Në bashkëbisedimin e radhës me pensionistët, nga Korça, kryeministri Edi Rama paralajmëroi rishikimin e moshës së daljes në pension.
Shefi i qeverisë nënvizon se ideja për të rishikuar kohën e daljes në pension për kategori të caktuara, diktohet nga rritja e jetëgjatësisë në vend.
Në vijim të diskutimit, Rama e cilësoi skemën e vjetër të pensioneve, trashëguar në vitin 2013 nga qeveria Berisha si skandaloze dhe nënvizoi se PS krijoi formulën e re, e cila çon më shumë para në xhepat e pensionistëve.
Rama shtoi se për pak ditë pensionistët do të njihen edhe me bonusin që do të përfitojnë në fundvit, duke e cilësuar rritjen në vlerë të këtij përfitimi, si hapin e parë të skemës që do të pasohet nga rritja e pensioneve.
“Ne nuk e kemi akoma, por patjetër që brenda një kohe të shkurtër, do t’ju njoftojmë se si do të ndryshojë bonusi i fundvitit. Është fillimi i këtij procesi i rishikimit të të gjithë hapave që ndjekim në raport me pensionistët dhe pensionet. Nga viti i ardhshëm, duam që skema të forcohet dhe nga të ardhurat që vijnë nga rritja ekonomike, të shkojë te pensionistët në formë bonusi. Kjo të na çojë në një perspektivë më pozitive”, u shpreh Rama.