Policia e Shkodrës ka intensifikuar luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike në veri të vendit. Zonat e thella të Malësisë së Madhe, Dukagjini dhe Shala kanë qenë gjithmonë një vatër e nxehtë për uniformat blu.
Aksione të shumta dhe të shpeshta ka patur vitet e fundit në këtë drejtim. Bimët e mbjella janë kapur dhe asgjësuar me mijëra, por pronarët e vërtetë të këtyre parcelave nuk gjenden thuajse asnjëherë.
Zonat e thella malore, vështirësitë për të shkuar drejt këtyre parcelave janë elemente favorizues për kultivuesit që të largohen para se të kapen nga uniformat blu.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, flet për luftën e madhe të efektivëve të tij për asgjësimin dhe eliminimin e parcelave me kanabis sativa.
“Këtë vit lufta jonë ka qenë shumë e madhe ndaj kanabis sativës. Kemi pasur këto suksese dhe kemi bashkëpunuar dhe me instancat e tjera. Janë asgjësuar rreth 300 mijë bimë kanabis sativa deri më tani. Gjej rastin të falenderoj të gjithë punonjësit, pasi shpeshherë kanë qenë në terren në kushte shumë të vështira dhe duhen vlerësuar për dicka të tillë”.
Efektivët e policisë shpesh detyrohen të ecin me orë të tëra në këmbë në terrene malore duke vënë veten në rrezik nga mungesa e kushteve dhe nga pikasja që u bëhet nga elementet kriminalë.
Rasti konkret ishte paralajmërimi që u bë ndaj oficerëve të policisë së Shkodrës më date 21 gusht 2024 gjatë një aksioni për eliminimin e parcelave të kanabisit.
“Rreth orës 10:00, në vendin e quajtur “Bjeshka e Parus”, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar në ajër, me armë zjarri, kur kanë parë shërbimet e Policisë të cilat po kryenin kontroll të territorit në njësinë administrative Shkrel, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike”
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Frika se mund të pikasen nga terreni është shumë më e vogël se sa rrjedhja e informacionit që ndodh në momentin që merren urdhrat për aksione asgjësimi të bimëve narkotike. Këtu, nuk duhet harruar tradhtia që mund të vijë nga oficerët e zonave, apo kolegët brenda grupit.
“Kemi frikë nga kolegët. Frikë nga frikacakët që për të kërcënuar punonjësit e policisë terrorizojnë familjet tona. Çfarë faji kanë familjet tona? Kemi frikë nga ato fytyra, kolegë, që të nesërmen e atentatit vijnë e të qurraviten duke na ngushëlluar, ndërsa një ditë më pare na kanë shitur te kriminelët duke i dhënë informacione se ku banojmë, ku pijmë kafe madje dhe intinerarin se ku lëvizim”, thotë një polic në anonimat.
Efektivi i Policisë në Qarkun e Shkodrës ka ngritur akuza të forta ndaj kolegëve. Tradhtinë ai i sheh si shkakun kryesor që i nxjerr ata nëpër pritat e atyre që blejnë dhe korruptojnë kolegë të inkriminuar.
“Shkodra është një ambient shumë i vështirë për të punuar policët. Ka shumë ndikim krimi dhe ka lidhje të drejtpërdrejta të policëve me këto persona që kanë pushtet kriminal. Janë disa faktorë që ndikojnë në dorëzimin e policëve përpara ligjit të rrugës, pasi kushtet e vështira në të cilat punonjë, pagat e ulëta, bëjnë që policët të joshen nga ana e errët. Madje të shesin dhe njëri-tjetrin. Nuk bëjnë aspak mire, por është realitet që ndodh”, thotë Sadedin Fishta, kreu i sindikates se policëve të pavarur.
Rrjedhja e informacionit nuk është dicka që nuk njihet në radhët e policisë, nga nivelet e larta drejtuese, madje deri tek ato më të ulëta. Kjo ka dalë hapur në dosjet e SKY EÇ që janë zbardhur në të tjera investigime. Dicka të tillë e ngriti si shqetësim dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, kur foli përpara KLP (Këshillit të Lartë të Prokurorisë).
“Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër”.
Në vazhdën e akuzave për inkriminimin e Policisë nga ana e Dumanit, efektivi ynë i intervistuar në anonimat ngre akuza tepër të forta për policët e zonave. Ai thotë se janë pikërisht këta të fundit që shesin kolegët e tyre dhe u japin të gjithë informacionet e nevojshme kultivuesve të drogës për grupin e policëve që u asgjesojnë bimët narkotike.“Nje SPZ ka informacion per cdo gje qe ndodh ne zonen qe mbulon,qofte ndertim pa leje,qofte person ne kerkim,qofte dhe parcela me kanabis. Nje SPZ mbron personin ne kerkim duke i thene ik se sot do vim kontroll banese,mos dil se ka kontrolle deri dhe mbille ketu se nese te vjen avionic, me kordinatat e guarda di financa, ti shkulim 10 bime e ti bejme foto dhe pjesen tjeter mbaje. Nje polic me 6 muaj pune nuk e njeh zonen,nuk e njeh territorin dhe nuk ka gje ne dore, por shiten dhe çohen viktima duke u bere mbulese, mashe, per tradhtaret e vertete”, thotë një polic në anonimat.
“Nuk mund të them se ka rrjedhje informacioni. AMP po bën një punë shumë të mire në monitorimin e rasteve apo atyre elementëve që nuk i bëjnë nder policisë së shtetit, por në kushtet që jemi po bëhet maksimumi i mundshëm”, thotë drejtori i policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj.
Efektivi i policisë tregon dhe rastet kur ka qenë vetë pjesëmarrës në aksion dhe është shitur nga policët e zonave. Madje i gjithë grupi është tradhtuar prej tyre duke u dhënë pronarëve të parcelave informacionet e plota se kush nga efektivët ka marrë pjesë në aksion.
“Kemi pasur raste kur njerezit na kane marre ne tel duke patur informacionin e sakte se kush ka shkuar ne parcele, kush eshte drejtues grupi,kush eshte shofer dhe kush i ka vene flaken bimeve
Nga ka rrjedh ky informacion? Drejtori policise nuk e din kush ja ka vene flaken bimeve te shkulura,por tradhtohemi nga spz qe kemi me vete
Ato çojne sms tek kultivuesit qe filani ta bani,filani ishte dhe.nga kjo fjale fstkeqsisht nje nga djemte me te mire qe ka policia shkodres gjergj ndershtiqaj po lufton me kohen pasi rrezikon te mbetet me pasoja nga atentati”, thotë një polic në anonimat.
Situata duket dramatike në radhët e policise së Shkodrës për sa kohë efektivët nuk besojnë te njëri-tjetri. Kjo është vetëm goditja e pare dhe më e rënda e imazhit të uniformave blu, sepse në kushte të tilla duke utopike që qytetarët të kenë besimin e duhur për të dhënë informacione në lidhje me veprimtaritë antiligjore që mund të njohin.
“Na ka ndodhur shpeshhere duke shkuar ne parcele qe spz te devijoje rrugen duke mos na cuar ne vendin e dhene,sepse ne njengrup pune 4-5 veta nuk e njohin terrenin pa ndihmen e spz
Nje spz ka pase raste qe rruges per ne parcele teksa pergatiteshim per tu futur ne parcele ato flisnin me ze te larte vetem per vetem qe te sinjalizoje kultivuesit se po vijme dhe te largohen. Kercenime me sa kam dijeni dhe nga koleget ka plot,kercenimet na behen dhe sy me sy ku na rrezikohet jeta. Ne shkoder nuk funksionon dicka me dashje,fatkeqsisht. Si munden nje grup pune te beje 12 ore rruge ne nje terren ku vetem zoti na ruan,dhe te gjeje 10-15 bime ndersa ne fushat e nen shkodres ka parcela me mijera rrenje”, thotë një polic në anonimat.
Në momentin që policët tradhtojnë dhe nxjerrin zbuluar njëri-tjetrin, po me qytetarët çfarë mund të bëjnë? Këmbanat e alarmit kanë rënë prej vitesh në Shkodër…