Izraeli goditi Iranin me një sërë sulmesh ajrore të shtunën herët, duke thënë se kishte në shënjestër objektivat ushtarakë, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit me raketa balistike që Republika Islamike kreu ndaj Izraelit në 1 tetor.
Në kryeqytetin e Iranit, Teheran mund të dëgjoheshin shpërthimet, edhe pse Republika Islamike këmbënguli se sulmet shkaktuan “dëme të kufizuara”.
Mediat iraniane raportuan se ishin dëgjuar një sërë shpërthimesh në kryeqytetin Teheran, si edhe në qytetin pranë tij Karaj, të shtunën herët.
Sulmi rrezikon përshkallëzim të luftrave në Lindjen e Mesme, ku grupet militante të mbështetura nga Irani, përfshirë Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Liban, janë tashmë në luftë me Izraelin. Kjo ishte hera e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin, i cili nuk ishte përballur me një sërë sulmesh nga një armik i huaj që prej luftës së 1980 me Irakun.
Sulmi disa orësh i Izraelit përfundoi pak para se të dilte dielli në Teheran, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër objektet e përdorura për prodhimin e raketave me të cilat Irani goditi Izraelin. Izraeli nuk ofroi të dhëna mbi dëmet.
“Regjimi në Iran dhe grupet e lidhura me të në rajon kanë sulmuar intensivisht Izraelin që nga 7 tetori, në disa fronte, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta nga toka iraniane”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë izraelite. “Ashtu si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtën dhe detyrën të përgjigjet”.
Ushtria iraniane tha se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran dhe shkaktuan “dëme të kufizuara”, por pa dhënë detaje.
Fillimisht, objektet bërthamore dhe rezervat e naftës ishin parë si objektiva të mundshme për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, por në mes të tetorit administrata e Presidentit Biden njoftoi se besonte se kishte marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godiste objektiva të tilla, çka do të përbënte edhe një përshkallëzim më të rëndë të gjendjes.
Sulmi izraelit ndaj Iranit ndodhi ndërsa Sekretari amerikan Shtetit, Antony Blinken arriti në Shtetet e Bashkuara pas një turneu në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Sean Savett i tha Zërit të Amerikës se “Uashingtoni është në dijeni se Izraeli po kryen sulme të sakta ajrore ndaj objektivave të caktuara ushtarake në Iran në ushtrim të së drejtës për t’u vetë-mbrojtur dhe në përgjigje të sulmit të Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, në 1 tetor”.
Presidenti Joe Biden dhe Nën Presidentja Kamala Harris u informuan mbi operacionin e Izraelit, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten. Ata po ndjekin nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojnë të informohen, raportojnë mediat.
Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Izraeli i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara para se të niste sulmin ndaj Iranit. “U njoftuam paraprakisht mbi atë që do të ndodhte”, tha zyrtari , duke theksuar se “ne nuk ishim të përfshirë”.
Media shtetërore iraniane nuk dha hollësi se ku kishin ndodhur shpërthimet. Ajo përcolli pamje nga aeroporti i Teheranit dhe nga një treg fruta perimesh në qytet, që tregonin normalitet. Media izraelite raportoi se qeveria izraelite e kishte marrë të premten në mbrëmje vendimin për të sulmuar Iranin.
Izraeli ishte zotuar se do të godiste Iranin pas sulmit me raketa balistike nga Teherani në 1 tetor. Pas atij sulmi, kryeministri Netanyahu tha se udhëheqësit iranianë bënë “një gabim të madh” dhe paralajmëroi se “do ta paguanin”. Sulmi i Iranit në tetor përfshiu rreth 200 raketa balistike dhe ishte sulmi më i madh i drejtpërdrejtë ndaj Izraelit nga territori iranian. Ai ishte sulmi i dytë i drejtpërdrejtë ndaj Izraelit në gjashtë muaj; Irani lëshoi raketa dhe dronë në prill në përgjigje të një sulmi izraelit në një bazë diplomatike iraniane në Siri. Në të dyja sulmet, sistemet e mbrojtjes izraelite, të mbështetura nga forcat amerikane, interceptuan shumicën e raketave, duke shmangur dëme të mëdha. Agjencia iraninane gjysmë zyrtare e lajmeve Fars tha se disa baza ushtarake në perëndim dhe jugperëndim të Teheranit kishin qenë objektiva të sulmeve izraelite./VOA