SPAK goditi grupin kriminal të Suel Celës, një organizatë me bazë në Elbasan për trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe shpërndarjen e saj në vende të Bashkimit Evropian. Banda kriminale, e cila synim kryesor ka pasur kontrollin e territorit kryesisht në Shqipërinë e Mesme, sipas SPAK, kishte depërtuar në sistemin e drejtësisë, në polici dhe në media, për të favorizuar anëtarët e organizatës kriminale, për të rënduar pozitën e kundërshtarëve, dhe për të goditur deri në vrasje, pjesëtarët e grupeve rivale të fisit Çopja.

Me 21 masa sigurie, në mesin e të cilëve është edhe vetë kreu i bandës në kërkim ndërkombëtar Suel Çela, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu në arrest me burg, ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, por edhe 2 gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, SPAK thotë se në hetime ndihmuan edhe bisedat e zbardhura nga komunikimet në aplikacionin e koduar SKyEcc, për zbërthimin e të cilit ndihmuan edhe autoritetet e huaja.

NDIKIMI NË DREJTËSI
Sipas SPAK, organizata kishte arritur të korruptonte Dedan Gjonin (në arrest me burg edhe për dosjen Metamorfoza) i cili e ndihmonte organizatën me informacione, dhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu e cila duke shfrytëzuar pozicionin e saj lehtësonte pozitën e drejtuesit Suel Çela dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Njëkohësisht – thotë zyrtarisht SPAK – grupit ndikonin te trupa gjyqësore për të rënduar pozitën ose masën e dënimit për anëtarët e grupit kundërshtar. Këto veprime të jashtëligjshme thotë SPAK, bëheshin në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale, nga të ardhura që përfitoheshin nga trafiku i kokainës.

IMPLIKIMI I GAZETARËVE
Suel Çela– thotë SPAK ka synuar të manipulojë perceptimin publik për të inkriminuar rivalët e grupit Çopja, duke i paraqitur ata si të paprekshëm, me lidhje të mundshme me politikën. Për realizimin e këtij skenari, SPAK thotë se janë përdorur 2 gazetarët, ndaj të cilëve u caktua masa “detyrim paraqitje”.

“Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas Suel Çelës, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik” thotë SPAK”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

PLANET PËR VRASJE
Goditja më e fortë që grupi i Suel Celës dyshohet se ka bërë ndaj rivalëve, është plani për të vrarë një nga njerëzit më të afërt të grupit Çopja, Bledar Muçën, i cili kishte shpëtuar në masakrën që iu bë Çopjave me 3 të vrarë e 6 të plagosur në lokalin e tyre në Elbasan. Muça cilësohej si njeriu më i afërt i numrit dy të organizatës, Florenc Çapja, që fshihet në Dubai. Bledar Muça u vra në Belgjikë më 22 janar të vitit 2022, por ndaj grupit të Suel Çelës SPAK ngre akuza vetëm për tentativën e vrasjes dhe jo ekzekutimin e tij jashtë vendit.

Sipas SPAK, Suel Çela fshihet edhe pas planit për të vrarë Ardian Çopjan, të konsideruar si kundërshtari më i fortë i tij. Dhe pikërisht me porosi të Suel Celës, dyshohet të jetë organizuar atentati me snajaper, më 8 qershor 2020 në Elbasan, vrasje që mbeti në tentativë, ndërsa pas këmbëzës dyshohet se ka qenë Prekë Kodra.

Tjetër akuzë e ngritur ndaj grupit të të shumërkuarit Suel Cela është sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Elvis Koçit, në vitin 2020 në Elbasan, atentat që dështoi.

Vëllai i kreu të organizatë, Mario Çela sipas SPAK është ndër anëtarët kryesor të grupit bashkë me Xhino Rokën, biznesmeni Bujar Shega, truri financiar i grupit (i arrestuar në Milano) i cili pastronte paratë dhe Klaus Matishi, që siç thotë Prokuroria e Posaçme, angazhoheshin në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda, përfshirë vrasjes dhe trafikun e kokainës.

TRAFIKU I KOKAINËS
Në trafikun e kokainës, SPAK thotë se organizata e Suel Çelës, porosiste për kokainë grupe të tjera kriminale shqiptare me lidhje të forta me bandat vendase krimit në Amerikën Latine.

“I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda”, thotë SPAK.

Nga Amerika Latine kokaina trafikohej e fshehur në kontejnerë në mesin e produkteve të ligjshme, tranzit në disa porte europiane si Antverp e Roterdam. Por ka pasur edhe tentativa për të kryer transport të kokainës përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej në blerjen e lëndës narkotike. Në gjendje cash-i në Shqipëri, në biznese në dukje të rregullt por edhe për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

SPAK thotë se ka dokumentuar gjithashtu edhe dy tentativë për të trafikuar 930 kg kokainë nga Ekuadori në Europë në dhjetor 2020 dhe 466 kg lokainë nga Ekuadori në Holandë në janar 2021.

Grupi akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Ardian Copjes, sigurimin e kushteve për të vrarë Elvis Kocin dhe Bledar Mucën, armë pa leje, organizatë kriminale, trafikim të drogës, grupit kriminal, korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë, shpërdorim detyre, pastrim parash, dhe korrupsion aktiv në sektorin privat, vepër që lidhet me gazetarin Elton Qyno.

MASAT E SIGURIMIT 
Marjus Lulaj (alias Suel Çela), –  36 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Mario Çela – 35 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Xhino Roka – 33 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), – 37, banues në Elbasan Arrest me burg
Sergej Hasanpapaj – 30 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Bruno Hazizolli – 34 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Ledio Zabeli – 33 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Marsel Roka – 37 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), –  39 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Preke Kodra – 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe Arrest me burg
Fuad Verzivolli –  48 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Metin Mehja – 27 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Renato Hasani – 35 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Skender Sufaj – 34 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Artan Hoxha – 50 vjeç, banues në Tiranë – Detyrim paraqitje
Elton Qyno – 39 vjeç, banues në Tiranë – Detyrim paraqitje
Pajtime Fetah – 65 vjeç, banues në Elbasan Arrest me burg
Dedan Gjoni – 48 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Marsel Shega (alias Bujar Shega), – 51 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa) – 40 vjeç, banues në Tiranë Arrest me burg
Blerina Beqiri –  39 vjeç, banues në Elbasan – Arrest Shtëpie
 Veprat penale të dyshuara:
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Ardian Çopja, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe Bledar Muça.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
“Grup i strukturuar kriminal”.
“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
“Shpërdorim detyre”.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Njoftimi plotë zyrtar i SPAK 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine. Ky hetim i bazuar në  komunikimet e koduara  SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:

  • Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
  • Arrest në shtëpi për 1 avokat.
  • Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.

Struktura e Organizatës 

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit  kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  1. Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, Ardian Çopja, në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
  2. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
  3. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
  4. Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
  5. Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
  6. Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

Shtetasi Marjus Lulaj alias Suel Çela është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si;  M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë

Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

Marjus Lulaj ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

a. Në blerjen e lëndës narkotike

b. Në gjendje cash-i në Shqipëri

c. Në biznese në dukje të rregullt

d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano). /gazetajone