Kozma Papa që vrau Bledi Petrajn në Britaninë e Madhe ka pranuar autorësinë e krimit të ndodhur më 4 shkurt në Londër. Mediat britanike shkruajnë se 22-vjeçari nga Fairview Road, Cheltenham, u shfaq në Old Bailey të enjten (24 tetor) ku pranoi akuzën për vrasje. Atij i është caktuar masa e paraburgimit për t’u paraqitur për dënim në të njëjtën gjykatë të premten më 6 dhjetor.

Policia dhe Shërbimi i Ambulancës së Londrës (LAS) u thirrën në orën 14:04 të 4 shkurtit pas raportimeve për një goditje me thikë në Enfield. Në vendngjarje 37-vjeçari Bledi Petraj, i cili ishte nga Westcliff-on-Sea në Essex, u gjet i plagosur me thikë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në vendngjarje dhe në spital, ai fatkeqësisht vdiq atë pasdite. Familja e tij u njoftua dhe u mbështet nga oficerë specialistë. Papa u arrestua në një makinë që u ndalua në Hertfordshire po atë ditë. Ai u akuzua të nesërmen për vrasje.

Detektivi Rreshter Matthew Goode tha: Të dy burrat zbritën nga makinat e tyre dhe menjëherë filluan të zihen. Një përleshje që përfundoi me një humbje jete të pakuptimtë. Nuk është vërtetuar asnjëherë përse kanë luftuar, por cilado qoftë arsyeja e përplasjes, e di që nuk do të justifikonte humbjen e ndjerë nga familja e Bledit dhe vitet që Papa do të kalojë tani në burg. Jam i kënaqur që ky deklarim i fajësisë do t’i kursejë familjes së Bledit përvojën e një gjyqi penal, mendimet e mia janë me ta sot.”

Një 30-vjeçar, i cili gjithashtu u arrestua në kuadër të hetimeve, është lënë i lirë pa veprime të mëtejshme.