KESH blen energjinë sa “frengu pulën”, HEC -et private e përdorin për prodhim Bitcoin
Ashtu siç ndodh shpesh çdo vjeshtë dhe prag dimri, kryesisht për shkak të keqmenaxhimit dhe abuzimit nga KESH, Shqipëria është e detyruar të harxhojë dhjetëra milionë euro për të blerë energji elektrike pasi janë zbrazur basenet e HEC-eve.
Gazeta Jonë mëson se vetëm gjatë muajit nëntor 2024, KESH ka harxhuar rreth 15.5 milion euro për të blerë energji elektrike në bursë duke e çuar faturën totale në rreth 60 milion euro.
Shqipëria është e varur nga prodhimi i energjisë përmes HEC-eve dhe importi i saj pasi investimet në parqe eolike janë ende në fillimet e tyre, ndërsa gjatë dekadave të fundit janë ndërtuar edhe disa HEC-e private.
Megjithatë, pavarësisht koncensioneve të HEC-eve private vendi vijon të blejë energji elektrike në bursë me çmime te çmendura duke rrjepur pikërisht arkën publike.
Ku është problemi?
Kur shteti shqiptar ka dhënë koncensionet për ndërtimin e HEC-eve private, një ndër pikat detyruese ishte marrëdhënie e privilegjuar e KESH me prodhuesit privat, të cilët ia shesin energjinë shtetit kundrejt një çmimi të rregulluar. Në këtë mënyrë, KESH ose OSSH shmangte goditjet nga çmimi i bursës dhe nevojave të menjëhershme në tregjet rajonale, të cilat shtrenjtonin çmimin.
Por çfarë po ndodh? Ndërkohë që shumë HEC-e janë vënë në punë dhe prodhojnë normalisht, në disa raportime konfidenciale flitet për ngritjen e disa fermave të prodhimit të Bitcoin dhe kriptovalutave të tjera, të cilat kërkojnë sasi kolosale energjie elektrike.
Gazeta Jonë mëson se kjo situatë është bërë shqetësuese për KESH, i cili ndjehet i detyruar të blejë energjinë e munguar sa “frengu pulën”, ndërkohë që pronarët e HEC-eve private dhe ndonjë administrator në HEC publik (përfshirë dhe ata të privatizuar) e përdorin një pjesë të saj për prodhim Bitcoini.
Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një shkelje me të dyjat këmbët të kushteve të koncensionit dhe vendimit nr.244, datë 30.03.1016 të qeverisë.
Gazeta Jonë mëson se ky shqetësim i është përcjellë disa herë institucioneve përgjegjëse, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje për të kryer kontrolle dhe goditur këtë veprimtari që dëmton interesat e shqiptarëve në shërbim të xhepave të pronarëve të HEC-eve private.
Bitcoin kaloi çmimin 100 mijë dollar sëfundmi dhe mund të jetë bërë një aktivitet shumë fitimprurës për pronarët e HEC-eve private, por në rastin tonë kemi të bëjmë me një situatë gati krize dhe një shtet i përgjegjshëm ndërhyn. Ashtu siç duhet t’Ë jape përgjigje spekulimeve se kjo po ndodh edhe në disa HEC-e public në kaskadën e Drinit! Vijon.. /gazetajonë