Think BIG! Ëndrrat nuk realizohen nëse nuk synojmë lart”, kështu e njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ardhjen e “Formula 1” në Shqipëri përmes një statusi në Facebook, ku bëri me dije ndërtimin e “Auto Moto Park” në Elbasan, një investim i paralajmëruar që në vitin 2021, por që edhe pse kanë kaluar gati katër vite, nuk është finalizuar ende.

Madje është anuluar edhe një tender. VoxNews ka publikuar një dokument në të cilin Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton anulimin e tenderit për marrëveshjen e zbatimit të projektit me objekt “ngritja e infrastrukturës mbështetëse në funksion të kompleksit multi-funksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit, Auto-Moto Park, në Bashkinë Elbasan Faza II: Ndërtimi i Tombinos në Funksion të Auto-Moto Park”.

I gjithë ky zhvillim vjen në një moment kur edhe Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor po zhvillon procedurë prokurimi, e cila është në fazën përfundimtare të projektit të zbatimit dhe sipas FSHZH-së, janë bërë disa ndryshime në lidhje me planin e përgjithshëm të sistemimit dhe të funksionimit të tij.

Siç duket, të dyja institucionet po përplasen për ndërtimin e pistës në Elbasan. Fondi i kësaj procedure ka qenë 137,515,514 lekë pa TVSH, por tashmë nuk dihet se si do të vijojë procedura dhe ndërtimi i Auto Moto Park.

Nga ana tjetër, vetëm tre javë më parë, kryeministri rikonfirmoi ecurinë e këtij projekti. Teksa të ftuar në podcastin e tij “Flasim” kishte Gentjan Shaqirin, kampion në sistemin e FIA-s për të gjithë zonën e Europës Qendrore në motorsport, Rama tha gjërat janë në hapin e fundit përpara firmosjes për sjelljen e “Formula 1” në Shqipëri.

“Do të jemi i pari vend në zhvillim që hyn në ‘Formula 1’ dhe ky është rezultat i asaj që ka ndodhur me Shqipërinë dhe me rritjen e reputacionit dhe respektit për Shqipërinë. Është rezultat i një pune të bërë në nivelin e gjithë atyre lidhjeve që ka mundësuar që njerëzit ta shohin Shqipërinë me sy tjetër. Mendoj që ne i kemi arritur këto por nuk them kurrë që mbaroi derisa s’ka mbaruar. Kjo për mua vlen për çdo punë. Jemi në hapin e fundit përpara firmosjes dhe me ndihmën e Zotit besoj do të ndodhë,”– tha Rama.

Idetë për projektet për Auto Moto Park Albania u prezantuan në vitin 2023, gjatë një ceremonie ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se Shqipëria ka investuar në infrastrukturë që është një nga kolonat më të rëndësishme të lidhura me turizmin. Konkursi u fitua nga kompania e ish-pilotit austriak të Formula 1, Alexander Wurz dhe babait të tij, Franz Wurz.

“Përpara 48 orësh rreth 30 kompani të mëdha ndërkombëtare erdhën në Shqipëri për t’u njohur me projektin e Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano, një prurje sipërmarrjesh të huaja që deri para ca vitesh as nuk imagjinohej. Sot katër kompani projektimi mes më të mëdhave të botës, për cirkuitet automobilistike ishin në Tiranë për konkursin ndërkombëtar të shpallur nga #DPSHTRR për Auto Motoparkun që do të ndërtojmë në Elbasan. Të katërta me projekte vizionare dhe prezantime mbresëlënëse nga vetë drejtuesit e kompanive, të cilat ishin përgatitur shumë seriozisht edhe pse praktika e zgjedhur ishte më e pazakonshmja, pa asnjë pagesë paraprake. Në 48 orë këto janë dy prova shembullore të imazhit të ri të Shqipërisë, interesimit në rritje për vendin tonë si një destinacion interesant, jo vetëm për turizëm po edhe për biznes, si dhe rritjes së besueshmërisë tek Shqipëria që ka çelur negociatat me BE, e që sot ka një reputacion ndërkombëtar krejt tjetër nga ai i deri disa viteve më parë. Konkursin e sotëm e fitoi kompania e ish-pilotit të famshëm austriak të Formula 1 Alexander Wurz dhe babait të tij Franz Wurz, një personalitet i mirënjohur për nismat e tij në fushën e sigurisë rrugore”, shkruan kreu i qeverisë,”- deklaroi në atë kohë Rama.

Me kalimin e kohës, kryeministri Edi Rama ka publikuar edhe video nga punimet që po vijojnë për ndërtimin e Auto Moto Park-ut të parë shqiptar.

Po tani si do të vijojë procesi me përplasjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor?