21 masa sigurimi lëshoi Prokuroria e Posaçme këtë të hënë. Mes personave të përfshirë ka edhe ish-zyrtarë të drejtësisë. Mes atyre që përfundoi në pranga ishte edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, ndaj të cilës më herët është lënë në masë sigurie edhe për një çështje tjetër, në lidhje po me krimin e organizuar.

Por nga përgjimet e përftuara nga SPAK, gjyqtarja Fetahu është përfshirë në një tentativë për t’u hakmarrë ndaj drejtuesit të emisionit “Stop”, Saimir Kodra. Ky i fundit e ka denoncuar shpesh në emisionin investigativ që transmetohet në Tv Klan çështjet korruptive të kësaj gjyqtareje.

Bisedat në lidhje me këtë çështje u publikuan në emisionin “Opinion” nga gazetari Blendi Fevziu.

“I bën me dije gjyqtarja Pajtime Fetahu se ka dashur ta dëmtojë Saimir Kodrën, drejtues i emisionit investigativ “Stop”. Por në pamundësi për ta gjetur atëherë miqtë e tij, filani dhe filani, të cilët dyshohet se janë filani dhe filani, kanë djegur banesën e prindërve të tij (Saimir Kodrës). Nga biseda dyshohet se gjyqtarja Pajtime Fetah ka një shqetësim në lidhje me drejtuesin e emisionit “Stop” për të cilin personi me të cilin kjo flet thotë se do të hakmerret ndaj tij dhe shprehet se për atë që i ka bërë asaj do ta paguajë 10-fish. Biseda e përftuar është siç vijon thotë dhe është me fjalë të tmerrshme për Saimir Kodrën”, tha Fevziu.

Ndërkohë më tutje lexoi edhe bisedën në lidhje me Saimir Kodrën.

“Në fakt unë doja ta dëmtoja direkt Saimirin. Ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë shumë me të, se e di jemi të ngarkuar. Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jam marrë personalisht”, tha Fevziu./gazetajone