Robert J. O’Neill, një ish-marins i njësisë “Navy Seals” ka treguar së fundmi edhe për vizitën e tij të parë në Shqipërinë e vitit 1998.
Në një pjesë të podkastit të VladTv, O’Neill rrëfeu se në atë kohë u dërgua me mision në Shqipëri për të garantuar sigurinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, si dhe sigurinë e presidentit të Shqipërisë në atë kohë, gjatë një ceremonie.
Ai tha se Shqipëria kishte marrë edhe kërcënime nga organizata terroriste Al-Qaeda, shumë luftëtarë të së cilës në atë kohë operonin në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Po në Shqipëri, sepse ishte operacioni im i parë në 1998, isha pjesë e një njësie lëvizëse amfibe, si Navy Seals, puna jonë është…grupi amfib është ai që dislokohet i pari, hap rrugën. Ne ishim pjesë e tre anijeve. Unë isha me USS Austin. Dhe ajo që bënim, se kjo ishte para 11 Shtatorit, dhe kryenim stërvitje me forcat pro-koalicion. Nuk ishte tamam trajnim, por aty në anije ishte hera e parë që dëgjoja për Osama Bin Ladenin. Al-Qaeda po planifikonte një sulm në Shqipëri, sepse ishte afër shumë luftëtarëve të Al-Qaeda që ndodheshin në Bosnje. Misioni im i parë ishte siguria ndaj ambasadës amerikane si dhe isha një kundër-snajper në një ceremoni të Presidentit të Shqipërisë dhe disa admiralëve.
Al Kaeda kërcënonte, ishte një farë loje, terroristët pëlqejnë të fusin frikë, nuk duhet të bëjnë ndonjë gjë. Mjafton të thonë që do bëjnë diçka dhe njerëzit tremben”, u shpreh ai.
Robert J. O’Neill ishte pjesë e “Navy Seals SIX”, ekipi që u dislokua për të vrarë liderin e Al-Qaedas, Osama Bin Laden. Deklarata e tij pas misionit shkaktoi debat të madh, pasi tha se ishte ai i cili i vetëm e ekzekutoi Bin Ladenin.