Zbardhet vrasja e biznesmenit Eduart Reçi, i cili u ekzekutua me një plumb në kokë. 2 vëllezër janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së biznesmenit, një prej tyre është efektiv policie në Komisariatin nr.2 në Tiranë. Autorët janë identifikuar si Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, (oficer Policie) dhe Florian Dukaj, 45 vjeç, (vëllezër).
Mbi të dy rëndon vepra penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Mbrëmjen e djeshme, Policia ka ushtruar kontroll në banesën e tyre dhe ambientet e lokalit në pronësi të dy vëllezërve, ku edhe kanë gjetur armën e zjarrit që është përdorur për vrasjen e biznesmenit, por edhe silenciatorë dhe mjete të tjera të përdorura natën e vrasjes.
Zbardhet vrasja e Eduart Reçit/ Biznesmeni u ekzekutua nga dy vëllezërit, shkak konflikti për pronat
Madje në magazinën e lokalit kishin fshehur edhe disa jelekë anti-plumb.
Dëshmia e autorëve nuk është bërë me dije, por paraprakisht dyshohet se vrasja e biznesmenit ka ndodhur pasi Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, por i duhej edhe dakordësimi me persona të tjerë (persona që ishin në kufi me pronat e viktimës).
Kështu që siç mëson Gazeta Jonë, për të zgjidhur këtë ngërç viktima kishte diskutur edhe me dy autorët e vrasjes së tij, por diskutimi ishte kthyer në një konflikt që i mori dhe jetën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital. Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Policia zbulon vrasësit
Personat që shihni në foto janë dy vëllezërit e arrestuar për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi. Shkëlqim dhe Florian Dukaj planifikuan dhe realizuan vrasjen e Reçit për shkak të një problemi me pronësinë. Kjo pasi biznesmeni kërkonte që të investonte në një pronë, pranë asaj të dy vëllezërve Dukaj. Madje raportohet se të tre janë takuar për të diskutuar, por mesa duket palët nuk kanë rënë dakord.
Dy vëllezërit Duka janë zbuluar pas kryerjes së eksperimentit hetimor dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja e biznesmenit. Më pas, në ambientet në pronësi të dy vëllezërve, u gjet edhe arma e krimit dhe silenciatorët e përdorur natën e vrasjes.
Plani i detajuar
Dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Florian Dukaj ishin bërë një plan të detajuar për të eliminuar biznesmenin Eduart Reçit pak ditë më parë në Tiranës, pasi me të kishin probleme me pronat. Për shkak se në vendin ku kishte ndodhur vrasja, nuk ishte gjetur një gëzhojë, hetuesit ngritën dyshime se viktima ishte qëlluar nga një lartësi, me shumë gjasa nga ndonjë pallat pranë zonës ku banonte viktima, 52-vjeç. Kështu u rikthyen sërish në vendin e krimit dhe kryen eksperimente për të mësuar pozicionin e qitjes dhe drejtimin që kishte marrë plumbi për të zbuluar se nga cili pallat ishte qëlluar.
Kështu kanë mundur që të mësojnë më shumë lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit. Në vijim të hetimeve, Policia ka shqyrtuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi vrasja, duke zbuluar prova të rëndësishme që çuan në ndjekjen e vëllezërve Dukaj. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe lokalin e tyre mbrëmjen e djeshme, uniformat blu kanë gjetur një armë zjarri, por edhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Gjithashtu, në telefonin e Shkëlqim Dukajt është gjetur edhe një foto e armës së zjarrit që është përdorur për vrasjen. Mesa duket, 48-vjeçari ka marrë përsipër që të tërheqë këmbëzën për shkak të eksperiencës që kishte me armët e zjarrit, pasi prej vitesh punonte si oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.2. Vëllai tjetër, Florian Dukaj kishte marrë përsipër që të ndiqte çdo lëvizje të viktimës duke njoftuar të vëllanë që do të kryente vrasjen.
Në momentin e parë që patën fushëpamjen dhe mundësinë për të qëlluar, Shkëlqim Dukaj qëlloi një “tek” plumb në kokë shënjestrën e tij, që edhe pse u dërgua në spital, sërish nuk u mbijetoi dot plagëve të marra. Shkak për vrasjen, raportohet se është bërë një konflikt që të tre kanë pasur. Kjo pasi Reçi kërkonte që të investonte në ngritjen e një pallati në një pronë që kishte në kufi bizneset e vëllezërve Dukaj. Edhe pse palët ishin takuar disa herë për të rënë dakord, sërish ka pasur përplasje mes tyre. Konflikt që përfundoi me një viktimë. /gazetajone