Zbardhet dosja penale, e cila është regjistruar në SPAK kundër ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, i cili për shkak të kësaj çështje u detyrua të heqë dorë nga mandati i deputetit, me shpresën për ti shpëtuar ndjekjes penale nga prokuroria e posaçme SPAK dhe dosjen ta transferonte në Durrës.
Por vetëm 5 ditë, pasi Çyrbja kishte dorëzuar mandantin e deputetit dhe po bënte kalkulimet juridike për të dërguar dosjen e prokurorit Dritan Prençi në prokurorinë e Durrësit, në lojë ka hyrë një prokuror tjetër i SPAK, Adnand Xholi, i cili në mënyrë urgjente ka urdhëruar arrestimin e Çyrbes, në datën 20 Tetor 2024.
Kjo pasi SPAK, kishte hapur një çështje të dytë kundër deputetit të PS, për shkak se Çyrbja rezultonte përdoruesi i aplikacionit “Sky”, me të cilin mbante komunikime me Altin Hajrin, një person ky i shpallur në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mundur të sigurojë të plotë dosjen penale që mban Nr. 127, për të cilën SPAK në 9 Tetor 2024, ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për ish-deputetin Çyrbja.
Ndërkohë, të pandehur për “Shpërdorim detyre” së bashku me Çyrben në këtë dosje janë marrë dhe 4 ish-zyrtarë të tjerë si Hysen Gashi, ish-kryetar i Komunës Rrashbull, Qamil Lila ish-drejtor i Zyrës Bujqësore në Komunën Rrashbull, Ervis Mustafa, ish-specialist juridik pranë Hipotekës (ZVRPP) Durrës, Edlira Çollaku ish-juriste dhe E.D.
Lista e personave të pandehur shtohet dhe me disa emra të personave të tjerë që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë sipërfaqet e tokës në zonën e Rrashbullit dhe më pas i kanë shitur ato, duke fituar vlera monetare.
Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora News” thuhet se abuzimet e Jurgis Çyrbes, janë kryer gjatë periudhës 2015 kur zyrtari i PS, mbante postin e regjistruesit në hipotekën e Durrësit.
Kallëzimi për këtë rast është depozituar në SPAK në muajin Prill 2021 nga subjekti politik, Partia Demokratike, çka solli angazhimin e prokurorëve të zgjeronin hetimet.
Përgjatë 3 viteve hetime, janë zbuluar se Jurgis Çyrbja në cilësinë e regjistruesit të hipotekës së Durrësit në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të këtij institucioni dhe kryetarin e komunës Shkallnur, kanë kryer veprime duke shpërdoruar detyrën në 5 raste.
Bëhet fjalë për regjistrimin e 5 sipërfaqeve të tokë në fshatin Rrashbull, në emër të Selim Selimit, Mehmet Musaj, Shaban Hersit, Nazmi Gjeçit, Agron Xhafa dhe Marsida Merja.
Gazetari Qyno, ka zbuluar se ish-zyrtarët e hipotekës Durrës, ish-zyrtarët e komunës Shkallnur në bashkëpunim dhe me persona të tjerë në datën 25 Mars 2015 kanë regjistruar në mënyrë të padrejtë në emër të Selim Selimit sipërfaqen tokësore prej 5710m2.
Ndërkohë në 4 Maj 2015, të njëjtit zyrtarë kanë rregjistruar padrejtësisht në emër të Mehmet Musaj sipërfaqen tokësore prej 4500m2.
Po në të njëjtën datë, në 4 Maj 2015, ish-zyrtarët kanë regjistruar padrejtësisht në emër të, Shaban Hersit, sipërfaqen e tokës në fshatin Shkallnur prej 5470m2.
Gjithashtu në 12 qershor 2015, të njëjtët zyrtarë kanë regjistruar në emër të shtetasit Nazim Gjeçit, sipërfaqen tokësore prej 13 mijë e 500m2.
Ndërkaq në emër të Agron Xhafa dhe Marsida Merja në datën 14 korrik 2015, është regjistruar një sipërfaqe tjetër tokësore prej 13 mijë e 500m2.
Në total bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 42 mijë e 680m2 tokë që është përfituar në mënyrë të padrejtë nga 6 shtetasit e mësipërm, të cilët sapo janë pajisur me çertifikatë pronësinë e kanë shitur tokën ose disa të tjerë e kanë vendosur në kolateral, për shkak se kanë marrë kredi në banka.
Hetimi ka zbuluar se sipërfaqet e tokës përmes një relacioni të vitit 2015 të nxjerrë nga komuna e Rrashbullit, janë shtuar në AMTP-të e vitit 1991 dhe 1992, duke bërë që 6 personat të përfitojnë tokë në mënyrë të padrejtë.
TË PANDEHURIT E DOSJES
– Jurgis Çyrbja, ish-kryetar ZVRPP në Durrës (Deputet i PS);
– Hysen Gashi, ish-kryetar i Komunës Rrashbull;
– Qamil Lila, ish-drejtor i Zyrës Bujqësore në Komunën Rrashbull;
– Ervis Mustafa, ish-specialist jurist në ZVRPP Durrës;
– Edlira Çollaku, ish-juriste.
6 PËRFITUESIT E TOKËS
– Selim Selimi, përfitues i 5710 m2 tokë në Shkallnur;
– Mehmet Musaj, përfitues i 4500 m2 tokë në Shkallnur;
– Shaban Hersi, përfitues i 5470 m2 tokë në Shkallnur;
– Nazim Gjeci, përfitues i 13.500 m2 tokë në Shkallnur;
– Agron Xhafa dhe Marsida Merja, përfitues të 13.500m2 tokë në Shkallnur. /oranews