Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço dha detaje për masakrën e Dobraçit dhe bëri me dije se Ibrahim Lici ka shkuar në spital i plagosur.

Nga aty, ai ka marrë konfirmimin e mjekëve se me plagët që ka marrë nuk rrezikon jetën dhe më pas është larguar. Ai shtoi se Ibrahim Lici, ka ikur i shoqëruar me dy makina nga Spitali i Shkodrës.

“Mos të them që ai person që shikoni ulur aty, është çuar më pas, e ka marrë trupin e vëllait, e ka futur në ambulancë, ka vajtur në spital, aty ka thënë o doktor, a vdes me këto plagë që kam. I kanë thënë ata jo. Ka ikur që andej dhe pastaj ka kërkuar ndihmë në klinika private. Ka shkuar në spital, ka kërkuar ndihme, ka verifikuar në çfarë gjendje është. Ka ikur I shoqëruar nga dy makina madje”, tha ai.

Sakaq, Karamuço u shpreh se njëri prej policëve e ka njohur Licin dhe më pas kanë mbetur të shtangur sa kanë “harruar” dhe procedurat elementare, që duhet të bënin në ngjarje të tilla.

“Kur ka mbërritur patrulla e parë e policisë, njëri prej pjesëtarëve të grupit të gatshëm e ka njohur këtë person. Policët shtangën dhe nuk dinin se çfarë bënin, nuk morën masat as më elementare, që janë rrethimi i vendit të ngjarjes, marrjen e dëshmitarëve dhe ky person ka qenë dukshëm i plagosur, i gjakosur, që duhej të ishte shoqëruar menjëherë. I jepej ndihmë në spital, mbahet nën mbikëqyrjes sipas procedurës standard që bën policia. Këto bën policia. Merret një deklaratë, ajo dokumentohet, këtë bënë policia”, tha ai.