Sipas SPAK , Theodhori Cami hyri “mik” te Vodafone për interesa të çiftit Meta-Kryemadhi

Tranzitimi i thirrjeve ndërkombëtare të kompanisë Vodafone është kthyer në minierë ari për kompanitë që ofrojnë këtë shërbim, duke hapur edhe oreksin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për t’u futur në këtë treg.

Siç konstatohet në dosjen e SPAK, Meta dhe Kryemadhi kanë përdorur si sekser Theodhori Çamin, pronarin e kompanisë LeSpot, i cili sipas SMS-ve që kanë dalë, kishte njohuri dhe lidhje me drejtuesit e kompanisë Vodafone në Shqipëri.

Madje, aq shumë ka qenë i përfshirë Theodhori (Theo) në këtë histori, sa Kryemadhi komunikon vazhdimisht me Adrian Shatkun për sjelljet e tij, ndërkohë në një moment shkruan se “Theo u dh*je fare se i foli Iliri”.

Rezulton se Theodhori Çami dhe Ilir Meta janë fqinj me vilat e tyre në Gjirin e Lalzit, ku edhe janë njohur.

Madje, siç ka zbuluar SPAK, pazaret mes Theos dhe Ilir Metës janë bërë pikërisht duke ecur gjatë muajve tetor-nëntor 2014 në rërën e Gjirit të Lalzit.

Në një tjetër episode, rezulton se Theo ka njoftuar Adrian Shatkun dhe Monika Kryemadhin se disa aktorë të tjerë të tregut të telefonisë celulare, përfshirë edhe turqit e Albtelecom, kishin dërguar letër te Vodafone duke kërkuar prishjen e marrëveshjes së tranzitimit të thirrjeve nga UNIFI për Vodafone.

SPAK ka zbuluar se lidhja e kompanisë UNIFI me Vodafone është bërë pikërisht me ndërmjetësimin e Theodhori Çamit dhe për këtë sipas dosjes, ky i fundit ka marrë 6-7 pagesa, pasi sipas Adrian Shatkut kaq kushtonte shërbimi që kishte ofruar.

Në një episod tjetër, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Theodhori Çami tallen me drejtorin e Vodafone të kohës Ditelof Mare duke e quajtur “afrikano jugori” ose “afrikani”.

I pyetur në lidhje me këtë nofkë, Theodhori Çami është shprehur para prokurorëve të SPAK se kështu quanin “drejtorin e Vodafone, Ditelof Mare”.

Me porosi të Metës dhe Kryemadhit, Theodhori Çami nuk vetëm që u bë negociator i Adrian Shatkut te Vodafone, por edhe negocioi me Marin Gjonajn dhe Anisa Skëndajn që kompania UNIFI të përdorte infrastrukturën e Info Telecom për të mundësuar shërbimin ndaj Vodafone.

DETAJET

Eshte pyetur Thodhori Çami, aksioneri kompanise “Lespot” sh.p.k., i përmendur në komunikimet e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Adrian Shatkut. Thodhori për hir të njohjeve që kishte me të gjithë strukturën drejtuese të Vodafonit, e prezantoi Marios Jazidhis, në atë kohë drejtor i departamentit ligjor dhe interkoneksionit.

Thodhoriu, Ema Çokun e ka njohur nga Monika Kryemadhi, të cilën e kishte komshie në vilën në Lalez. Sipas deklaruesit, Adriani dhe Marios biseduan vetë në vijim dhe arritën në një marrëveshje të shkruar për interkoneksion ndërkombëtar.

Duke qenë se kompania UNIFI e Adrian Shatkut, nuk kishte mundësi infrastrukturore që të bente trafikun e interkoneksionit, deklaruesi sqaroi se ai e prezantoi me kompaninë Info Telecom e cila kishte edhe vetë marrëveshje interkonjeksioni me Vodafonin.

LIDHUR ME NJOHJEN E TIJ ME MONIKËN KRYEMADHI,Theodhoriu deklaron se e ka njohur në vitin 2010 kur erdhi komshie në Lalez, ngjitur me shtëpinë e tij. Monika ka hyrë për të banuar në shtëpinë e saj në vitin 2011. Njohjet me Monikën dhe Ilirin vazhduan në vijim si komshi, ku pinin ndonjë kafe, loznin volejboll, etj.

Thodhori deklaron se në vitin 2014, pa specifikuar muajin, Monika e takoi në plazh në Lalez dhe i ka thënë “lë të ndihmojme pak Emën se ka një kushërin evet me emin Adrian Shatku që ka një kompani shumë të madhe në fushën e interkonjeksionit, se do që të marrë pjesë në këtë biznes”.

Biznesmeni Theodhori Cami qe sipas SPAK lidhi Meten dhe Kryemadhin me kompaninë Vodafone
Biznesmeni Theodhori Cami qe sipas SPAK lidhi Meten dhe Kryemadhin me kompaninë Vodafone

Monika i kërkoi që ta ndihmonte që të bënte një takim me drejtuesit e Vodafonit. Sipas Thodhorit, ai është përgjigjur pozitivisht.