Një 35-vjeçar me origjinë nga Gramshi është zhdukur në rrethana misterioze që prej dy ditësh.
Familjarët e të riut Ermal Shaliu kanë kërkuar ndihmë nga emisioni “Me Zemër të Hapur” në News 24.
Ata thonë se 35-vjeçari u zhduk dy ditë pasi ishte kthyer nga Gjermania.
Pasi u kthye nga Gjermani 35-vjeçari qëndroi te shtëpia e motrës dhe te kushëriri në Tiranë, por më pas u zhduk.
“Ermali erdhi ditën e shtunë nga Gjermania, sepse kishte shfaqur probleme depresioni…është tip i mbyllur zakonisht…pas dy ditësh në Shqipëri doli për kafe dhe nuk u kthye më”, tha kushëriri i Ermalit për emisionin “Me Zemër të Hapur”.
Sipas kushëririt, 35-vjeçari kishte një vit e gjysmë që punonte në Gjermani si inxhinier elektrik.
35-vjeçari ka pasur shqetësime të cilat ka dashur t’i konsultojë me një mjek psikiatër në Shqipëri. Por sapo u kthye, ai qëndroi vetëm dy ditë në shtëpinë e kushëririt të tij, por në orët e para të mëngjesit të datës 25 ai u largua në mënyrë të papritur. Familjarët denoncuan zhdukjen e tij dhe kërkojnë ndihmë për të gjetur të riun.
“E morëm në Shqipëri për më mirë, i kishim lënë dhe një takim dje më psikiatren”, tha kushëriri.
Kushëriri tha se familja e Ermalit jeton prej vitesh në Greqi.