundit me emrin “Mona” ndërsa kur bëhet fjalë për llir Metën, i drejtohet me emrin “shefi” dhe “i madhi”.

Sa më sipër, sipas organit të akuzës dokumentohet se Monika Kryemadhi dhe Ilir Metaj, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve”, nëpërmjet marrjes drejtpërdrejtë të një përfitimi të parregullt për veten e saj dhe për të tjerët, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën apo funksionin dhe konkretisht me qenien e tyre përkatësisht deputet dhe Kryetar i Kuvendit/ Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithashtu sipas organit të akuzës edhe personi nën hetim Piro Xhixho ka konsumuar në bashkëpunim me personat e tjerë nën hetim Ilir Metaj e Monika Kryemadhi, në rolin e ndihmësit të këtyre të fundit, elementët e figurës së veprës penale te “Korrupsioni pasiv i funksionarëve te larte shtetërorë dhe te zgjedhurve” parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal”.

Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”.